VV-ja e Kurtit si partia komuniste e Fidel Kastros

  • 24 July 2017 - 07:44
VV-ja e Kurtit si partia komuniste e Fidel Kastros

ATA QË NUK I DËGJOJNË PESË SHEFAT E "VETËVENDOSJES" SHPALLEN TRADHTARË!

Zeqa: E vetmja gjë që ka mbetur ende e pandryshuar në VV është imitimi i Albin Kurtit nga aktivistët e saj

"Pjesëtarët e VV-së, si në Korenë e Kim il Sunit, vetëm nëse provojnë të bëhen të padëgjueshëm dhe nuk u nënshtrohen plotësisht pesë shefave të tyre, ata nga VV, për kaq punë mund të shpallen tradhtarë partie, linçohen në të gjitha format dhe kërcënohen për t'u tërhequr zvarrë. Kohët e fundit jemi dëshmitarë se me udhëzimet apo miratimin e Albin Kurtit, një grup jo i vogël nga VV, me përjashtim të islamistëve radikalë, shajnë e fyejnë brutalisht gjithë të tjerët dhe në të gjitha anët kërcënojnë edhe me vdekje, majtas e djathtas, siç u kërcënua këto ditë edhe veprimtari i mirënjohur Reshat Sahitaj për një shkrim autorial në "Kosova Sot" ", është shprehur analisti Gani Qarri
Ndonëse ka kaluar tani në mandatin e tretë të jetës parlamentare, subjekti politik 'Vetëvendosje', sipas analistëve politikë, po vazhdon të mbetet një nga subjektet më të pareformuara dhe pazhvilluara në frymën e demokracisë pluraliste, ngase që nga fillimi i jetës politike institucionale vetëm sa ka lëvizur prapa në demokraci dhe në vend të kultivimit të frymës së bashkëpunimit e të tolerancës politike e qytetare, po shndërrohet në një parti të tipit të Fidel Kastros, ku të gjithë ata që nuk i dëgjojnë shefat e VV-së "shpallen tradhtarë" dhe të tillët, sipas mentalitetit politik të VV-së, duhet linçuar në të gjitha format, edhe duke i ngrehur zvarrë!!!? Analistët politikë konsiderojnë se do të ishte shumë e rrezikshme që shteti të udhëhiqet nga një mentalitet i tillë politik, si në nivelin komunal, siç ishte rasti me Shpend Jahtin në Prishtinë, i cili sapo mori pushtetin nuk la gurë pa lëvizur në kërkim "të hises nga krimi" e jo për mirëqenie të qytetarit dhe zhvillimin e projektet e tyre zhvillimore, por duke dhënë e shitur tenderë, leje ndërtimore e shumëçka tjetër, dhe duke bërë "pazare" e shëtitur nëpër jahte të vëllezërve te inkriminuar "Devolli", e deri te niveli qendror ku kanë paralajmëruar se posa të vijnë në pushtet do të ngrehin zhag-zvarrë, të gjithë ata që "nuk janë të dëgjueshëm".

"Kërcënojnë edhe me vdekje, majtas e djathtas"

Shikuar nga të gjitha këto zhvillime deformuese të këtij subjekti politik, analisti Gani Qarri vlerëson se një njeri që vazhdon të shërbehet me ideologji komuniste dhe një parti, e cila është kthyer nga Lëvizje në një grupim ideologjik si të Fidel Kastros, janë dhe mund të jenë tejet të dëmshme për Kosovën. Madje ai e cilëson me shumë ndikim ish-kreun e VV-së edhe tek dirigjimi për veprim negativ edhe ndaj kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit. "Ai nuk la gurë pa lëvizur vetëm e vetëm që të afrohet sa më shumë me vahabistët dhe veproi si përfaqësues i radikalizmit islamik në vendin tonë, ndoshta duke udhëzuar edhe Shpend Ahmetin, që jo vetëm të shëtisë me Devollët e inkriminuar, por të kërkojë edhe "hisen e veprimtarisë së krimit", siç jemi mësuar të dëgjojmë, për marrëveshje të tilla shpesh gjithandej nëpër Kosovë, në vend se të punojë më seriozisht për kombin dhe shqiptarët e jo të manovrojë për interesat islamiste", është shprehur Qarri. Sipas tij, që atëherë, u vërejtën qartë lidhjet e tij të dyshimta me fundamentalizmin islamik, duke bërë edhe stërkeqjen e Lëvizjes 'Vetëvendosje' me ideologji komuniste në vend se ta transformojë në një parti të vërtetë dhe jo ta kthejë atë në "turiste" politike sa për përdorim në fushata zgjedhore. "Kjo lë të nënkuptohet se ai përkundër fjalëve të mëdha, nuk mendon për popull, por vetëm për vete dhe në vend se të angazhohet për Kosovën, ai promovon zgjerimin dhe forcimin e ideologjisë islamiste, në kohën kur me mish e me shpirt nga shqiptarët bëhen përpjekje për heqjen e vizave dhe integrim në Bashkimin Evropian. Të gjithë jemi dëshmitarë se arsyetimet e tij ish-"patriotike", sot në programet aktuale të 'Vetëvendosjes' dhe Albin Kurtit, as si projekte të thjeshta plotësuese më nuk ekzistojnë", shprehet analisti Qarri. Sipas tij, njerëzit e inkriminuar në VV nuk janë të paktë, por ka edhe zëra pozitivë që duhet dhe një ditë do të ngriten në funksion të interesit qytetar.

Zeqa: "Dëshira e lakmia për pushtet, krerët e VV-së i përafroi me ndërkombëtarët"

Ndryshe analisti Florim Zeqa vlerëson se ndryshimi "epokal" i VV-së nga një lëvizje popullore me parime të forta kombëtare në një parti politike të ekstremit të majtë në njërën anë, dhe nga ana tjetër, kalimi nga një subjekt që nuk njihte ligjet, simbolet dhe himnin e shtetit të vet u shndërrua në një subjekt lojal i Pakos së Ahtisarit, duke u shkëputur krejtësisht nga e kaluara e saj. "Dëshira për pushtet, krerët e VV-së i përafroi me ndërkombëtarët, i bëri që raportet e ngrira t'i shndërrojnë në miqësi të ëmbël dhe pa kushte. Jo vetëm kaq, ky ndryshim i madh përmbajtjesor i VV-së, u reflektua edhe në aspektin vizual. Krerët e VV-së dhe aktivistët e saj, në vend të simbolit kombëtar në kostumet e tyre i vendosën kravatat me ngjyra nga më të ndryshmet. Madje në debatet televizive, një pjesë të konsiderueshme të kohës e shpenzojnë në mirëmbajtjen e kravatave, saqë shpesh harrojnë dhe dalin nga temat e debatit", është shprehur Zeqa për "Kosova Sot". Ai tutje shton: "E vetmja gjë që ka mbetur ende e pandryshuar në 'Vetëvendosje', është imitimi i Albin Kurtit nga aktivistët e saj, qoftë në fjalorin politik, ashtu edhe në gjestet fizike gjatë paraqitjeve publike", theksoi ai. "Ngritja dhe moderimi i përshpejtuar i VV-së nuk janë në përputhje me deklarimet e fundit të disa eksponentëve të saj. Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, ka pohuar se në parim dhe në principin demokratik, çdo parti e ka ideologjinë e vet dhe mbi atë e ndërton politikën dhe krijon lidhje, prandaj edhe VV-ja e ka një ideologji bazë të veten, por se ajo nuk duhet të shërbehet as të zhvillohet në aspektin e degradimit të demokracisë pluraliste dhe daljes mbi ligjin. Mirëpo, është analisti Ragip Guraziu, i cili thotë se edhe një masë e madhe qytetarësh janë skeptikë dhe nuk e shohin fare me simpati lëvizjen 'Vetëvendosje', me liderin e saj të nominuar për kryeministër, Albin Kurtin, ngase ky subjekt politik ka ardhur deri në një derexhe serioze të deformimit, shndërrimit në parti të tipit të Fidel Kastros, madje publikisht duke kërcënuara ata që nuk i dëgjojnë shefat e VV-së ''shpallen tradhtarë'', dhe linçohen nga të gjitha format. "Aq më tepër hije të zezë sjell në këtë përpjekje për të kapur qeverinë, qeverisja e dobët e Prishtinës nga ky subjekt politik dhe ekipi lidhur me mafio-oligarkët. Duke pasur parasysh një mandat qeverisje në Komunën e Prishtinës, kryetari i saj, Shpend Ahmeti, me rastin e Devollëve tregoi se edhe ai nuk i shpëton keqqeverisjes", shprehet analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot". Ai konsideron se tani lidhjet kriminale të VVsë me kompanitë e inkriminuara janë krejt normale, sepse shumëçka, sipas tij, në këtë subjekt politik është kriminalizuar, prandaj kjo e bën edhe më të papranueshme qeverisjen e vendit nga VV-ja. 

SEFAJ: DARDAN MOLLIQAJ, NJERI I SHANTAZHUAR NGA SHIK-u

Ndryshe Xhevat Sefaj, ish-anëtar i këtij subjekti politik, pohon se VV-ja u shndërrua në një parti totalitare më 2014, kur Albin Kurti e përfundoi mandatin, dhe bëri gabimin më të madh në jetën e tij në politikë, kur Lëvizjen që e kishte formuar vetë, dhe që identifikohej me të e la në duar të adoleshentëve, duke u besuar në mënyrë absolute. "Ardhja e Visar Ymerit në krye të Lëvizjes me Dardan Molliqajn, njeri i shantazhuar nga SHIK-u, sekretar organizativ, ka qenë nisja e rrënimit për VVnë. Që nga ky moment VV-ja është udhëhequr vetëm me shantazhe nga Dardan Molliqaj, sepse ky është misioni i tij për ta shkatërruar Lëvizjen. Aktivistët e VV-së janë të ndarë në ata që e përkrahin Albin Kurtin dhe ata që e përkrahin grupin e Shpend Ahmetin, konflikti në VV është ende latent, por ai shumë shpejt do të manifestohet edhe jashtë. Shpend Ahmeti, tezaku i tij Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, dhe klani i Dardan Molliqajt janë bërë bashkë kundër Albin Kurtit. Dardan Molliqaj, ky kriminel i shantazhuar nga SHIK-u, ka indoktrinuar shumë aktivistë që të bëjnë veprime kriminale, në mënyrë që pastaj i kontrollon ata përmes shantazhit. Dardan Molliqaj qëndron pas krejt veprimeve kriminale që i ka bërë VV-ja në Kosovë", theksoi Xhevat Sefaj. Sipas Sefajt, Dardan Molliqaj ka qenë sekretar i kontrabanduar nga një klan i tipit 'Pronto' brenda Lëvizjes. "Dardan Molliqaj i cili nga 2 maji deri më 10 korrik sa ishte afati i zgjedhjeve të brendshme, në 2016-n në mënyrë arbitrare duke shkelur rregulloren e zgjedhjeve të brendshme, dhe me metoda shantazhiste më përjashtoi dhe eliminoi nga gara e zgjedhjeve të brendshme si kandidat për kryetar të qendrës në Pejë, edhe pse të drejtën për të kandiduar për secilën pozitë e garanton rregullorja e zgjedhjeve të brendshme. Dardan Molliqaj jashtëligjshëm ndërhyri në privatësinë time dhe të shumë aktivistëve të tjerë me metoda fashiste duke ma thyer e-mailin, 'fejsbukin' dhe të dhënat personale. Dardan Molliqaj jashtëligjshëm i mban në fasikull 100 faqe të bisedave nga jeta ime private, këtë e ka bërë për të më shantazhuar mua, që mos ua publikoj veprimet kriminale, por nuk ua kam frikën se jam i pastër dhe s'kam bërë asgjë të jashtëligjshme", është shprehur ai. "Ata që me pak pushtet sa kanë në Lëvizje, veprojnë kështu, çka bëjnë po të kenë më shumë pushtet mbi udhëheqjen e shtetit? Lidhjet e VV-së me kompaninë 'Devolli' janë që nga gjeneza e saj që dëshmon që VV-ne gjasat shumë të mëdha janë që e ka krijuar SHIK-u. Në një emision në TV, Dardan Molliqaj kishte gënjyer se i vetmi donacion që ka pranuar VV nga Devolli kanë qenë jogurtë me vlerë 700 euro për zgjedhjet lokale të 2013-s, kjo është gënjeshtër e kulluar. VVja ka pranuar hiç me pak së 20 mijë euro qysh në fushatën për zgjedhje parlamentare të vitit 2010, këtë e di shumë mirë, sepse kam qenë anëtar i komisionit për ngritjen e fondeve për qendrën e Pejës. E Lëvizja më ka njoftuar kush janë kompanitë që e kanë financuar në zgjedhjet parlamentare të 2010-s, në mënyrë që ta kem një pasqyrë se cilat biznese me i vizitu, kur u emërova anëtar i komisionit për ngritjen e fondeve. Unë mendoj qe korporata 'Devolli' është shndërruar në një lopë të Danimarkës që ushqehet nga të gjithë dhe milet nga të gjitha partitë, ajo i financon të gjitha partitë në Kosovë që në mënyrë kur ato vijnë në pushtet ajo ua vjel dhe monopolizon projektet milionëshe. Kështu pas ardhjes se VV-së në pushtet në Komunën e Prishtinës pazaret me Devollët janë fuqizuar, tani e kanë kuptuar të gjithë se gjahu aktual i Devollëve janë Pishina Olimpike te Pallati i rinisë dhe Stacioni i Autobusëve, prandaj takimi në Budva në mes të Shpend Ahmetit në jahtin e vëllezërve Devolli nuk është vetëm një takim miqsh, por takim xhentëlmenësh, që bëjnë pazare te mëdha më resurset publike të popullit për interesa të tyre personale e grupore kriminale ", është shprehur ne fund Xhevat Sefaj 

(Kosova Sot)