Republika e haraçit dëbon investitorët

  • 27 July 2017 - 07:53
Republika e haraçit dëbon investitorët

Lidhja e politikës me krimin dhe korrupsionin, madje edhe duke u bartur në nivelet e larta të qeverisjes, duke filluar nga celulat e pushtetit lokal e deri tek majat e pushtetit më të lartë qendror, bën që në Kosove nuk mundesh dhe rrezikon seriozisht të planifikosh të investosh pa u dhënë haraç pushtetarëve të nivelit të lartë, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë komunal. Duke u bazuar në këtë situatë ku nuk ka përgjegjësi para ligjit, ku nuk ka drejtësi të pavarur, në këtë shtet askush nuk mban përgjegjësi as për krimet politike, as ato ekonomike dhe as për zhytjen e qytetarëve të Kosovës në hendek të mbijetesës me stres dhe depresion. Analisti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se Kosova me këtë klasë aktuale politike, pozitë dhe opozitë, nuk ka perspektivë, sepse të gjithë janë njësoj të lidhur dhe në bashkëjetesë me nëntokën kriminale. "Nuk mund të garantojnë investimet e huaja, nuk ka as stimulim. Edhe pse ka një infrastrukturë ligjore të favorshme prapë mungojnë investitorët jo vetëm ndërkombëtar, por edhe investitorët privatë vendorë, ku ka situata kur hezitojnë mjaft për të investuar dhe për të zgjeruar investimet. Kjo gjendje vjen për shkaqet që janë të shumta, josiguria, jostabiliteti, mosfunksionimi i rendit dhe ligjit në nivelin e duhur. Të gjitha këto gjëra kanë bërë që të mos ketë progres në zhvillimin e sektorit privat", u shpreh ai. "Në Kosovë flitet për haraç, thuhet se investitorët edhe më herët kanë hezituar dhe tash hezitojnë të investojnë, ndonjëherë thuhet se edhe duhet pyetur bosët e komunave për të investuar, sepse ka situata kur pengojnë, dhe krejt kjo e ka emëruesin e përbashkët të pasigurisë së përgjithshme për shkak të mosfunksionimit të shtetit ligjor", tha Burjani për "Kosova Sot" .

Image

 

Përgjegjësit meritojnë ndëshkim

Sipas analistit politik Hidajet Ahmeti, është fryma e mbrapshtë e instaluar nga pas lufta ajo që ka krijuar një ambient të pafavorshëm për biznes brenda shtetit nga ndërmarrësit vendorë, por njëkohësisht ka zmbrapsur investitorët nga jashtë. "Në njërën anë procedurat burokratike të instaluara për qëllime të caktuara për përfitime personale, klienteliste, kurse në anën tjetër hendeku që krijohet nga presionet, shantazhet e kërcënimet nga njerëz të pushtetshëm. Kjo klimë e të bërit biznes në një treg të vogël, siç është Kosova, ka krijuar një realitet të hidhur për të cilin është krijuar një percepcion negativ nga qytetarët, organizatat joqeveritare, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Gjykoj se, me të gjitha këto pengesa, si në aspektin institucional e procedural, ashtu edhe në aspektin jashtë-institucional nga njerëz që marrin haraç, të cilët kanë pasur dhe kanë përkrahjen e njerëzve të pushtetshëm të politikës, nuk mund të planifikosh të investosh", u shpreh ai. "Gjykoj se duhet një ndryshim radikal në rregullativën ligjore për të bërit biznes dhe për të krijuar një bazament të sigurt për investimet nga jashtë, duke krijuar procedura sa më të lehta e duke favorizuar prodhimet vendore, por mbi të gjitha këto ndryshime substanciale të përkthehen në një ambient të favorshëm për investimet nga jashtë", ka theksuar Ahmeti. "Përgjegjësia për dëmin që ia kanë bërë institucioneve publike është kolektive, por barra bie mbi ata që kanë udhëhequr me institucionet publike që nga pas lufta. Me çlirimin e sistemit të drejtësisë nga kthetrat e politikës, përgjegjësit e dëmit do të jenë prapa grilave, e jo t'u lejohet atyre që akoma të frymojnë në institucionet publike. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi një vetëdijesim të njerëzve që drejtojnë institucione publike, por edhe me ndëshkimin penal të tyre do të krijohet një standard për të gjithë keqpërdoruesit me pozitat publike", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Image

 

Populli e duroi klasën e korruptuar politike

Analisti politik Florim Zeqa pohon se aq shumë pyetje mund të parashtrohen për gjetjen e shkaqeve të ngecjes së zhvillimit ekonomik të vendit, për shkallën e lartë të krimit të organizuar, për nivelin alarmant të korrupsionit, për shëndetësinë buzë kolapsit, për arsimin jocilësor, për nivelin e ulët kulturor,...etj., etj., saqë po të ishte gjallë Stjero Spasse do të nxirrte romanin tjetër "PSE" për libër të "Ginisit. Asnjë nga këto defekte në qeverisjen e vendit, qeverisje të kriminalizuar, sipas tij, nuk mund të riparohen pa ndryshimin e gjerë të vetë mentalitetit akoma të ulët qytetar dhe të edukimit më të mirë politik. "Në pyetjet e parashtruara përgjigjja është shumë e thjeshtë, fajtori kryesor është popullata, e cila për 18 vjet rresht mbi kurrizin e saj e mbajti këtë klasë sa të korruptuar, po aq të shëmtuar politike. Qytetarët e vendit janë të gatshëm të protestojnë çdo ditë dhe çdo orë për mbrojtjen e interesave të liderëve të korruptuar partiakë, gjegjësisht për mbajtjen apo sjelljen e tyre në pushtet. Për këtë u treguan të gatshëm t'i vënë flakën objekteve shtetërore e private dhe të rrënojnë çdo gjë që u del përpara! Mirëpo, asnjëherë për këto 18 vjet qytetarët e vendit tonë nuk ishin në gjendje të protestojnë për shkeljen sistematike të të drejtave të tyre nga pushtetarët", u shpreh ai. "Nuk janë të paanashkaluar as mërgimtarët për këto 18 vjet, të cilët u plaçkitën pamëshirshëm nga shteti i tyre, sa të tjerëve iu kërkua haraç për investime në vendlindjen e tyre! Mirëpo, përveç shprehjes së pakënaqësive individuale, deri më sot nuk u organizua asnjë formë e protestimit si në vendlindje, ashtu edhe para ambasadave apo konsullatave të Kosovës në vendet euro-perëndimore", potencoi Zeqa për "Kosova Sot".

 

Image

 

...... Vazhdon

Më gjerësisht lexoni numrin më të ri të gazetës Kosova Sot