Papa mbyll shatërvanët, solidarizohet me Italinë që po vuan thatësirën

  • 25 July 2017 - 19:48
Papa mbyll shatërvanët, solidarizohet me Italinë që po vuan thatësirën

Për herë të parë në histori, Papa Françesku, ka mbyllur 100 shatërvanët e famshëm të Vatikanit, vendim që vjen në një kohë kur Italia po vuan thatësirën. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mbarë mediave ndërkombëtare, ndërsa ka lënë përshtypje edhe tek turistët e shumtë që vizitojnë Selinë e Shenjtë. Papa Françesku ka bërë edhe më herët thirrje për të kursyer ujin e pijshëm.

Thatësira e cila ka përfshirë në muajt e fundit Italinë e ka detyruar Papa Françeskun që të mbyllë për herë të parë në histori shatërvanët e famshëm të Vatikanit, në shenjë solidariteti.

Ati i Shenjtë e mori një vendim të tillë për të respektuar linjën dhe pikëpamjet e tij mbi rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore.

Papa Françesku ka folur edhe më herët për këtë çështje, ndërsa vë në dukje nevojën për të kursyer ujin e pijshëm.

Vatikani është i njohur për afro 100 shatërvanët e tij përfshirë dy kryevepra të stilit Barok.

Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë u shpreh në një prononcim për mediat se kjo është hera e parë që merret një masë e tillë.

“Për aq sa ne dimë, kjo është hera e parë që Vatikani është detyruar të shuajë shatërvanët. Sikurse e dini, Roma është e bekuar me ujë të bollshëm dhe ky është një rast mjaft i rrallë. Kjo është mënyra jonë për të treguar solidaritet me Romën dhe me Italinë.”

Thatësira në Itali ka pllakosur pjesën dërrmuese të vendit. Dy rajone e kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa shumë të tjerë kanë paralajmëruar se janë afër marrjes së një vendimi të njëjtë.

Sipas përllogaritjes së ekspertëve, dëmet më të mëdha bien mbi bujqësinë, aty ku fermerët mendohet se do të humbasin afro 2 miliardë euro si pasojë e mungesës së furnizimit me ujë.

(Kosova Sot)