Zgjedhjet lokale, nën hijen e Devollizimit

  • 27 July 2017 - 07:39
Zgjedhjet lokale, nën hijen e Devollizimit

Analistët politikë, por edhe qytetarët nuk janë shumë optimistë që në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të ndodhin ndryshime më të mira në interesin e përgjithshëm, për përmirësimin e jetës së tyre, ngase, sipas tyre, të gjitha partitë në Kosovë, pa asnjë dallim, duket se janë të lidhura fort me oligarkët kriminalë, me klientelat e ngushta të grupeve të interesit dhe për shefa i kanë vëllezërit e korporatës së tej inkriminuar 'DEVOLLI'. Është një bindje te qytetarët se katandisja e tërë skenës politike në këtë gjendje alarmante kriminale po ndodh përmes blerjes së votës së qytetarëve, me çmim shumë të lirë nga rrjetet kriminale të politikës, sepse emëruesi i përbashkët është financimi i hapur dhe i fshehur nga majat e krimit të organizuar në vend, në një valle të mbrapshtë që sipas tyre po i prin në këto zgjedhje komunale edhe kreu i Komunës së Prishtinës nga VV-ja, Shpend Ahmeti, i cili edhe u fotografua në jahtin e tyre në Budvë. Sipas analistëve, nuk mund të pritet gjë pozitive nga një kryetar i tillë i kryeqytetit, kur e tëra me çka ai merret është matematika mashtruese ndaj qytetarëve dhe lidhja e tij kriminale me "nëntokën dhe mafinë", në krye të së cilës vazhdojnë të prijnë vëllezërit Devolli me shoqëritë e tyre të tejinkriminuara të lidhur kriminalisht edhe me të gjithë pushtetarët e lartë në komuna, në institucionet qeveritare, në Kuvend dhe në Presidencën e vendit!

Image

 

Me rrogë kryetari nuk mund të bëhesh pasanik

Analisti politik, Reshat Sahitaj, thotë se qytetarët tanë nga zgjedhjet komunale të 22 tetorit nuk mund të presin asgjë pozitive në interesin e përgjithshëm të zhvillimit të jetës dhe ngritjes së standardit, sepse klasa politike shqiptare është ende e pavetëdijshme se ata do të zgjedhën për të qenë zëri i qytetarit e jo zëri i interesave personale dhe familjare. "E tëra kjo ndodh, sepse në Kosovë nuk funksionon drejtësia më ç'rast të korruptuarit të dënohen më burg e pasuria e tyre të konfiskohet. Askund në botë deputetët dhe ministrat nuk vijnë deri të pasuria përrallore brenda pak viteve, siç jemi duke parë ngritjen kolosale të pasurive të zyrtarëve tanë. Në Kosovë është klani i veçantë mafiozo-ekonomik, i cili e dirigjon klasën politike. Ky klan nuk ka rregulla e as atdhe, sepse atdheu i tyre është paraja e rregullat e tyre janë përkrahja materiale e të gjitha partive. Në këtë mënyrë ata sigurojnë vetën dhe pasurinë pavarësisht se kush do vjen në pushtet", u shpreh ai. "Nuk është vështirë të zbulohet korrupsioni, por vështirë është të merren masa kundër të korruptuarve ngase klani mafioz, politiko-ekonomik i kontrollon shumë sektorë të qeverisë dhe bllokon çdo vendim që merret në drejtim të luftës antikorrupsion. Si mund të kemi dyshim për shembull që Shpend Ahmeti nuk është i korruptuar, kur dihet se para marrjes se pushtetit në Prishtinë ai kishte gjendje materiale të mesme e tani gjendja e tij materiale ka ndryshuar rrënjë- sisht. Më një rrogë të kryetarit të komunës ai nuk ka mundësi të ketë një pasuri të tillë. Ngjashëm kemi edhe zyrtarë të tjerë, të cilët kanë bërë pasuri të jashtëzakonshme brenda pak vjetësh, mirëpo në vendin tonë nuk kemi guxim të asnjë prokurori që të nisë hetimet sipas rregullave", theksoi Sahitaj për "Kosova Sot". Sipas tij, nuk ka prokuror të guximshëm, i cili do të rrezikonte jetën e tij, duke kërkuar dënimin e individëve të korruptuar , siç kemi prokurorë e gjyqtarë në Itali, të cilët u vranë, por nuk u frikësuan para bandave kriminale vetëm e vetëm që kriminelët të vihen para drejtësisë. "Ne e kemi fituar lirinë fizike nga Serbia, por ne jemi futur në një robëri të brendshme nga vetvetja ku askush nuk ka guxim të shkruajë apo të ngrejë padi kundër Shpend Ahmetit, kundër 'Devolli grup', kundër kapitalistëve të tjerë që janë përfaqësues legal të Serbisë në Kosovë. Ne jemi në një luftë psikologjike ndërshqiptare, ku askush nuk ka guxim të foli atë që e ndien", potencoi Reshat Sahitaj

Image

 

Qeverisja demokratike u zëvendësua me klientelizëm

Analisti Ymret Reshiti pohon se në Kosovë është bërë dukuri që pas çdo partie politike të qëndron ndonjë ndërmarrje ose biznes i fuqishëm, i cili financon veprimtarinë e partisë politike. "Për dallim nga ato vende të zhvilluara perëndimore, te ne financimi i partive politike nga ndërmarrjet apo bizneset e ndryshme nuk bazohen as në vlera dhe as në ligje, por kryekëput bazohet në interesa të përbashkëta korruptive. Mbi bazën e atyre marrëveshjeve kriminale parti-biznes, bizneset e Kosovës financojnë ngjitjen në pushtet të një partie politike ose të një politikani, ndërsa partia politike ose politikani që në momentin kur e merr pushtetin e shpërblen ndërmarrjen ose biznesin, duke i dhënë tenderë publikë, privatizimin e ndonjë aseti të Kosovës, si dhe benefite tjera", ka thënë ai. "Koston e këtyre punëve të pista parti -biznese e paguan qytetari i shkretë i Kosovës, të cilit nuk i ka mbetur asgjë mbas shpirtit, pos shpresës së tij, se një ditë do të bëhet mirë. Kjo dukuri në Kosovë është e njohur si klientelizëm sipas së cilit çdo parti politike ka klientët e vet nga sfera e biznesit, të cilëve u ofron shërbime profitabile, ndërsa për këto shërbime kompensohen me mjete financiare. Lidhja respektivisht varësia reciproke në mes të politikës dhe bizneseve e kanë qelbur tërë sistemin qeverisës të Kosovës, duke filluar nga ekonomia, drejtësia, siguria, shëndetësia etj. Nuk ka as shtet ligjor dhe as shtet të së drejtës në Kosovë. Demokracia paraqet nocion të shkruar në letrat zyrtare të Kosovës, larg fatit që ta përjetojnë qytetarët e Kosovës", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot". Me një fjalë, ai thotë se Kosova ka zëvendësuar qeverisjen demokratike me qeverisjen klienteliste.

Image

 

Mungesa e ofertave serioze

Prof. Muhamet Kelmendi tha për "Kosova Sot" se në fakt vetë rezultatet e zgjedhjeve qendrore treguan se si dhe në çfarë niveli është e kapur politika nga oligarkët mafiozë, ekonomikë dhe financiarë, prandaj ky është një parametër që flet paraprakisht edhe për zgjedhjet lokale. Kelmendi konstaton se në këto zgjedhje, pothuajse askush, asnjë parti dhe kandidat, nuk arriti sukseset e dëshiruara, veç VV-së, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme dhe ky ndryshim me një avantazh më të madh te VV-ja ka ndodhur, sepse nuk ka pasur një ofertë tjetër të re serioze, prandaj shpresat janë varur në këtë subjekt politik, sado që me qeverisjen e Prishtinës qytetarët edhe mund të mos ndahen të kënaqur, por shumë të zhgënjyer e të mashtruar. "Për nga natyra të rinjtë janë kundër të vjetrës, për të renë, ka raste edhe kundër aktualitetit, për diçka tjetër, që shumë lehtë subjektet mund t'i përdorin për synime të veçanta. Së dyti, u krijua një lidhje e ashpër dhe vartësi e kësaj politike me ekonominë, të cilën e përdorën mirë, sidomos në Komunën e Prishtinës për këto katër vite, duke arritur te masat në emër të socialdemokracisë, por pa elemente të saj. Së treti, është parti pa pushtet në qendër dhe masat i besuan", tha Muhamet Kelmendi. Mirëpo, ai tani nuk pret që kjo lajthitje qytetare e zgjedhjeve në nivelin qendror do të përsëritet me rezultat të njëjtë edhe në nivelin lokal. "Rezultatet e votave në zgjedhjet e përgjithshme nuk mendoj se do të përsëriten në nivel lokal. Kjo për faktin se ndryshojnë raportet e forcave nëpër komuna, varet shumë nga mënyra e qasjes së zgjidhjeve të problemeve dhe nga kandidatët që i kanë subjektet politike. Por, e përbashkëta e këtyre zgjedhjeve, qëndron tek vjetërsimi dhe pluhuri që i ka rrokur mendimet e subjekteve politike dhe të kandidatëve. Nuk ka dilemë se vartësia nga oligarkët mafiozë ekonomikë ekziston. Politika e ka vënë veten në kontrollin e kapitalit kriminal dhe ka vështirë të lirohet nga këta oligarkë dhe të ndërtojnë vetveten dhe të paraqesin zgjidhje të problemeve që i kanë komunat. Nuk pres ndonjë ecje përpara", u shpreh Kelmendi.

 

.......Vazhdon

Më gjerësisht lexoni numrin më të ri të gazetës Kosova Sot