Goditi për vdekje turisten ruse, flet skafisti: Kontrolloni mjetet e tjera se…

  • 25 July 2017 - 11:52
Goditi për vdekje turisten ruse, flet skafisti: Kontrolloni mjetet e tjera se…

Gjykata e Sarandës la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, duke lënë në burg me afat 45 ditë të dyshuarin për aksidentin me pasojë vdekjen e turistes ruse në ishujt e Ksamilit.31-vjeçari Ermal Fataj, në fjalën e tij para trupit gjykues, kërkoi hetim të plotë për zbardhjen e së vërtetës për vdekjen e turistes 15-vjeçare, Kseniia Roik.

15-vjeçarja dyshohet se është goditur nga skafi i drejtuar prej Fatajt në momentin kur ajo po notonte pranë zonës së “Tre Ishujve”. Por vetë skafisti nuk e pranon akuzën, duke thënë se, nëse do të kishte ndodhur një aksident i tillë, do të kishte ndaluar për t’i ofruar adoleshentes ndihmë.

“Nuk kam hasur me mjetin tim atë ditë në ndonjë trup apo në ndonjë send për të kuptuar se kisha aksidentuar njeri. Nëse do të kisha kuptuar për aksident, do të kisha ndaluar dhe do të kisha dhënë ndihmë”, u shpreh Fataj para trupit gjykues.

31-vjeçari gjithashtu kërkoi hetim të drejtë, si dhe bëri thirrje që pjesë e analizave shkencore të mos jetë vetëm skafi i tij, por edhe mjetet e tjera lundruese që ishin në zonën ku ndodhi aksidenti.

“Nuk e kam kuptuar nëse e kam goditur, kërkoj hetim të rregullt. Kërkoj drejtësi”, është shprehur 31-vjeçari.

Në fund, gjyqtarja Nevri Duka pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes, Lenci Mërkuri, i cili kërkoi “Arrest me burg 45 ditë” për Ermal Fatajn, pasi dyshon se është personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues 15- vjeçaren, ndërsa ishte duke u larë në det.

Gjykata dha vendimin me 45 ditë, me qëllim pritjen e aktit të ekspertimit. Gjergj Imeraj, avokati mbrojtës i të arrestuarit, deklaroi në përfundim të seancës se klienti i tij ka kërkuar nga trupi gjykues që të kryhen analizat e nevojshme për të gjitha mjetet lundruese që kanë lëvizur në atë zonë ditën e ngjarjes.

“I ndaluari kërkoi vetë që të hetohet gjithë veprimtaria dhe lëvizja e skafit të tij atë ditë, ku është i bindur se nuk është mjeti i tij që ka goditur të miturën ruse. Ai kërkoi që jo vetëm skafi i tij, por të gjitha mjetet e lundrimit të asaj dite dhe atij momenti të merren në analizë e të shihen plagët e lëna te trupi i të dëmtuarës”, u shpreh avokati.

Gjatë këqyrjes së mjetit lundrues të 31-vjeçarit, Policia gjeti në helikën e skafit disa fije floku, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin e Policisë Shkencore. Do të jetë analiza e ADN-së, e cila do të përcaktojë nëse ato fije floku i përkasin pikërisht turistes ruse.

Nisur nga shenjat në kokë dhe dorë, grupi hetimor ka konfirmuar se adoleshentja ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup. Nga verifikimet e policisë, rezulton se 15-vjeçarja ka qenë duke notuar në hapësirën ujore ku ankorohen mjetet lundruese, kur u godit për vdekje.

Kseniia Roik po kalonte pushimet verore në Shqipëri bashkë me nënën e saj dhe si vend për të pushuar kishin zgjedhur zonën e Ksamilit. Adoleshentja mbërriti në vendin tonë pak ditë para se të festonte ditëlindjen e 15-vjetorit, më 17 korrik.

(Kosova Sot)