Shqiptarët kishin paguar nga 10 mijë paund për të kaluar drejt Britanisë

  • 23 July 2017 - 23:20
Shqiptarët kishin paguar nga 10 mijë paund për të kaluar drejt Britanisë

Një gjykatë në Francë dënoi të premten (21 korrik 2017) me 2.5 vjet burg pilotin britanik dhe bashkëpunëtorin e tij, të cilët u kapën në flagrancë gjatë tentativës për të trafikuar me avion privat katër shtetas shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.

Sipas hetimeve, ata u kishin marrë nga 10.000 paund secilit për të kaluar kufirin.

I regjistruar si rasti i parë i trafikimit të klandestinëve përmes ajrit, David Green, 54 vjeç dhe Edward Buckley 46 vjeç, dyshohet të jenë pjesë e një grupi të zgjeruar trafikantësh anglezë


Të dy u arrestuan të hënën në një aeroport në Marck, pranë  qytet-portit të Calais teksa po bëheshin gati të niseshin me avionin Cessna dhe 4 shqiptarët në bord.

Green, një arkitekt profesional dhe Buckley, një marangoz, u gjetën fajtorë për “ndihmën e lëvizjes së emigrantëve të paligjshëm si pjesë e një bandë të organizuar”.

Dy britanikë gjithashtu u është ndaluar hyrja në Francë për të paktën 5 vjet, ndërsa avionic është konfiskuar.

Green është një pilot amator veteran, i cili e ktheu hobin e tij në një biznes fitimprurës, duke kërkuar “dhjetë mijë paund për çdo udhëtar”, bëri me dije zëdhënësi i  prokurorisë.

Çifti kishin organizuar të paktën pesë fluturime që nga muaji prill, ndërkohë që në aeroportin e përdorur ka pasur fluturime të tjera të regjistruara prej tyre.

 Prokurorja Raphaelle Wach kishte kërkuar tre vjet e gjysmë burg për secilin të pandehur dhe gjobën prej 45,000 paund secili.

“Ata u tërhoqën nga fitime të mëdha”, tha zonja Wach.

“Është e papranueshme të kërkohen shuma të tilla të larta në mënyrë, duke përfituar nga mjerimi i njerëzve të tjerë”.

Nga ana tjetër, Emmanuelle Osmont, avokatja e Buckley, tha se klienti i saj dhe piloti nuk kishin  “shfrytëzuar mjerimin” sepse klientët e tyre ishin shqiptarë të klasës së mesme, të cilët kishin “para”.

Mes katër emigrantëve shqiptarë ishte dhe një nënë me fëmijën e saj, të cilët u dërguan në spital për kontroll dhe nga aty u zhdukën në drejtim të paditur. Policia vijon të jetë në kërkim të tyre.

Ndërkohë dy shqiptarët e tjerë, një burrë dhe një grua, vijojnë të jenë në paraburgim në Coquelles.

Hetimet për rastin vijojnë.

(Kosova Sot)