"Bitcoin" depërton në Kosovë, qytetarët mund të "digjen"

  • 11 August 2017 - 07:46

Alaj: Një nga rreziqet kryesore në këtë industri është se ku ke vendosur për t'i mbajtur këto valuta virtuale

Monedha virtuale, e quajtur ndryshe "Bitcoin", që ekziston vetëm në rrjetet informative, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë, tani ka pak kohë që ka hyrë edhe në tregun financiar të Kosovës. Në monedhë e tillë fillimisht dy aparaturat e para të deponimit të parave për të blerë monedhën virtuale "Bitcoin" janë sjellë në Kosovë dhe kanë filluar të funksionojnë në kuadër të kompanisë "ALBVISION". Njëra aparaturë është e vendosur në selinë e kësaj kompanie në Prishtinë, kurse tjetër në një lokacion tjetër, po ashtu në Prishtinë. Njëri nga menaxherët e "ALBVISION"-it, Ardian Alaj, thotë për gazetën "Kosova Sot" se teksa ka filluar edhe në Kosovë të përdoret monedha virtuale dhe interesimi i qytetarëve në ditët e para duket të jetë i mirë, ndonëse për të siguria nuk garantohet nga asnjë institucion i shtetit të Kosovës, por është lënë në përgjegjësinë individuale dhe kujdesin e vetë klientëve. Alaj theksoi se shumë shpejt pritet të instalohen edhe gjashtë aparatura të tjera, në qytetet e tjera të Kosovës, për çka kanë informuar dhe kanë edhe lejen e BQK-së dhe institucioneve të tjera. Sidoqoftë, derisa kjo fushë veprimi akoma nuk është e rregulluar me legjislacion adekuat, ai thotë se nuk ka pasur nevojë për pajisje me leje pune apo licencë, ngase konsiderohet vetëm veprimtari shërbyese, ndonëse në ndonjë rast të rrallë nuk mund të përjashtohet rreziku për qytetarët që të humbin në këtë investim, por stafi që menaxhon këtë produkt është vazhdimisht në dispozicion të klientëve për t'i këshilluar në produktet ku ata mund të jenë më të sigurt për blerjen e tyre. 

Alaj: Rreziqet nuk janë të pashmangshme, por janë minimale

Ardian Alaj theksoi për "Kosova Sot" se "BITCOIN" është kripto- valutë ose kripto-garant, sikur që njihet dhe përveç 'BITCOIN'-it ekzistojnë diku edhe më shumë se 100 valuta të ndryshme siç po quhen virtuale. "Ne para dy javësh e kemi sjellë një 'BICOIN ATM', ku qytetarët kanë mundësi të blejnë valuta të ndryshme virtuale përmes kësaj ATM-je. Mjafton të vendosen paratë dhe të përcaktohet për shumën që do të investosh dhe në momentin që vendosen paratë ky ta konverton në shumën e caktuar të valutës 'BITCOIN' apo për valutat e tjera, për të cilat përcaktohesh", është shprehur ai. Alaj pohoi se kjo kompani ka tre katër vjet që është aktive në këtë industri financiare, në fushën e Kripto-garancetave dhe duke pasur parasysh trendët e zhvillimit global në Evropë dhe vendet e tjera të Botës është vërejtur që kjo industri po ecën me ritëm të shpejtë zhvillimi, se ka siguri dhe e kanë pasur si mundësi të mirë që t'u ofrohet edhe qytetarëve të Kosovës, që të jenë të barabartë me qytetarët e vendeve të tjera, për të mundur të investojnë edhe ata në valuta të ndryshme virtuale."Sa i përket funksionimit në mënyrë institucionale, nuk ka asgjë të rregulluar me ligj, BQK-ja ka deklaruar që përgjegjësia është individuale, do të thotë që u bën thirrje edhe qytetarëve për të pasur kujdes."Njëkohësisht edhe ne si kompani secilit qytetar që vjen dhe i drejtohet 'BITCOIN ATM'- së fillimisht i japim një sesion informatash, ku i njoftojmë edhe për rreziqet, por edhe për mundësitë jo të mira që ofrohen sigurisht, por edhe për përparësitë e vet që ka e që janë shumë më të mëdha sesa rreziqet. Pra, rreziqet janë minimale, por megjithatë duhet të jenë të vetëdijshëm për ato rreziqet që mund t'i presin, sado minimale që janë. Mirëpo, deri më tash nuk ka asgjë të rregulluar, nuk ka diçka që mund të ketë bashkëpunim me BQK-në dhe me institucionet e tjera përkatëse. Aparati është i importuar në mënyrë krejtësisht të rregullt, përmes Doganës së Kosovës dhe ka një javë që kemi filluar të funksionojmë zyrtarisht dhe presim që edhe me ATK-në nuk do të kemi telashe, për shkak se deklarohet në tërësi sasia e fitimit, paguhet tatimi në fitim për pjesën që na takon dhe kështu asgjë nuk do të mbetet jashtë kontrollit në këtë fushë", theksoi Ardian Alaj. Duke folur për rreziqet dhe kujdesin që duhet të kenë qytetarët në investime, ai u shpreh se disa raste kur paraqiten kompani me prejardhje të pakonfirmuar dhe nga ato duhet të kenë kujdes të interesuarit për investim në monedhat virtuale, për çka edhe janë të kujdesshëm si staf për të dhënë këshilla."Kujdes qytetarët duhet të kenë në EKS CHANGE ose kompanitë ku ata i deponojnë, ku i vendosin monedhat e ndryshme virtuale e ku janë më të sigurt që t'i mbajnë ato. Kemi shumë EKS CHANGE që janë të pakonfirmuar, nuk u dihet prejardhja e tyre se nga cili shtet vijnë dhe ky është një nga rreziqet më të mëdha që i pret qytetarët, pra këtu duhet të jenë shumë të kujdesëm për të ditur se ku po e krijojnë llogarinë, ku po e mbajnë investimin e tyre, që të jetë edhe rreziku sa më minimal. Kjo është një nga rreziqet kryesore në këtë industri, se ku ke vendosur për t'i mbajtur këto valuta virtuale", është shprehur ai. 

Image

 

Shatri: Çdo gjë që nuk garantohet nga institucionet financiare të Kosovës nuk është e sigur

t Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë, të legjislacionit dhe të fushave të ndryshme, e marrin pak me rezervë futjen në tregun e Kosovës të një produkti të tillë dhe konsiderojnë se edhe kjo fushë veprimtarie do të duhej rregulluar pa vonesë me legjislacion adekuat, ngase në mungesë të ligjit qytetarët nuk janë të sigurt për investimet e tyre dhe fare lehtë mund të mashtrohen, e përgjegjësinë të mos e marrë askush. "Çdo gjë që nuk garantohet nga institucionet financiare të Kosovës nuk është e sigurt. Kush dëshiron të vetëmashtrohet ne nuk mund ta ndalojmë", theksoi për "Kosova Sot" njohësi i mirë i fushës së financave, profesor Haki Shatri. Mirëpo, sipas Gurakuq Kuqit, politolog dhe njohës i kësaj veprimtarie, paraja elektronike (cryptocurrency) sot në botë është duke revolucionarizuar tregun e monedhave, që duket të jetë më i sigurt dhe i painfektuar nga virusi i korrupsionit, pasi përveç 'Bitcoin' ka edhe firma të tjera që janë në rritje, por nuk është një monedhë në zhvillim tek vendet e korruptuara, ku shumë nga to mundohen që ligjërisht të mos lejojnë përdorimin e parasë elektronike."Paraja elektronike konsiderohet si e pakorruptuar, ku nuk mund të bëhet shpëlarje e parave nëse është e rregulluar me ligj, përderisa në Kosovë madje tendencat reale dhe jo ato që na reklamohen janë që sa më pak të ketë pagesa elektronike, sepse kështu mundësohet shpëlarja e parave më lehtë. 'Bitcoin'- in në këtë rast nuk e duan vendet me qeverisje të keqe dhe që janë vendet si Bangladeshi, Kirgistani, Ekuadori, Bolivia, Nigeria, etj,. Ndërsa top 5 vendet, të cilat e preferojnë 'Bitcoinin' dhe kanë qeverisje të mirë janë Danimarka, Zelanda e Re, Irlanda, Holanda dhe Suedia. Sidoqoftë, raste të korrupsionit me 'Bitcoin' janë të njohura në botë, si ajo e skemës së një shtetasi rus, i cili u mundua të bëjë shpëlarje parash në vlerë 4 miliardë dollarë amerikanë, por ka edhe raste të tjera të njohura, për shkak të anonimitetit të profilit transaksionues dhe gjëra të tjera", është shprehur Kuqi. Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në cilësinë e ekspertit ligjor, thotë se personalisht është kundër funksionimit në tregun e Kosovës të kësaj monedhe virtuale që quhet "Bitcoin", sepse si monedhë nuk ekziston dhe në kuadër të garantimit të tregut nuk ka mbulesë."Dihet se monedha si vlerë përcaktohet nga dy baza kryesore dhe në bazë të saj ka vlerë blerëse dhe shitëse në treg. Pra janë rezervat e arit në bankat ndërkombëtare dhe prodhimet vendore. Këta janë dy mekanizma që mbulojnë paranë dhe e përcaktojnë vlerën. Dhe sa më shumë që monedha e një vendi mbulohet nga rezervat e shtetit në bankat ndërkombëtare, aq më shumë ka vlerë. Nëse më shumë mbulohet nga malli se nga rezervat vlera e monedhës bie. Kjo monedhë virtuale është sihariq dhe mjet për të vjedhur paranë e popullit. Ajo nuk ka vlerë fare. Si e tillë nuk garantohet dhe nuk mund të futet në tregje si mjete pagese dhe as të shitet a të blihet", theksoi profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Madje ai dyshon se parapa këtij produkti të panjohur për kosovarët dhe të pasigurt e të pagarantuar me ligj mund të qëndrojë dikush nga kupola politike e shtetit, prandaj përgjegjësia për ta thënë të vërtetën i takon MEFit."Jam i mendimit se prapa këtij aksioni në tërësi qëndron politika. Është mirë që ministri Avdullah Hoti të tregojë se si u fut në Kosovë dhe kush qëndron prapa. Pa këtë lidhshmëri midis organizatorëve të kësaj veprimtarie me ministrin e Financave, si dhe me kryeministrin, nuk mund të funksionojë. Kështu u veprua nga ministri në detyrë i Financave, z. Krasniqi, edhe me "Boren"në Bogë të Pejës, një firmë pothuajse fantome dhe që miqtë e tij dhe të LDK-së qëndrojnë prapa. Kjo po bëhet me qëllim që të krijojnë baza fitimprurëse. Organet kompetente duhet të i ndjekin, tani sa është ende herët, dhe çështja e tillë nuk është shpërndarë kudo në vend, do të duhej ndaluar", është shprehur ai. Në të kundërtën, sipas tij, plaçkitja e masave me miratim dhe me mbrojte të shtetit do të intensifikohet dhe kjo është krim i rëndë që do të duhej të dënohet, madje edhe me burg."Vetëm të përkujtojmë sistemin piramidal në Shqipëri. E tillë dhe është edhe kjo dhe asgjë më shumë këtu nuk ka", theksoi profesor Muhamet Kelmendi. Me rrezik mashtrimi e sheh qytetarin, nëse pa legjislacion adekuat zgjerohet kjo veprimtari, edhe analisti Faton Mehmeti."Monedha e quajtur 'Bitcoin' është mashtrim i pasur, një veprimtari abuzuese me mundësinë që qytetarët edhe të mund të kryejnë transaksione më të shpejta. "Në mungesë të ligjit që rregullon fushëveprimtarinë e kësaj monedhe, grupe të caktuara të interesit po shfrytëzojnë këtë vakum ligjor dhe institucional për të gllabëruar sa më shumë para që të mundin nga xhepat e qytetarëve të varfër të Kosovës. Edhe pse nuk ka ligj, institucionet e vendit do të duhej të mbikëqyrnin punën e kësaj monedhe dhe për të parë modelet e veprimtarisë së saj në vendet e ndryshme të botës", theksoi analisti Faton Mehmeti. Gazeta i ka dërguar pyetje gjatë ditës së djeshme edhe BQK-së dhe MEF-it, për të mësuar se në çfarë kushtesh po lejohet dhe si do të kontrollohet depërtimi i monedhës virtuale të tregun financiar të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjë njeri dhe as nga institucioni tjetër. 

(Kosova Sot)