"Çdo gjë dridhej sikur të gjendeshim në ndonjë barkë"

  • 23 July 2017 - 19:38

Naomi Ruddock ishte në pushime në Kos të Greqisë, me nënën Eleanor, në momentin kur ndodhi tërmeti  

Një studente universitare britanike, dhe nëna e saj, ishin dëshmitare të tërmetit në Kos të Greqisë. Ato tregojnë sesi ishin zgjuar në dhomën e tyre të hotelit, derisa çdo gjë rreth tyre lëvizte: muret, tavani dhe çdo gjë tjetër. 

Interneti dhe rryma elektrike ishin ndërprerë

Naomi Ruddock, 22 vjeçe, studentenga Brajtoni, thotë: 'Çdo gjë dridhej dhe na dukej sikur gjendeshim në ndonjë kolovajzë, apo barkë". Ajo tregon se reagimi i tyre i parë ishte përqafimi i njëra-tjetrës. "Nëna thoshte se duhej të largoheshim, por unë nuk pranoja, meqë isha e përgjumur dhe nuk dija çka ishte duke ndodhur. Pasi u kthjella paksa, pranova që të largoheshim. Patëm fat që nuk u lënduam". Naomi dhe e ëma e saj Eleanor qëndruan rreth një orë para hotelit të tyre në bregdet, në qytetin Kos, para se të vendosnin që të ktheheshin përsëri brenda. Interneti dhe rryma elektrike ishin ndërprerë, prandaj në fillim nuk dihej çka kishte ndodhur. Për fat, Naomi kishte aq valë në celularin e saj, sa që ta merrte vesh se kishte ndodhur një tërmet në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. 

Ishin në ditën e dhjetë të pushimeve të tyre

E ëma e saj, zonja Ruddock, të cilës i kishte vdekur papritmas burri tetorin e kaluar, thotë se kishin vendosur që të shkonin në pushime së bashku me të bijën, para se Naomi të diplomonte nga universiteti, javën e ardhshme. Ëmë e bijë ishin në ditën e dhjetë të pushimeve të tyre në Kos, kur ndodhi tërmeti. Ato janë nga Londra dhe nuk kanë anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë. Thuhet që tërmeti të ketë qenë i shkallës 6.7 dhe të kishte prekur qytetin jugor turk të Bodrumit dhe qytetin grek Kos, zona të pëlqyera këto nga turistët britanikë. 

(Kosova Sot)