Reshiti: MPJ-ja, pa strategji konkrete

  • 26 July 2017 - 23:15
Reshiti: MPJ-ja, pa strategji konkrete

Analisti Ymret Reshiti pohon se Kosova ka dështuar plotësisht që të ketë një "diplomaci të fortë ekonomike" me të cilën do të arrinte që të përfitonte në fushën e ekonomisë dhe do të nxiste zhvillimin e vendit pikërisht pse mungon një strategji e Ministrisë së Punëve të Jashtme që si objektiv të ketë lobimin për promovimin e Kosovës si vend me potencial për zhvillim të bizneseve. "MP-ja nuk duhet të kufizohet vetëm në mbrojtjen e interesave politike të Kosovës në arendën ndërkombëtare, por ajo duhet t'i japë prioritet të veçantë mbrojtjes dhe promovimit të interesave ekonomike të Kosovës. Kosova zhvillimin e saj ekonomik assesi nuk duhet ta varë te ndihmat financiare të shteteve dhe mekanizmave ndërkombëtarë. Nuk jetohet dhe as nuk zhvillohet shteti nga ndihmat, "lëmosha"", theksoi ai. "Ministria e Punëve të Jashtme dhe stafi i ambasadorëve dhe konsujve duhet të angazhohen në promovimin e Kosovës si partner serioz në transaksione ekonomike", tha Ymret Reshiti. Ai tha se deri më sot nuk kemi dëgjuar dhe evidentuar asnjë rezultat të përfitimit ekonomik të Kosovës, i cili ka ardhur si meritë e angazhimeve të ambasadorëve dhe konsujve të Kosovë, pasi, sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadorët e Kosovës nuk janë të vetëdijshëm se krahas çështjeve të tjera diplomatike, kanë për detyrë që të mbrojnë dhe të promovojnë interesat ekonomike të Kosovës në arenën ndërkombëtare . "Kjo bindje e tyre e gabuar ekziston për faktin se ambasadorët e Kosovës nuk janë ambasadorë të karrierës, pra nuk vijnë nga fusha e diplomacisë ku rol tepër esencial zë ekonomia. Niveli i tyre i përgatitjes dhe mënyra e emërimit të tyre në ato pozita janë tregues të qartë se ambasadorët dhe konsujt e Kosovës nuk janë në gjendje të kuptojnë rolin dhe misionin e tyre. Atyre u mungon eksperienca e menaxhimit me punë shtetërore dhe përgatitja profesionale në fushën e diplomacisë. Edhe pse në Kosovë ka fakultete të veçanta ku mësohet diplomacia dhe ka mjaft qytetarë të diplomuar në fushën e diplomacisë që kanë përvojë me menaxhimin e punëve shtetërore, prapëseprapë këta mbesin pa punë dhe në vend të tyre emërohen njerëz të pamerituar dhe me diploma të "blera". Emërimet bëhen pa asnjë kriter dhe vetëm mbi bazën partiake dhe familjarizimit", theksoi Reshiti.

(Kosova Sot)