< 200 milionë euro çdo vit për shërim jashtë vendit - Lajme - Kosova Sot
200 milionė euro ēdo vit pėr shėrim jashtė vendit

200 milionė euro ēdo vit pėr shėrim jashtė vendit

Badallaj: Për të shpëtuar jetën, qytetarët janë të detyruar të braktisin vendin

Kosova tanimë po shkel në dekadën e parë si shtet i pavarur, dhe gati dy dekada si realiteti i ri i mëvetësishëm i krijuar pas lufte, por një nga sektorët më të katandisur të fushës së mirëqenies sociale të qytetarëve, që nuk ka shpresa të përmirësimit të shpejtë është sektori i shëndetësisë. Këtë më së miri e dëshmon vetë fakti se tani shumica e të sëmurëve po kërkojnë shpresë dhe shpëtim jashtë Kosovës. Ky vrap jashtë kufijve të shtetit për shëndetin e qytetarëve ka edhe koston e vet të madhe. Së pakut janë mbi 200 milionë euro në vit që dalin nga xhepat e qytetarëve, por edhe të buxhetit të shtetit, e që shpenzohen për shërim jashtë vendi. Në pamundësi që të gjejnë shërim në spitalet e Kosovës, pacientët po detyrohen këtë ta kërkojnë në shtetet si Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Austria dhe Italia. Sipas njohësve të kësaj fushe, kjo është një pasqyrë që flet mjaftueshëm se edhe sektorin e shëndetësisë në fakt e ka në dorë kryesisht "nëntoka kriminale" kosovare, ku ky sektor ka krijuar multimilionerë me tenderë, ndërkaq që pothuajseyasgjë nuk është bërë as nuk po bëhet për sigurinë shëndetësore të qytetarëve, mjekimin brenda vendit. Sipas analistëve, asnjë qeveri e pasluftës nuk u mor me konsolidimin e gjendjes alarmante, por u morën vetëm me afera korruptive, procedura të shumta disiplinore, shkelje ligjore në prokurim publik dhe keqpërdorime në tenderë, të shoqëruara edhe me arrestime të disa ish-zyrtarëve të saj. Ish-anëtarë të Komisionit parlamentar për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, deputetë me mandate të fituar edhe për legjislaturën e radhës, besojnë se ndoshta vetëm qeveria e re e Kosovës që do të ndërtohet eventualisht nga këto zgjedhjet e fundit, do të merret më seriozisht me këtë sektor, derisa pajtohen që asnjë nga qeverisjet e kaluara nuk i ka kushtuar kujdesin meritor këtij sektori të rëndësishëm, jetik për qytetarin. 

Kadrijaj: Miliona euro po shpenzohen për dërgimin e një numri të madh pacientësh jashtë vendit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, konsideron që përgjegjësia u takon të gjithë ministrave në mandatet e kaluara, derisa thotë që PDK-ja si subjekt politik, asnjëherë nuk e ka pasur në këtë sektor ministrin e saj. Një mal kritikash për të kaluarën e këtij sistemi ka edhe deputetja Time Kadrijaj nga AAK, deputete nga mandati i kaluar, ish-anëtare e Komisionit për shëndetësi, dhe deputete me mandat të fituar edhe në zgjedhjet e fundit. Kadrijaj thekson se fatkeqësisht Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm e mandatit të kaluar, por edhe në mandatet paraprake, nuk është marrë me këto tema dhe ato para po shkojnë jo vetëm nëpër qendrat shëndetë- sore të shteteve të tjera, por edhe brenda vendit nëpër institucione private shëndetësore, po ashtu në qendrat e tjera rajonale shëndetë- sore jashtë vendit si Shqipëri, Maqedoni, Turqi e Gjermani. "Janë miliona euro që po shpenzohen për dërgimin e një numri të madh pacientësh, prandaj ne kemi kërkuar që të gjitha ato shërbime, të cilat mund të mbulohen me kuadër të Kosovës, e nuk po funksionojnë, të riaktivizohen, në mënyrë që pacientët të njëjtët shërbime më lehtë e më lirë t'i marrin në Kosovë, pranë institucioneve shëndetësore të Kosovës", është shprehur ajo për "Kosova Sot". Syla: Shëndetësia, arenë ku ndeshen gladiatorët e mëdhenj Kryetari i sindikatës së sektorit të shëndetësisë në Kosovë, Dr. Blerim Syla, i kontaktuar nga gazeta, theksoi se mendon që shëndetësia është katandisur në këtë gjendje sidomos kohën e fundit dhe për këtë situatë, sipas tij, fajtore është vetë politika. "Pra, duke qenë se politika udhëheq me shëndetësi e jo ekspertët shëndetë- sorë, situata është më se e qartë. Se si po ikin 200 milionë jashtë vendit, edhe kjo është e qartë dhe FSSHK disa herë ka apeluar për këtë dukuri, por asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje pothuajse nga askush, përfshirë këtu edhe disa media. Është më se e qartë që spitalet private që ju i keni përmendur mund të jenë sponzorizues të kësaj gjendjeje kaotike në shëndetësi. Ata mund të sponsorizojnë edhe disa medie, por pse jo edhe individë, të cilët krijojnë percepsion negativ për shëndetësinë kosovare, e me këtë formë popullata frikohet", theksoi Dr. Syla për "Kosova Sot". Ai thekson se ka interesa të grupeve të caktuara dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme. "Por, një është e sigurt, e kam cekur disa herë se shëndetësia është sektori, i cili i ngjan një arene, ku përleshen gladiatorët e mëdhenj. Pra, me këtë besoj se e kuptoni se politika është e futur thellë në këtë sektor e si për pasojë kemi ligje të paimplementueshme në shëndetësi (Ligji i prokurimit, Ligji i sigurimeve shëndetësore etj.) e kjo lë hapësirë për manipulime", tha Dr. Blerim Syla. Duke dëshmuar se politika nuk i ka dhënë asnjëherë prioritet të dukur këtij sektori, qeveritë e deritanishme ai thotë se këtë më së miri e dëshmon mungesa e programeve të veçantë të partive politike për këtë sektor.

shndërruar në biznesin më profitabil

Një mal dështimet i evidenton dhe numëron në shëndetësinë kosovare të këtyre 18 viteve edhe analisti Ymret Reshiti. "Shëndetësia publike është sektori më i zhytur në korrupsion dhe keqpërdorime. Ofrimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët është zero. Rekomandimet që dalin nga disa hulumtime janë tejet alarmante. Shëndetësia është njolla e zezë e aferave korruptive e shtetit të Kosovës. Me plot të drejtë mund të themi se shteti ka dështuar në menaxhimin e këtij sektori publik. Edhe pse pranë Ministrisë për Shëndetësi është një komision që vendos për kërkesat e të sëmurëve me sëmundje të rënda që duhet të trajtohen jashtë shtetit, ky komision është treguar tepër burokratik dhe neglizhent. Ka raste që për një kohë të gjatë nuk u vjen radha e shqyrtimit të kërkesës së pacientit, edhe pse është në pyetje jeta e pacientit. Zhagitjet janë tepër të mëdha. Vetë fakti se para këtij komisioni paraqesin kërkesa qytetarë me sëmundje të rënda dhe të cilat kërkojnë që me urgjencë ata pacientë të rregullojnë dokumentacionin dhe të dërgohen për shërim jashtë Kosovë , kjo nuk paraqet as shqetësim por as prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë", ka theksuar Reshiti. Ai thotë se duhet të kesh të njohshëm ose të përdoresh forma të interferencave antiligjore, që të realizosh një kërkesë të tillë apo që ta shqyrtojnë me kohë sa më të shkurtër kërkesën. Ndryshe ai ka thënë se edhe përkundër thithjes së ndihmave të majme ndërkombëtare në sektorin e shëndetësisë sidomos në renovimet e spitaleve dhe pajisjes me mjete dhe teknologji moderne, prapëseprapë spitalet tona nuk ofrojnë kushte për shërimin e sëmundjeve, madje edhe atyre sëmundjeve që për vendet e rajonit nuk konsiderohen si të vështira për t'u trajtuar. "Shpeshherë qytetarët e Kosovës detyrohen që të kërkojnë shërimin në vendet fqinje, edhe për sëmundjet që mund të trajtohen në spitalet e Kosovës, për shkak se ata nuk hasin në mirëkuptimin dhe vullnetin e personelit mjekësor për t'i trajtuar. Çka pritet prej personeli të spitaleve, të cilët janë në gjendje të vjedhin pajisjet e spitaleve që i kanë marrë donacion ose i ka blerë shteti. Në disa raste personeli i spitaleve dhe ambulancave merret me akte të sabotimit, duke dëmtuar me qëllim pajisjet-aparaturat mjekësore për përfitime financiare, duke i detyruar pacientët, që të shkojnë tek ordinancat private për trajtim mjekësor. Sëmundja nuk pret dhe kërkon trajtim urgjent. Për personelin mjekësor të Kosovës sëmundja pret, por nuk pret "pagesa kesh", që duhet ta paguash mjekun për të trajtuar sëmundjen". Pa ryshfet mjekët përtojnë t'i ngritin vetullat përpjetë e lëre më t'i përvjelin duart për të trajtuar", ka theksuar për "Kosova Sot" analisti Ymret Reshiti. Ai shton se shëndetësia është shndërruar në biznesin më profitabil në Kosovë. "Mjekët në spitale dhe ambulanca dalin për të hartuar listat me pacientë, të cilëve u thonë "ejani në ordinancë private se tani jam shumë i nxënë me punë". Disa mjekë kanë lidhur laboratorët, barnatoret e tyre private me punën e tyre zyrtare si mjekë dhe kanë krijuar klientelizëm", theksoi Ymret Reshiti. Sipas tij, lufta politike për të marrë poste në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtimin e QKUK-së dhe spitaleve rajonale është luftë mjaftë e ashpër dhe e gjatë, që flet mjaftueshëm për infiltrimin e grupeve të interesit kriminal. "Sektori i shëndetësisë ka qenë arena më e madhe e ndërhyrjeve dhe përplasjeve të mafisë politike për ta pasur këtë sektor publik si 'territor të operimit të veprimtarisë së tyre korruptive'. Përplasjet e mafisë politike për sektorin e shëndetësisë kosovare i kanë ngjarë luftës së kartelave të drogës si në Kolumbi. Emërime, shkarkime, aktakuza, kundër aktakuza, lirim nga përgjegjësia, rigjykime ... dhe marri të tjera! Është nevojë emergjente në shërimin e këtij sektori publik nga krimi dhe korrupsioni që po e shkatërron për ditë e më shumë", ka theksuar Reshiti. 

Image

 

Kelmendi: Mjerim është kur mjeku, operatori, tekniku a motra vjedhin mjete e medikamente

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë për "Kosova Sot" se është fakt që si i tërë sistemi social, ku bëjnë pjesë sektorë të ndryshëm të jetës, madje të rëndësisë së madhe, si arsimi, sigurimi pensionalo-invalidor, sigurimi i fëmijëve, ku të gjitha janë shumë keq, shëndetësia e zë vendin e parë për nga pozita shumë e rëndë. "Ne nuk kemi medikamente nëpër klinika e spitale. Ato si të sillen vidhen nga personeli nëpër ministri, nëpër organet shëndetë- sore nëpër komuna, në klinika dhe në spitale. Është shumë për të ardhur keq, kur sheh familjet, që jetojnë me ndihma a me të ardhura minimale, duke kërkuar ndihmë për medikamente për të afërmit e tyre në spitale. Mjerim është edhe kur mjeku, operatori, tekniku a motra vjedhin mjete dhe medikamente", është shprehur ai. Po aq konstatime negative ka edhe publicisti Skënder Mulliqi. "Shëndetësia e Kosovës është para kolapsit të plotë. Kërkohet ndërhyrje urgjente e organeve relevante për të përmirësuar gjendjen e keqe në shëndeti, ku seriozisht është duke u rrezikuar shëndeti i qytetarëve të Kosovës. Është keq kur shpenzimet totale për shëndetësi si përqindje e GDP sillen nën tre për qind. Këtë përqindje kaq të ulët e kanë vetëm shtetet e pazhvilluara të Afrikës. Kur kësaj ia shtojmë edhe keqmenaxhimet e tjera, atëherë nuk kemi si të presim shëndetësi më të mirë", është shprehur Mulliqi. Analisti Reshat Badallaj pohon se në fakt banditët e politikës në Kosovë sektorin e shëndetësisë e kane sjellë në gjendje të mjerueshme, pasi që këto banda hajdutësh nuk kanë financuar asgjë as për përmirësimin e shtretërve, e të mos flasim për më thellë. "Këtyre nuk u ka interesuar kjo, këta vagabondë të majave të shtetit dhe Qeveria kuislinge janë dhënë pas hajnisë. Merreni me mend sa që i sëmuri është i detyruar të marrë nga shtëpia dyshek e jorgan", është shprehur Badallaj. 

(Kosova Sot)

20 orë e 2 minuta më parë