Trump dhe Kim Jung Un vringëllojnë me armë

  • 12 August 2017 - 19:36
Trump dhe Kim Jung Un vringëllojnë me armë

P residenti Donald Trump e ngriti retorikën e tij luftënxitëse në një nivel më të lartë, në kuadër të konfrontimit me Korenë Veriore, pasi të premten tërhoqi vërejtjen se SHBA-ja është e gatshme për luftë. Trump e bëri këtë kërcënim me anë të një postimi në "Twitter" nga klubi i tij i golfit në Nju Xhersi, të premten mbrëma.

Lansuesit e bombave në Guam, të gatshëm

Opsionet ushtarake janë tërësisht të gatshme, me armë të mbushura, në rast se Koreja e Veriut bën ndonjë veprim jo të mençur. Shpresoj që Kim Jong Un do ta gjejë një rrugë tjetër", shkruan Trump. Ai nuk la pa përmendur as lansuesit e bombave që gjenden në Guam, në kuadër të një misioni '#FlightTonight', nëse ai do të jetë i nevojshëm. Këta bombardues përmbajnë nga 168 bomba secili dhe janë ndër asetet që mund të përdoren për ta sulmuar Korenë Veriore. Por, as Koreja Veriore nuk i ngeli borxh Trumpit, duke dalë me një deklaratë të përgatitur me zell, ku SHBA-ja quhet luftënxitëse. "SHBA-ja nuk është e vetëdijshme që nëse në territorin e gadishullit korean bie qoftë edhe vetëm një predhë, ajo mund ta shënojë fillimin e një lufte të re botërore, një lufte termonukleare", thuhet në deklaratën e Koresë Veriore. "Për neve SHBA-ja nuk është e vogël sa kokrra, të cilën mund ta shtypim kur të duam", thotë Penjani. Vërejtja online e Trumpit erdhi pasi ai kishte dalë me fjalë të ashpra para kamerave, ditën e enjte, drejtuar lid erit të Koresë Veriore, Kim Jung Un. "Nëse ai bën ndonjë gjë në Guam, atëherë ajo që do të ndodhë në Korenë Veriore do të jetë një përgjigje e paparë ndonjëherë në botë". I pyetur nëse kjo deklaratë është e guximshme. Trump u përgjigj: "Nuk bëhet fjalë për guxim, por për një deklaratë. AI nuk mund të vazhdojë ta kërcënojë Guamin, ai nuk mund të vazhdojë ta kërcënojë SHBA-në, as Japoninë. Ai nuk mund të vazhdojë ta kërcënojë Korenë Jugore. Kjo nuk ka asgjë të bëjë me guximin, por me shprehjen e realitetit". Këto deklarata të Trumpit bëhen në prag të stërvitjeve ushtarake me aleatët, që pritet të zhvillohen më vonë, gjatë këtij muaji.

Paralajmërim i i Kinës

Pentagoni ka një plan të detajuar rreth një sulmi ushtarak kundër Koresë Veriore, duke përdorur bombarduesit e rëndë nga Guami, territori i fortifikuar amerikan, të cilin Penjani është duke e kërcënuar me raketa. Trupat amerikane tanimë kanë bërë ushtrime rreth këtij sulmi. Përkundër të gjithave, Kina do të intervenojë nëse SHBA-ja e sulmon Korenë e Veriut e para. Këtë e thotë një gazetë shtetërore kineze. Sipas këtij shkrimi, Kina do të mbetet neutrale, nëse Koreja Veriore sulmon e para. m"Nëse SHBA-ja dhe Koreja Jugore do të bëjnë sulme dhe duan që ta rrëzojnë regjimin e Koresë Veriore dhe përbërjen politike të gadishullit korean, atëherë Kina nuk do t'i lejojë ato që ta bëjnë një gjë të tillë". Këto vërejtje vijnë pas eskalimit të tensioneve midis SHBA-së dhe Koresë Veriore.

Kërcënimet e Penjanit

Penjani ka bërë kërcënime publike dhe ka folur rreth planeve për ta lansuar një sulm bërthamor në Guam, pasi presidenti amerikan deklaroi se çdo kërcënim i mëtejmë kundër SHBA-së do të trajtohet me 'zjarr dhe zemërim". Shefi i Pentagonit, James Mattis, lëshoi vërejtjen e vet, duke i thënë Kim Jong Unit se, nëse bën ndonjë sulm kundër SHBA-së, atëherë rrezikon ta shkatërrojë regjimin, familjen dhe popullin e tij. Kina është aleati më i rëndësishëm dhe partneri më i madh tregtar i Koresë Veriore. Kina ka shprehur indinjatën e saj dhe ka bërë thirrje për gjakftohtësi gjatë krizës aktuale. Ajo ka shprehur frustrimin si me testet e përsëritura të Penjanit, me koka luftarake, apo bërthamore, po ashtu edhe me SHBA-në e cila duket se është duke i fryrë zjarrit të konfliktit. Përkundër rritjes së tensioneve në regjion, Pekini ka bërë stërvitje të gjera ushtarake me dhjetëra anije, avionë luftarakë dhe nëndetëse, derisa ka vendosur 150,000 trupa në kufirin e saj me Korenë Veriore. Duke e quajtur situatën në Korenë Veriore "të komplikuar dhe të ndjeshme", ministria e Jashtme e Kinës lëshoi një deklaratë ku të gjitha palëve ua tërhiqte vërejtjen se duhet t'i evitojnë fjalët dhe veprat që e eskalojnë situatën. Moska në anën tjetër ka demonstruar fuqinë e saj me anë të stërvitjeve tepër të gjera ushtarake në Siberi. Edhe Gjermania ka apeluar te SHBAja dhe Koreja Veriore që të përmbahen nga lufta e fjalëve.

(Kosova Sot)