Mjeshtri i mbi 1000 instrumenteve të punuara (Foto/Video)

  • 29 June 2017 - 12:54
Mjeshtri i mbi 1000 instrumenteve të punuara (Foto/Video)

RRËFIMI PËR MUZIKANTIN DHE PUNUESIN E INSTRUMENTEVE, SHAQIR HOTI

Shumë vite më parë ai projektoi dhe ndërtoi Okarinën Antike

"I lindur në një vend ku buronte tradita, e kam pasur të pamundur t'u iki këtyre tingujve të trashëgimisë, kështu që me kohë u ngulitën në mendjen time dhe kurrë më nuk munda të dal nga këto instrumente", ka thënë Hoti për "Kosova Sot" 

Ruga "Korça", në kryeqytet, përveç emrit të veçantë që ka, ka edhe një të veçantë tjetër shumë të vlefshme, që me kalimin e kohës banorët e saj do të ndihen krenarë. Në fund të kësaj rruge qorre, në të majtë, gjendet shtëpia e një emri po ashtu të veçantë të muzikës dhe etnokulturës shqiptare, mjeshtrit të instrumenteve, Shaqir Hotit. Po aq e veçantë është edhe punëtoria e tij, e cila, përveçse shërben për të krijuar instrumente të ndryshme, në fakt është edhe një studio e muzikës dhe traditës etnomuzikore shqipe. I ulur në mes të punëtorisë, edhe ditën e mërkurë, duke sfiduar të nxehtin dhe peshën e viteve, Hoti vazhdon të krijojë instrumente me frymë, nga më të ndryshmet, duke filluar nga kavallet dhe fyejt e shokës deri të mikro-instrumente të punuara nga gëzhojat e pemëve dhe nga pjesë të tjera të druve, shkruan gazeta Kosova Sot. 

Image

Secili instrument ka një mesazh në vete

Duke zbritur shkallëve për tek punë- toria e mjeshtrit, përmes dritares së saj, shohim një imazh të saj që gjendjet në atë, që lirisht mund ta quajmë, një mini-muze të fyejve dhe kavalleve të punuar me kujdesin më të madhe në mënyrë artizanale nga Hoti. Janë diku 1000 instrumente që janë punuar nga ai dhe secili ka një mesazh të gdhendur mbi të, për atë që do të vijë dhe do të marrin në dorë instrumentet. Si një muzikant i lindur dhe më pas edhe i shkolluar, ai vazhdon pasionin e tij, i cili krijimin e instrumenteve me frymë, fyellit, kavallit, por edhe instrumenteve të tjera, të cilat syri i njërit, të paktë në vend, nuk i ka parë me herët, instrumente frymore të ndërtuara nga gëzhojat e pemëve, sidomos arrave, por edhe lajthive, etj. Ai tregon se qysh i vogël është rritur me këto instrumente dhe në një vend ku tingulli i fyellit dhe kavallin e ka përcjellë që nga hapat e parë të jetës. "I lindur në një vend ku buronte tradita e kam pasur të pamundur t'u iki këtyre tingujve të trashëgimisë, kështu që ashtu me kohë u ngulitën në mendjen time dhe kurrë më nuk munda të dal nga këto instrumente", ka thënë ai. Më tej ai tregon se zakonisht ditën e nis si çdo njëri tjetër, por natyrisht pa u larguar asnjë ditë nga të menduarit për të krijuar një instrument të ri, një fyell kavall, apo ndonjë tjetër instrument frymor."Ky, si të them, aktivitet është i pandalshëm dhe herë-herë edhe e qortoj një fyell, por edhe herë-herë e dua fort. Unë gjithmonë flas me drurin, në rast se me del fyelli i mirë edhe e zbukuroj dhe e lustroj, por ndodh ndonjëherë edhe që nuk shkon ashtu si duhet. Kështu që kur më bien në dorë një dru i mirë, i kushtoj kohë deri t'ia jap formën", thotë ai, duke treguar një punim pushke-çifte gjahu, që ai e quan pushkë humane. Para, shton Hoti me shaka, sa herë që dilja për gjah sapo ta shihja lepurin ai nxjerrja çiften e i thosha atij ndal se do të luaj një melodi për të, duke hequr njërën nga tytat e çiftes, që në fakt është një kavall i punuar prej tij. 

Image

Dashuria ndaj kavallit 

Ai e do fyellin, kavallin dhe thuajse gjithë jetën ia ka kushtuar këtyre dy instrumenteve, ku pavarësisht punës si instrumentist në Radio Prishtinë, duke interpretuar në instrumente si flauti etj., ai nuk e braktisi kavallin, instrumentin i cili për të mbetet një instrument i veçantë, një dëshmi etnie shqiptare, që asnjë instrument tjetër nuk mund ta imitojë. Kështu që ai çdo ditë projekton modele të ndryshme. Por jo, jo vetëm fyellin dhe kavallin. Shumë vite më parë ai projektoi dhe ndërtoi Okarinën Antike, me dy vrima, që u zbulua në Runik, por që për fat të keq tashmë është pjesë e koleksionit të grabitur nga Serbia. I intriguar, tregon ai pas shumë përpjekjeve, ndërtoi versionin origjinal të okarinës së lashtë. Duke prodhuar vetë në punëtorinë e tij një seri të tilla, por, tregon më tej Hoti, gjithnjë dëshira për eksperiment me instrumente muzikore frymore, po i rritej dhe tashmë ai nisi më sukses të realizojë edhe krijimin e mikro-instrumenteve frymore, të papara më parë tek ne, të ngjashme me okarinën që kishte ndërtuar, por me përmasa shumë më të vogla. Me gëzhoja të arrave ai krijoji instrumente fenomenale frymore, apo gëzhoja të pemëve të tjera. Ai tregon koleksionin e mikro-instrumenteve frymore të krijuara nga ai, nga druri apo edhe nga gëzhoja të ndryshme. Më i veçanti është edhe mikroinstrumenti, një mollëkuqe e punuar nga gëzhoja e lajthisë, me dimensione 19X16 milimetra dhe me gjerësi prej një 1 centimetër, një instrument që domosdo duhet të shqyrtohet edhe nga një komisioni i Ginistit, e që jep një tingull, siç pohon edhe vetë ndërtuesi i saj shumë i lartë. 

Image

Interpretuesi i instrumenteve frymore

Por, nuk është vetëm ndërtimi i instrumenteve pasioni dhe punës që po bën Hoti, duke qenë se është edhe interpretuesi i instrumenteve frymore, që nga fëmijëria, pastaj si profesionistë në institucione muzikore po punon në studimin apo shkrimin e monografikeve për instrumentet frymore. Ai tregon se është duke bërë gati dy studime për këto instrumente frymore."Kur bën të ftohtë ulem në kompjuter dhe shkruaj rezultatet e studimeve që kam bërë me këto instrumente, për instrumentet veç e veç. Jam në përfundim të dy punimeve, Teknologjia e punimeve të instrumenteve frymore dhe Teknologjia e interpretimit (luajtjes) së instrumenteve frymore. Këtë të dytën pakkush e ka prekur, pasi edhe ata që janë marrë me të nuk e kanë njohur organikisht instrumente (luajtur) e unë e njohës edhe këtë aspekt", ka pohuar ai. Ndërsa krijimi i këngëve dhe kompozimi i tyre është një 'zanat' që ai e ka nisur moti. Përveç këngëve që tashme dihet se ai i ka krijuar për këngëtarët të mëdhenj, ai ka në dosjet e tij edhe shumë prej krijimeve, në partitura, diku 19 të painterpretuara më parë. 

Image

(Kosova Sot)