Drejtësia në Kosovë duhet ribërë nga e para - Lajme - Kosova Sot
Drejtėsia nė Kosovė duhet ribėrė nga e para

Drejtėsia nė Kosovė duhet ribėrė nga e para

NJË GJENERATË E RE E JURISTËVE DUHET T'I ZËVENDËSOJË TË INKRIMINUARIT E TË KORRUPTUARIT E DREJTËSISË

"Përzgjedhja e prokurorëve e gjyqtarëve do të duhej bërë në mënyrë të meritokracisë dhe në bazë të aftësive dhe pa interferim dhe ndikim nga mafiopolitika dhe mafio-oligarkia e korruptuar dhe e inkriminuar, e që tashmë fatkeqësisht është e shtrirë gjithandej në gjykata dhe prokurori, papërjashtimisht edhe në KGJK, KPK, gjithashtu edhe në ekzekutiv e legjislativ, e që e kanë kapur shtetin. Kësisoj nuk po lihet të krijohet dhe të forcohet shteti i së drejtës me sundim të rendit dhe ligjit", është shprehur analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Kosovës i duhet të krijojë një gjeneratë të re të prokurorëve e gjyqtarëve të painkriminuar

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se mbetet për të shpresuar në klasën e re politike dhe në parlamentin e ri, që do të veprohej në sjelljen e ligjit të ri, pra ligjit të 'Vetting'-ut, por mbase edhe duke bërë qoftë dhe ndryshime të vogla kushtetuese për t'i hapur rrugë kështu një sistemi të ri të drejtësisë dhe të reformuar që nga baza e tij, ngase, sipas tyre, është imperativ i domosdoshëm për Kosovën një sistem drejtësie me fuqizimin e shtetit të së drejtës, të shëndoshë, të pavarur dhe në sundim të ligjit dhe të drejtës. Por, kush do të mund ta bënte këtë punë larg korrupsionit e krimit të organizuar në institucionet e vendit, por si duket në fakt këtë sot vërtet nuk ka kush ta bëjë! Ndaj së këndejmi është shtruar edhe çështja se a është e vetmja mënyrë që të kopjojmë e veprojmë shpejt përmes parlamentit të ri duke aprovuar ligjin e 'Vetting'- ut , si në Shqipëri, i cili tanimë është i gatshëm dhe brenda 5- 6 muajve të fillojmë implementimin e tij të fuqishëm për të bërë republikën tonë edhe demokratike të qytetarëve, ku sundon ligji dhe kushtetuta e jo sulltanët sundues e kërcënues, si të ishim në mesjetë.

Image

Kelmendi: Mafio-oligarkia e korruptuar, e shtrirë gjithandej në institucione

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se realisht mund të thuhet se vërtet Kosovës i duhet të krijojë një gjeneratë të re të prokurorëve e gjyqtarëve të painkriminuar, të shkolluar dhe të aftë, po ashtu me etikë e integritet profesional, ku kësisoj do të mund t'i zëvendësonin të gjithë të inkriminuarit e të korruptuarit ekzistues në sistemin e degraduar të drejtësisë. "Realisht përzgjedhja e tyre do të duhej bërë në mënyrë të meritokracisë dhe në bazë të aftësive dhe pa interferim dhe ndikim nga mafio-politika dhe mafio-oligarkia e korruptuar dhe e inkriminuar, e që tashmë fatkeqësisht është e shtrirë gjithandej në gjykata dhe prokurori, papërjashtimisht edhe në KGJK, KPK, gjithashtu edhe në ekzekutiv e legjislativ, e që e kanë kapur shtetin. Kësisoj nuk po lihet të krijohet dhe të forcohet shteti i së drejtës me sundim të rendit dhe ligjit. Por, mbetet për të shpresuar në klasën e re politike dhe në parlamentin e ri që do të veprohej në sjelljen e ligjit të ri, pra ligjit të 'Vetting'-ut, mbase dhe duke bërë qoftë dhe ndryshime të vogla kushtetuese për t'i hapur rrugë kështu një sistemi të ri të drejtësisë dhe të reformuar që nga baza e tij, njëlloj sikur është vepruar edhe në Shqipëri, duke e aprovuar ligjin e 'Vetting'-ut, dhe për ta implementuar atë fuqishëm në republikën tonë, që në këtë vend të sundojë rendi, ligji dhe kushtetuta e jo edhe më tutje kemi mbetur të sunduar nga (jo)ligjësia dhe mafio-oligarkët e të inkriminuarit politikë dhe ndikimet e tyre në sistemin e drejtë- sisë", shprehet Kelmendi. Ai thotë se është imperativ i domosdoshëm për Kosovën një sistem drejtësie me fuqizimin e shtetit të së drejtës, të shëndoshë, të pavarur dhe në sundim të ligjit dhe të drejtës. 

Baraliu: Emërime pa interferime politike

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se gjithsesi që përtërirja kadrovike dhe përmbushja e nevojave krahas shtimit të lëndëve, shtimit të problemeve dhe shtimit të banorëve të republikës, do të duhej që edhe të shtohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të gjithë bartësve të sistemit të drejtësisë. "Por, për këtë si parakusht kryesor do të duhej të kemi parasysh ngritjen e kritereve të vlerësimit në arsimin e lartë, pra nëpër fakultete, dhe fjala është për fakultetet juridike dhe gjithandej, pastaj në të gjitha hallkat e arsimimit të ketë kritere të tjera dukshëm më të avancuara dhe më të ashpra, pse jo më rigoroze në kuptimin e ngritjes më të fuqishme kadrovike të bazës kadrovike të njerëzve, të cilët do të punojnë në sistemin e drejtësisë", është shprehur Baraliu. Ai thotë se duhet bërë reformna edhe në vlerësimin e komisionit të jurisprudencës dhe në vlerësime e trajnime të tjera për të bërë përgatitje të kuadrove të shëndosha dhe të afta që t'u bëjnë ballë të gjitha sfidave dhe kërkesave të kohës e sa u përket lëndëve të ndryshme në gjyqësi. Ndërkaq, për të ndërruar legjislacionin Baraliu thotë se sigurisht se ndoshta ka nevojë që edhe ligjet përkatëse të ndryshohen në mënyrë siç tha "që të ketë po ashtu kritere të kandidimit, vlerësimit dhe përzgjedhje të atyre punonjësve të drejtësisë dhe të mos ketë interferime politike nga jashtë.

Spahiu: Arsimi në Kosovë, burimi kryesor i fatkeqësisë së shoqërisë sonë

Profesori tjetër universitar, Nexhmedin Spahiu, mendon se është e vështirë që kjo të ndodhë për shkakun e degradimit të arsimit në Kosovë, i cili është burimi kryesor i fatkeqësisë së shoqërisë sonë, ngase, sipas tij, arsimimi ynë, sidomos i juristëve nuk ofron një gjeneratë të shëndoshë të tyre. "Edhe në kohën, kur unë kam studiuar fakultet, ku janë bërë dallaveret më të mëdha dhe ku ke pasur mundësi që të kalosh më së lehti ka qenë fakulteti juridik, dhe më vështirë ka qenë ta përfundosh fakultetin e fizkulturës e çdo fakultet tjetër sesa atë juridik, pasi është konsideruar si fakulteti ku mund të kalosh më së lehti. Po ashtu me të njohshëm kjo traditë ka vazhduar edhe sot e kësaj dite, kur sheh juristë të dobët, që prodhohen me tonelata nuk mundesh pastaj ta furnizosh shëndetshëm sistemin e drejtësisë me gjykatës dhe prokurorë, kështu që reformimi i sistemit të drejtësisë nënkupton së pari reformimin e sistemit arsimor dhe këndelljen e këtij sistemi në këmbë të shëndosha dhe tek pastaj futjen e gjykatësve dhe prokurorëve të rinj në sistem", është shprehur Spahiu. Avokati Tomë Gashi shprehet se është e vërtetë dhe nuk duhet të fshihet se tanimë veç janë krijuar kuadro të reja, të cilat nuk kanë punuar para luftës, por janë krejtësisht të rinj si nga mosha ashtu edhe me përvojë të rinj, ku në mesin e tyre siç tha ka edhe prokurorë dhe gjyqtarë shumë kualitativë por që po ashtu ka edhe të tillë që nuk e meritojnë që të jenë aty. "Sido që të jetë, asgjë nuk mund të thuhet në përgjithësi, pasi ka çështje individuale dhe juristët e rinj nëse kanë vullnet me siguri do të arrijnë aty ku e kanë cakun që të jenë gjyqtarë dhe prokurorë, por nëse kanë mbështetjen politike të partive të fuqishme, atëherë synimet e tyre do të jenë shumë më lehtë të realizueshme. Por, pavarësisht kësaj, duhet që ne faktikisht të besojmë se edhe ata që nuk kanë ndonjë përkrahje të veçantë politike, me angazhimin e tyre dhe me zellshmërinë e aftësitë e tyre nëse i kanë të njëjtit mund fare lehtë të bëhen gjyqtar dhe prokuror", deklaroi për gazetën "Kosova Sot"  avokati Tomë Gashi.
 

(Kosova Sot)  

10 orë e 46 minuta më parë