Kaos në tregun e derivateve, naftëtarët thërrasin Kuvend të jashtëzakonshëm

  • 27 July 2017 - 08:03
Kaos në tregun e derivateve, naftëtarët thërrasin Kuvend të jashtëzakonshëm

Bazuar në të dhënat e drejtuesve të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës dhe njohësve të kësaj fushe, mësohet se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave. Së këndejmi, analistët dhe njohësit e kësaj fushe e shtrojnë pyetjen se përse në Kosovë po vazhdon që të kontrollohet tregu i derivateve të naftës dhe jo vetëm, që po e bën mafia oligarkike e kriminale e lidhur me pushtetin, ku me të drejtë dyshohet se pushtetarët tanë kanë një pjesë të aksioneve në këto kompani të mëdha të derivateve të naftës. Analistët pyesin se deri kur do të kemi treg të kontrolluar e të sunduar nga krimi, cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, mungese të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar, privilegje për kompani të caktuara të naftës, moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizim të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime qindra-milionëshe. Lidhur me problematikën kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për "Kosova Sot" se Shoqata ka kohë që ka kërkuar që të bëhet kontrolli i cilësisë në kufi para se të zhdoganohet.

Image

 

Ankohet Shoqata

"Ne kemi kërkuar që të largohen Trupat inspektues, sepse ato nuk e kanë bërë kontrollin e cilësisë së derivateve, por vetëm kanë përshkruar dokumentet dhe kanë lëshuar certifikatat false pa e kontrolluar cilësinë", u shpreh ai. Sipas tij, në Doganat e Kosovës janë ndaluar mbi 30 autobote, ku deri më tani kanë rezultuar jo konform mbi 25 autobote. "Ne kërkojmë përsëri, që të vazhdohet me kontrollimin e cilësisë në kufi dhe jo pasi të futen në Kosovë", është shprehur ai. "Pikërisht për këto probleme ne si Shoqatë e Naftëtarëve javën që vjen do ta thërrasim mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe tash e tutje nga sot nuk do të pranojmë asnjë gjobë të lëshuar përgjatë monitorimit, ngase ne nuk jemi importues dhe çfarë faji kemi ne që të gjobitemi", potencoi ai. "Shoqata e Naftëtarëve më nuk do të pranojnë asnjë rezultat të cilësisë së derivateve që janë bërë në laboratorët e Serbisë dhe as të Maqedonisë. Kjo ngase praktikat e deritanishme për t'i rregulluar dhe falsifikuar cilësinë e derivateve në laboratorët e Serbisë dhe të Maqedonisë, tashmë kanë përfunduar dhe ne kërkojmë në të ardhmen që çdo superanalizë të dërgohet në laboratorët e vendeve të Bashkimit Evropian", theksoi më tutje Berjani.

Image

 

Zvarritet ndarja e tenderit 15 milionësh në lote

Berjani apelon te Doganat e Kosovës që të rrisin kontrollin e cilësisë së derivateve, sepse nga ana e inspektorëve të MTI-së nuk kontrollohet madje as 3 për qind e derivateve të naftës. "Lirshëm them se dikujt nuk po i konvenon kontrollimi i cilësisë së derivateve në kufi, andaj e kemi këtë cilësi shumë të dobët të derivateve", ka thënë Berjani. Ai me këtë rast ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që të miratojë Projektligjin e derivateve të naftës. "Unë dhe Shoqata e Naftëtarëve e përkrahim miratimin e një ligji, që është transparent dhe liberal dhe në mënyrë strikte sipas standardeve të BE-së dhe Kushtetutës së RKS e jo sipas apetiteve të dy-tri kompanive", ka thënë ai. "Ndërsa sa i përket tenderit për derivate për furnizim për Qeverinë e Kosovës, që është një tender rreth 15 milionësh, ku deri më tash e ka furnizuar vetëm një kompani, me kërkesën e Shoqatës së Naftëtarëve tenderi është ndarë në 6 lote apo pjesë, por ky tender nuk po shpërndahet akoma në 6 lote dhe është për të dyshuar përse nuk po përfundon", vijoi më tutje Berjani. Kurse sa i përket fiskalizimit, Berjani tha se qysh në vitin 2010 naftëtarët kanë qenë të fiskalizuar, por ky fiskalizim qysh prej fillimi të vitit 2010 ka qenë i manipuluar dhe me çmime enorme të shtrenjta.

Image

 

Laboratori i pamjaftueshëm

Afaristi Ramadan Maloku, pronar i kompanisë "Racional- Kommerc", tha për "Kosova Sot" se nuk është faji i shitësve të derivateve për naftë jocilë- sore, por i tërë problemi qëndron tek institucionet tona, përkatësisht tek mungesa e një laboratori cilësor, që e kontrollon cilësinë e derivateve që po futen në Kosovë. "Këtu ka mungesë të zbatimit të ligjit nga ana e institucioneve tona dhe vendimi që është sjellë nga MTI-ja që kontrolli i kualitetit të naftës të bëhet jo në kufi, por pasi që ajo të futet në Kosovë është një vendim i gabuar", tha ai. Sipas Malokut me këtë vendim e tërë barra iu ka vënë një laboratori që kontrollon cilësinë e derivateve në Kosovë, që nuk ka kapacitete njerë- zore dhe ekspertë të mjaftueshëm, por edhe as pajisje komplete që do të mund t'i kryente të gjitha analizat komplete sipas parametrave të BE-së. "Këto analiza kryhen vetëm pjesërisht vetëm për disa parametra të derivateve, derisa për një superanalizë naftëtarët tanë duhet që t'u drejtohen vendeve të regjionit, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi. Pra, faji qëndron tek institucionet tona që nuk e kanë pajisur vendin edhe 18 vite pas luftës me një laborator me të gjitha pajisjet", u shpreh Maloku. Sipas tij, po të kishte vetëm një vullnet të vogël politik Kosova shumë lehtë do të mund që të pajisej me një laborator të kompletuar, që nuk kushton më shumë se 1 milion euro. "Nuk përjashtohet as kjo mundësi se kjo po bëhet qëllimisht, por ajo që mund të themi se Kosova ka nevojë imediate për një laborator, nga i cili vendi do të përfitonte shumë por deri më tash me gjithë premtimet e bëra nga ana e të gjitha qeverive se do ta bëjnë këtë, asnjëra prej tyre nuk i mbajti premtimet e tyre sa i përket sektorit të derivateve të naftës, por i kanë realizuar qëllimet e veta të përfitimeve materiale", ka potencuar ai.

........... Vazhdon

Më gjerësisht lexoni numrin më të ri të gazetës Kosova Sot