Baraliu: Emërimet në drejtësi të bëhen pa interferime politike

  • 17 July 2017 - 14:24
Baraliu: Emërimet në drejtësi të bëhen pa interferime politike

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se gjithsesi që përtërirja kadrovike dhe përmbushja e nevojave krahas shtimit të lëndëve, shtimit të problemeve dhe shtimit të banorëve të republikës, do të duhej që edhe të shtohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të gjithë bartësve të sistemit të drejtësisë. “Por, për këtë si parakusht kryesor do të duhej të kemi parasysh ngritjen e kritereve të vlerësimit në arsimin e lartë, pra nëpër fakultete, dhe fjala është për fakultetet juridike dhe gjithandej, pastaj në të gjitha hallkat e arsimimit të ketë kritere të tjera dukshëm më të avancuara dhe më të ashpra, pse jo më rigoroze në kuptimin e ngritjes më të fuqishme kadrovike të bazës kadrovike të njerëzve, të cilët do të punojnë në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Baraliu. Ai thotë se duhet bërë reformna edhe në vlerësimin e komisionit të jurisprudencës dhe në vlerësime e trajnime të tjera për të bërë përgatitje të kuadrove të shëndosha dhe të afta që t’u bëjnë ballë të gjitha sfidave dhe kërkesave të kohës e sa u përket lëndëve të ndryshme në gjyqësi. Ndërkaq, për të ndërruar legjislacionin Baraliu thotë se sigurisht se ndoshta ka nevojë që edhe ligjet përkatëse të ndryshohen në mënyrë siç tha “që të ketë po ashtu kritere të kandidimit, vlerësimit dhe përzgjedhje të atyre punonjësve të drejtësisë dhe të mos ketë interferime politike nga jashtë.

 “Njerëzit e drejtësisë duhet të zgjidhen në bazë të vlerave, meritave dhe përgjegjësisë që tregojnë në punë, përvojës e dijes. Kësisoj do të kemi më pak lëndë të pazgjidhura dhe më pak probleme në sistemin e drejtësisë dhe të gjyqësisë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)