Kuqi:Kosova as nuk ka lider e as demokraci

  • 29 June 2017 - 12:28
Kuqi:Kosova as nuk ka lider e as demokraci

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, konsideron se tendenca e koalicioneve ishte që në fillim, më shumë për pushtet personal dhe partiak sesa për krijimin e një qeverie me program zhvillimor. "Edhe tani kjo lloj heshtjeje para certifikimit të rezultateve është tendenca e pozicionimit rendor dhe kalkulimeve për poste. PDK-ja do të tentojë me çdo kusht ta mbajë AAKnë në anije dhe të bëjë çdo lloj kompromisi për të qenë në pushtet, sepse nëse PDK-ja nuk është në pushtet, ajo mund të humbë në çdo sferë dhe të fillojë procesi i shkapjes së shtetit. Që të nisë të fillojë drejtësia, që shumë njerëz të tyre mund t'i gjejmë prapa grilave. Edhe partitë e tjera po ndjekin këtë shembull që ta shijojnë pushtetin me çdo kusht dhe përllogaritje vetëm e vetëm që të kenë qasje në burimet shtetërore. Dhe kjo jashtëzakonisht e dëmton Kosovën në të gjitha sferat, sepse nuk ka program, por vetëm qeveri për pushtet", tha Kuqi për "Kosova Sot". Ai thekson se ka frikë që qytetarët mund të dënohen prapë edhe përkundër që ka një tendencë për ndryshime, gjë që garnitura politike nuk ka gatishmëri ta materializoj këtë tendencë qytetare. "Dhe kjo po tregon se Kosova as nuk ka lider e as demokraci, por një kuazi (gjysmë) demokraci me tendencë jozhvillimore, që nuk shkon nga demokracia, por oligarkia. Pra, qytetarët janë duke ndryshuar për të mirë me atë që aspak nuk i pëlqen, konvenon dhe dëshiron ta materializojë klasa politike", thekson Kuqi. "Klasa politike e tanishme dhe ata që mendojnë të jenë akoma në politikë, edhe pas zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, nuk duhet tani që të vazhdojnë ta irritojnë qytetarin, sepse politika për ta do të përfundojë me këtë mandat qeveritar", tha Gurakuq Kuqi

(Kosova Sot)