Ahmeti: Kosova, vatër e krimit

  • 25 July 2017 - 20:00
Ahmeti: Kosova, vatër e krimit

Analisti Hydajet Ahmeti tha për "Kosova Sot", se Kosova është bërë vatër e krimit, korrupsionit e kontrabandës, pikërisht nën udhëheqjen e qeverive të pasluftës. "Bizneset e pista kanë lulëzuar në kohën kur pushtet e pasluftës kanë shtruar një bazament anarkik për zhvillimin të paligjshëm për disa biznese, brenda kornizave të pasurimit të jashtëligjshëm, por edhe për një periudhë të shkurtër kohore", u shpreh ai. Sipas tij, kjo lidhje hierarkike në mes bizneseve dhe politikës ka ndërtuar një perandori kriminale të funksionimit të shtetit, duke keqpërdorur mundësinë e konkurrencës së drejtë dhe të barabartë. "Në vend që politika të jetë në shërbim të qytetarëve e jo për t'u pasuruar një komunitet i vogël njerëzish, në Kosovën e pasluftës politika është bërë instrumenti për t'u pasuruar politikanët apo klientela partiake", vijoi më tej Ahmeti. "E kemi rastin eklatant të skandalit " Vjedhje e Organizuar Tatimore" të keqpërdorimit milionësh përmes rrugëve ilegale, i cili është bërë publik përmes zyrtari të ATK-së, Murat Mehmeti, Shef i njësive të hetimeve në ATK. Ky keqpërdorim i orkestruar përmes bizneseve fantome, ku janë pasuruar njerëzit e politikës është heshtur duke shantazhuar, duke kërcënuar", u shpreh ai. " Dhe, pikërisht për publikimin e keqpërdorimeve në këtë institucion, zyrtari në fjalë është dhunuar psikologjikisht, duke u futur në procedura disiplinore, duke shqiptuar masa disiplinore me qëllimin për t'ia mbyllur gojën e për ta vazhduar keqpërdorimin e institucionit", vlerë- son analisti Ahmeti. Ai thotë se mbi të gjitha, pa dashur t'i përfshijë të gjitha bizneset, ku në mesin e shumë bizneseve ka pronarë seriozë, të sinqertë e që iu nënshtrohen kornizës ligjore brenda konkurrencës së drejtë e të barabartë, por një pjesë prej tyre brenda një kohë të shkurtër kanë shkelur milionat falë lidhjes së tyre me politikën dhe para-politikën.

(Kosova Sot)