ASHNA’ja blen televizor 10 mijë euro që s’dihet për çka përdoret

  • 17 July 2017 - 20:38
ASHNA’ja blen televizor 10 mijë euro që s’dihet për çka përdoret

9.717 euro është çmimi që ka paguar Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror për këtë lloj televizori.

Më 20 prill të këtij viti, kjo Agjenci shpalli tenderin për furnizim me TV LED, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 8 mijë eurosh.

Tre operatorë ekonomikë dhanë ofertat e tyre, por vetëm njëri u vlerësua si i përgjegjshëm, e i cili kishte ofruar çmimin prej gati 2 mijë eurosh më shumë se sa vlera e paraparë.

Më 28 qershor, “EOR Group SHPK” nënshkroi kontratën me ASHNA’në.

Kjo kompani është regjistruar në dhjetorin e vitit të kaluar dhe bazuar në informacionet që ka dhënë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, merret me një sërë veprimtarish, që nga këshillat për biznese, e deri te tregtimi dhe ndërmjetësimi për shitjen e mallrave të shumëllojshme.

KTV’ja ka kërkuar sqarim në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror se për çfarë është i destinuar ky televizor, por ata nuk na kanë dhënë sqarime, përveç faktit që na kanë dërguar linkun e KRPP’së, në të cilin janë të paraqitura specifikat që Televizori duhet t’i ketë.

Agjencia ka kërkuar që ai të jetë 85 inç pa e specifikuar brendin e tij, por ka kërkuar që sistemi operativ të jetë Android.

Kohavisioni ka kërkuar për një TV LED 85’, në dy prej dyqaneve me të mëdha që merren me shitjen e pajisjeve teknologjike, por në asnjërin nga to nuk kemi gjetur një televizor të tillë.

Në fakt, në njërën prej tyre na kanë konfirmuar se kanë pasur një TV LED të brendit LG, 86 inçësh, por që i është shitur një zyrtari të Aeroportit të Prishtinës, dhe çmimi ka qenë afërsisht rreth 10 mijë euro.

Edhe burime të KTV’së brenda ASHNA’së, bëjnë të ditur se TV LED’i që ata blenë, e i cili është vendosur në zyrën e takimeve në Kontrollin Ajrorë, është LG -86 inçësh.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe Shpresa Veliun, e cila ka sjellë në ASHNA, këtë televizor dhe na ka konfirmuar se ai është blerë në dyqanet e “Neptunit”.

Sidoqoftë, bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës, Operatori Ekonomik nuk ka ofruar fare garanci, pasi kontrata përfundon më 28 korrik 2017

(Kosova Sot)