Mafio-politikanët, bosët e kompanive të derivateve të naftës

  • 17 July 2017 - 07:53
Mafio-politikanët, bosët e kompanive të derivateve të naftës

PROKURORIA BËN SEHIR PËRBALLË KRIMIT EKONOMIK

Rrudhani: Pronarë të arit të zi janë njerëz nga Presidenca, ekzekutivi, legjislativi dhe Prokuroria e Kosovës

Është për t'u habitur se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës që nga paslufta e deri më sot nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se janë disa figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, të cilët qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të shitjes së derivateve të naftës në Kosovë. Ndonëse kjo dihet botërisht, Prokuroria e Shtetit po hesht, ngase burime nga terreni flasin se shumë nga këto biznese të afërta me politikanët për çdo vit ndaras, që nga paslufta e deri më sot po sjellin në Kosovë secila me nga 5 000 cisterna ose nga 150 milionë litra derivate nafte dhe benzine me nga një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro. Prokuroria e Shtetit as pas dy ditësh nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës lidhur me çështjen e shtruar. Kurse analistët e ekonomisë thonë se në Kosovë shumë nga kompanitë e derivateve të naftës i kanë bashkë-aksionarë gjegjësisht pronarë të vërtetë dhe shefa politikanët e nivelit të lartë dhe edhe pse 18 vjet pas luftës, ata vazhdojnë të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të përfitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro. Kjo ngase, sipas tyre, këta politikanë janë duke e kontrolluar dhe duke e mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar, por me kontrabandë të derivateve dhe pa të si t'ua do zemra e xhepi dhe kontot e mbushura bankare në vend dhe sidomos jashtë vendit.

Image

Shahini: "Tregu i derivateve të naftës te ne, një treg mbi 50 për qind i pakontrolluar"

Kreu i AKB-së, Agim Shahini, u shpreh për "Kosova Sot" se tregu i derivateve të naftës në Kosovë është një treg mbi 50 për qind i pakontrolluar, për arsye se po aq janë edhe pa arka fiskale dhe ky produkt kaq i shtrenjtë e me akcizë kaq të lartë e me taksa shtesë të larta është një nga produktet që kontrabandohet më së shumti në Kosovë dhe, sipas tij, ajo nuk vjen vetëm nga Veriu i Kosovës, por edhe nga pikat e tjera doganore, të cilat shpesh këto derivate importohen si produkte të ndryshme me qëllimin e vetëm për t'u ikur akcizave të ndryshme. Ai thotë se shteti dhe institucionet më të larta të shtetit duhet që të merren seriozisht me këtë rregullim të tregut të derivateve, duke mos bërë përjashtime dhe duke i futur të gjithë në një treg formal dhe duke u dhënë mundësi që në tregun vendor do të jenë të gjithë të barabartë, sepse kështu do të rritet edhe buxheti i shtetit edhe do të jetë një treg më i kontrolluar. "Vetë licencat, të cilat një kohë kanë qenë të limituara, këtij tregu i kanë dhënë ngjyrë monopoliste", është shprehur Shahini, duke shtuar se institucionet e shtetit të Kosovës duhet që urgjentisht ta rregullojnë këtë treg, duke e vënë nën kontroll të rreptë në tërë territorin e Kosovës. 

Rudhani: "Prokuroria, mbrojtja e figurave të larta politike dhe bizneseve të tyre"

Analisti Florim Rudhani theksoi se figura të larta të politikë-bërjes në Kosovë, kur akuzohen, përgjigjja e tyre është e thjeshtë, depononi akuzat në Prokurorinë e Kosovës. "Kur ata deklarojnë, shtrohet pyetja pse nuk aktivizohet prokuroria dhe përgjigjja vjen, sepse prokuroria është mbrojtja e këtyre figurave të larta dhe bizneseve të tyre, të cilët njëkohësisht bëjnë edhe shpëlarje të parave që bëjnë përmes kompanive të mëdha të naftës në Kosovë. "Ato ndaras sjellin për çdo vit kah 5000 mijë cisterna naftë ose 150 milionë litra naftë e benzinë që kap shifrën e 200 milionë euro. Në këtë shumë qarkulluese është e pamundur të mos jenë figura të larta të politikës që mos të jenë të involvuara. Nuk duhet të mendojmë që pozita, opozita, prokuroria nuk janë në dijeni, sepse do të ishte ofendim për inteligjencën e tyre në radhë të parë, e pastaj të inteligjencës së popullit të Kosovës", është shprehur ai. Sipas Rudhanit, pronarë për arin e zi është Presidenca, ekzekutivi, legjislativi dhe Prokuroria e Kosovës. "Këta janë aksionarët e vërtetë të arit të zi, të cilët po sundojnë, qarkullimi i arit të zi sillet brenda viti 1 miliard euro dhe ku këta përfitojnë nga 200 milionë euro në vit. Përgjegjësia duhet të kërkohet në institucionet publike, sepse ata janë pronarët e vërtetë të arit të zi të Kosovës", është shprehur Rrudhani. 

Image

Badallaj: Me fajin e banditëve të shtetit dhe politikës po lulëzon krimi

Analisti Reshat Badallaj theksoi për "Kosova Sot" se me fajin e banditëve të majave të shtetit dhe kryebanditëve të bandave politike po lulëzon krimi në dëm të Kosovës. "Këta matrapazë dhe pronarë të paligjshëm janë të lidhur ngushtë me doganat dhe me bandat serbiane. Përse e them këtë? Si ka mundësi, që këto cisterna të hyjnë, pjesa më e madhe nga Serbia dhe të mos doganohen. Në këtë krim shtetëror kanë hise përpos banditëve të majave të shtetit edhe kryebanditët e bandave politike dhe në qoftë se nuk është kështu le të dalin publikisht dhe të thonë se kush janë pronarët e vërtetë të tyre dhe do të shohim se kush fshihet prapa shpinës se tyre", është shprehur ai. Shton se publikisht dihet se po futen 5000 cisterna të arit të zi dhe vetëm një Zot e di se sa cisterna të tjera futen ilegalisht nga kanalet mafioze të nëntokës. "Nga ky krim ekonomik që po e shkatërron vendin pa dyshim që nga paslufta janë kryekriminelët e majave të larta të shtetit, që nuk kishin pasur si thotë populli asnjë trohë gjynah. Nuk u ngopën banditët, duke plaçkitur shtetin e duke u pasuruar paligjshëm dhe duke bartur pasurinë në vende të huaja. Këta banditë, që po e shkatërrojnë vendin, e kanë kapur prokurorinë dhe kanë lëshuar rrjetin tamam si të merimangës, duke e kontrolluar çdo interes të tregut. Këta banditë, këta hajna dhe shkatërrues të ekonomisë së Kosovës, veprojnë shumë hajnisht sipas thënies: "Të kapësh mashën, nuk i djegim duart". Pra, shefat e kompanive vjelin hajnisht shtetin dhe ndajnë hisen, por kryebanditët me xhepa të fryrë dhe me konto të mbushura me thasë janë vagabondët e majave të shtetit", është shprehur Badallaj. Tutje ai ka shtuar: "Pa dyshim se hise në këtë krim ekonomik të organizuar nga kriminelët kanë hise edhe sahanlëpirësit, puthadorët e prokurorisë, sepse si ka mundësi të mos hetohet ky krim ekonomik që po shkatërron vendin deri në palcë. Por, nejse, ngase prokurorët e instaluar nga këta banditë dhe kryebanditë kanë "të drejtë", sepse ata po e ndajnë kulaçin me ta dhe po pasurohen turpshëm. Për të kapur këta banditë dhe për t'i burgosur është krejt kollaj, le të bëhet një llogari se sa miliona litra derivate po futen në Kosovë të arit të zi, fjalën e kam publikisht, se të tjerat që futen ilegalisht vetëm banditët e dinë, se sa është shuma e tyre dhe sa paguhen për shtetin", shprehet ai. Sipas Badallajt, paratë po shkojnë në kontot e fryra të këtyre banditëve, rrënues të shtetit. Grapci: Nafta jocilësore e me ujë, virus për veturat Dardan Grapci theksoi për "Kosova Sot" se është fakt që në Kosovë po mbizotëron qarkullimi i naftës me cisterna, por problemi kryesor është që edhe kur i sjellin këto kompani me pronarët e tyre realë, e përziejnë naftën me ujë, që është një veprim fatal dhe është një virus për veturat, kamionët dhe autobusët që marrin nonstop naftë tek ato kompani, që ata mendojnë se gjoja i kanë derivatet me një kualitet. "Duhet të kuptojmë që në Kosovë duhet të ketë qarkullim të derivateve të naftës, por mënyra se si po e sjellin dhe po e kontrabandojnë këto kompani, që kanë qarkullim shumë të madh në treg, është fatale për buxhetin e shtetit". Ai vlerëson se këta pronarë me këtë monopol të derivateve të naftës madje janë forcuar aq shumë, saqë deri-diku po e kontrollojnë edhe shtetin. Sipas Grapcit, nuk duhet që të habitemi se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës që nga paslufta e deri më sot nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë se kush po qëndron prapa këtyre kompanive të mëdha të derivateve. Ai thotë se gati të gjithë në Kosovë e dinë se prapa këtyre kompanive të mëdha, që bëjnë kontrabandë me derivate nafte qëndrojnë figura të larta politike dhe shtetërore qofshin ata të pozitës apo edhe të opozitës, të cilët qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të shitjes së derivateve të naftës në Kosovë

Kaçaniku: Gjysma e pompave të derivateve shërbejnë për pastrime parash

Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') theksoi për "Kosova Sot" se "Konsumatori" vazhdimisht e ka ngritur zërin për veprimet kriminale dhe rrjetin kriminal në importin, distribuimin, kontrollin e fiskalitetin e tregtisë me karburantet e naftës. "Lidhshmërinë e kreut të shtetit e të politikanëve me këtë biznes e kemi dëshmuar edhe me: dhënien e lejeve e pozicionimin e pompave: Në vetëm 10 km gjatësi rrugore janë mbi 10 pompa. Edhe në diagonale - rrugën e tërthortë po aq. Meqë numrin dhe pozicionimin e pompave standardi rrugor e rregullon ndryshe, logjikisht del se nuk ka punë për të gjitha pompat, afro 800 sosh. Ndaj, imponohet dyshimi se mbi 50 për qind e pompave të derivateve të naftës shërbejnë për pastrim parash. Ai shtoi se edhe 18 vite pas luftës lejohet gjendje kaotike në fiskalizimin e pompave dhe legalizimin nga shteti "i shpëlarjes së parave". Shton se sot mbi 30 për qind e pompave nuk kanë arka fiskale. "Shumica prej tyre nuk i japin qytetarit konsumator taksapagues kuponë fiskalë. Qeveria, MF-ja e ATK-ja nuk i rimbursonin kuponët fiskalë. Edhe sot e kemi aktual importin e afro 1 milion litrave naftë të cilësisë së dyshimtë. Shteti kurrë nuk ka shprehur interesim për ta rregulluar këtë sektor ekonomik, siç nuk ka shprehur interesim as në sektorët e tjerë. Jo, ndoshta për mungesë ideje, ose mandati, por për implikime interesash grupore në interesit e shtetit - që është, thënë butë, konflikt interesi dhe keqpërdorim i informatave zyrtare", është shprehur ai. Shton se as 1 për qind e sasisë së tërësishme të karburanteve të importuara nuk i nënshtrohen kontrollit të cilësisë. "Përkundër faktit se 1/3 buxhetit vjetor të Kosovës mbushet nga tregtia me derivate të naftës, çuditërisht, shteti "lejon" që mbi 20 për qind e sasisë, kryesisht e cilësisë së dobët, ndotëse e mjedisit dhe kanceroze për shëndetin e qytetarit konsumator taksapagues, të kontrabandohet, edhe me mjete të hekurudhës", vlerëson Kaçaniku. Rrudhani është i mendimit se Kosova është super kontrolluar nga banda politike të Kosovës, ndërsa kompanitë e ndershme, të cilat kanë pasur dëshirë që të investojnë janë përzënë nga figura të larta të politikës në Kosovë, që të mos cenohet monopoli ekonomik i ndërtuar nga kjo klasë politike, për interesa të tyre financiare, personale, por në dëm të të mirave të përgjithshme sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës
 

(Kosova Sot)