Sahitaj:Të dënosh një mafioz politik me 5 vjet burg e të mos ia konfiskosh milionat e fituar në kurriz të popullit, ai nuk është dënim!

  • 29 June 2017 - 13:28
Sahitaj:Të dënosh një mafioz politik me 5 vjet burg e të mos ia konfiskosh milionat e fituar në kurriz të popullit, ai nuk është dënim!

Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se vënia para drejtësisë së 'peshqve të mëdhenj' është kërkuar kaherë, mirëpo gjer më tani ishin vetëm deklarata të thata. "Për ndërkombëtarët sigurimi i provave nuk ka qenë problematik, por gjatë këtyre hetimeve kanë hasur në vështirësi në sigurimin e dëshmitarëve, e në këtë proces ka pasur dëshmitarë gënjeshtar që për inate personale apo duke u nisur nga thashethemet kanë dëshmuar rrejshëm dhe ka pasur dëshmi tarë të cilët kanë dëshmuar, por kur është kërkuar që të dalin në gjyq e të përballen me akuzuesin shumica e tyre nuk kanë pranuar", është shprehur për "Kosova Sot" Sahitaj.

Sipas Sahitajt, një pjesë e dëshmitarëve ende ka frikë të përballet në gjyq me akuzuesin, një pjesë tjetër e dëshmitarëve është likuiduar fizikisht nga kundërshtarët e tyre, por ekzistojnë dëshmitarë të gatshëm të përballen. "Andaj, Gjykata Speciale nuk duhet konsideruar si shpëtimtare nga grupet mafio-politike, por këto grupe do të reduktohen konsiderueshëm në të ardhmen e jo të asgjësohen komplet, duke pasur parasysh faktin e zhdukjeve të disa dëshmitarëve dhe frikën e disa tjerëve, të cilët mendojnë më mirë të heshtin sesa të dëshmojnë. Pa dëshmitarë të mirëfilltë nuk duhet të presim që Gjykata Speciale të na bëjë mrekulli", tha Reshat Sahitaj për "Kosova Sot". Ai thotë se Kosova do të përparonte vetëm kur të ekzistojë vullneti i mirë i qytetarëve tanë të dëshmojnë kundër akteve të paligjshme. "Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka aspak njohuri se si 'Devollit' iu dhanë 300 mijë numra falas vite me radhë, e ata që dinë nuk mund të dëshmojnë, sepse janë pjesë e rrjetit të njëjtë mafioz politik. Shteti ynë duhet të krijojë mekanizma specialë që merren me abuzime të tilla, e jo të krijohen OJQ, siç e bëri Atifete Jahjaga, gjoja për ta luftuar korrupsionin", ka potencuar Sahitaj. Të dënosh një mafioz politik me pesë vjet burg e të mos ia konfiskosh milionat e fituar në kurriz të popullit ai nuk është dënim", tha Reshat Sahitaj

(Kosova Sot)