Raporti i DASH: Kosova vend burim dhe destinacion për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore

  • 29 June 2017 - 14:35
Raporti i DASH: Kosova vend burim dhe destinacion për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore

Për KOMF mbetet shumë shqetësues numri i lartë i viktimave të trafikimit fëmijë, ku nga 36 rastet e identifikuara gjatë vitit 2016, 18 prej tyre janë fëmijë.

Sipas raportit të DASH, Qeveria e Kosovës nuk përmbush nivelin minimal të standardeve për eleminimin e trafikimit duke vazhduar të mbetet në nivelin 2.

Qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në fushat kyçe. Qeveria shkurtoi fondet për strehimoret e OJQ-ve, të cilat strehojnë viktima të trafikimit.

Gjykatësit shqiptuan dënime të buta ndaj trafikantëve të dënuar dhe prokurorët vazhduan t'i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla.

“Raporti rekomandon hetimin, ndjekjen, dënimin e trafikantëve dhe të zyrtarëve të përfshirë si dhe dhënien e dënimeve më të rrepta, përfshirë edhe burgosjen. Emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve të posaçëm që do të merren me rastet e trafikimit dhe sigurimin e trajnimit të zyrtarëve për hetimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve; Sigurimin e financimit për strehimoret e udhëhequra nga OJQ-të. Rritjen e përpjekjeve të zyrave të mirëqenies sociale në bashkëpunim me policinë, për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët që i nënshtrohen kërkimlëmoshës së detyruar; Standartizimin e të dhënave, krijimin e një bazë të dhënash që grumbullon statistika për trafikimin dhe dënimet e lidhura me trafikimin; Zbatimin e plotë të dispozitave për kompensimi e viktimave etj.

KOMF në vazhdimësi ka alarmuar për gjendjen e rëndë të financimit të shërbimeve sociale, përfshirë gjendjen e rëndë të strehimoreve për strehimin e viktimave të trafikimit në Kosovë si pasojë e mungesës së një mekanizmi të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale. Shërbimet që janë pjesë e sektorit jo-qeveritar po ballafaqohen me sigurimin ekzistencial apo qëndrueshmërinë financiare duke rrezikuar mbylljen e shërbimeve për fëmijë.

Në situatën e rëndë në të cilën ndodhen shërbimet sociale, ku akoma nuk është krijuar plani për financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale nga MPMS, MEF dhe Komunat, KOMF rekomandon që të intervenohet nga të dy nivelet: qëndror dhe komunal (MPMS dhe Komunat) deri në sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme të financimit të shërbimeve sociale.

Si zgjidhje për problemin e financimit të shërbimeve sociale raporti rekomandon krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale.

KOMF bën thirrje drejt institucioneve përgjegjëse që të marrin veprime konkrete për të adresuar të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga raporti i DASH”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

(Kosova Sot)