NATO ofron ndërmjetësim në mosmarrëveshjen serioze Turqi-Gjermani

  • 25 July 2017 - 11:29
NATO ofron ndërmjetësim në mosmarrëveshjen serioze Turqi-Gjermani

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ofruar ta ndërmjetësojë një vizitë të ligjvënësve gjermanë te trupat gjermane që shërbejnë në një bazë ajrore në Turqi, në tentim për ta rregulluar një mosmarrëveshje mes dy shteteve aleate të NATO-s, e cila është duke i prishur operacionet kundër Shtetit Islamik (ISIS).

Oferta e ndërmjetësimit nga shefi i NATO-s, për të cilën u njoftua dje, erdhi teksa edhe vetë Ankaraja ka kërkuar t’i kufizojë pasojat ekonomike nga mosmarrëveshja dëmtuese me Berlinin, duke e tërhequr kërkesën e saj për Gjermaninë që t’i ndihmojë në hetimin e qindra kompanive gjermane për të cilat thotë se kanë lidhje me terrorizimin. 

Gjermania është tejet e shqetësuar nga lufta e presidentit Tayyip Erdogan ndaj opozitës turke që prej tentim puçit të vitit të kaluar – shqetësime këto që u bën më thekshme nga arrestimi i gjashtë aktivistëve të të drejtave të njeriut, përfshirë një gjermani, këtë muaj.

Tensionet i ka rritur edhe refuzimi i Turqisë për t’i lejuar ligjvënësit gjermanë t’i vizitojnë ushtarët e vendosur në dy baza ajrore në Turqi.

Si pasojë, Gjermania ka filluar t’i tërheqë trupat nga ato baza.

Megjithatë, shefi i NATO-s është i gatshëm të ndihmojë në tejkalimin e kësaj mosmarrëveshjeje.

“Sekretari i Përgjithshëm ka ofruar ta aranzhojë një vizitë të parlamentarëve [gjermanë] në bazën Konya brenda kornizës së NATO-s,” ka thënë zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet.

(Kosova Sot)