Perëndimi godet politikën e dështuar kosovare

  • 15 August 2017 - 08:03
Perëndimi godet politikën e dështuar kosovare

Lufta e ashpër për pushtet lë në hije interesin publik

Shqetësimi i ambasadorëve të Quintit duhet të kuptohet si mesazh i fortë për politikanët e Kosovës, që të tregojnë pjekuri politike, d.m.th, menjëherë të formojnë institucionet e Kosovës. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend, të cilët po e shohin si shuplakë të radhës që u vjen nga ambasadorët e vendeve të Quintit ndaj liderëve politikë të Kosovës që po kërkojnë nga liderët politikë që të bëjnë zgjidhje për ngërçin politik dhe të marrin pjesë në çdo seancë të thirrur të Kuvendit. Komunikata e Quintit nuk përjashton asnjë parti, duke i bërë përgjegjëse që të gjitha për krizën e dëmshme të krijuar. Për atë se a po synojnë të zgjedhurit në Parlament sa më shumë ta shtyjnë çështjen e Kuvendit për të shkuar pastaj sërish në zgjedhje të reja, dhe pse edhe ndërkombëtarët janë bindur se po qe se nuk krijohen menjëherë institucionet, do të kemi zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se mosmarrja pjesë apo bojkotimi i seancave të Kuvendit nga ana e PAN-it është në të vërtetë një papërgjegjshmëri skajshmërisht e papranueshme dhe njëherësh tejet e mospërfillshme ndaj obligimeve kushtetuese si koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas tij, në të vërtetë PAN-i ka dy muaj që ka proklamuar se i ka numrat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, si zgjedhje e parë e institucionit legjislativ, pastaj të kryeministrit dhe më pas të Qeverisë, për t'i dhënë Kosovës institucionet demokratike të dala nga zgjedhjet e qershorit, por, siç tha, në dy seancat e Kuvendit u vërtetua se PAN-i nuk i paskësh numrat për të bërë Qeverinë.

Pasojat i vuan vendi

Kelmendi theksoi se në anën tjetër doli edhe kundërshtimi i LVV-së dhe LAA-së për të mos e votuar të nominuarin për kryetar Kuvendi nga PAN-i, Kadri Veselin. "Meqë u ndërpre seanca e parë konstitutive e Kuvendit e tre gushtit, në të dytën e radhës PAN-i nuk mori pjesë fare, duke mos marrë pjesë as në seancën e radhës, në të vërtetë kështu po vazhdon cirku i kësaj loje hipokrite dhe të papërgjegjshme ndaj interesave të vendit dhe qytetarëve pa lënë anash edhe grupin tjetër LAA apo LVV pa dashur të jenë të përgjegjshme për t'u afruar dhe për të gjetur zgjidhje për krijimin e institucioneve. Kjo lojë dhe kjo mospërgjegjësi totale e partive ndaj interesave të vendit, duke krijuar kështu bllokadë institucionale, ka indinjuar jo vetëm qytetarët e vendit, por duket se edhe ambasadorët e Quintit bënë thirrje papërjashtimisht për të gjitha partitë, ngase mbajnë përgjegjësi institucionale dhe politike për të gjetur zgjidhje dhe për ta tejkaluar krizën politike që po i kushton vendit dhe po vazhdon të jetë e dëmshme për proceset në vend", është shprehur ai. "Të zgjedhurit e popullit nga vota e lirë e elektoratit, në këtë rast koalicioni PAN nuk do të duhej t'i bllokonte seancat e Kuvendit, ngase ka edhe përgjegjësi kushtetuese, por edhe ndaj elektoratit për të krijuar institucionet. Pse të mos provonte me kandidatin e propozuar dhe nëse nuk kalon të shkonte me një propozim tjetër që do të ishte më i pranueshëm, e jo që vetë këta, si koalicion fitues i zgjedhjeve të mos marrin pjesë në seanca. Kjo gjendje e ngrirë vetëm se do ta vazhdojë krizën, ndërsa pasojat e moskrijimit dhe mosfunksionimit të institucioneve po i vuan vendi dhe qytetarët pikërisht nga mospërgjegjshmëritë politike të partive, e vërtetë këtë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës, që të mbesin gjithmonë peng të lojërave e inateve dhe peng të mospërgjegjësisë e mospërgjegjshmërisë së partive politike", u shpreh analisti Naim Kelmend

Kërkohet pjekuri politike

Analisti Ymret Reshiti thotë se shqetësimi i ambasadorëve të Quintit duhet të kuptohet si mesazh i fortë për politikanët e Kosovës, që të tregojnë pjekuri politike, d.m.th. menjëherë të formojnë institucionet e Kosovës. Por, sipas tij, përgjegjësinë për zvarritje të formimit të institucioneve të Kosovës edhe sipas Kushtetutës sonë e ka koalicionit PAN, dhe ky koalicion nuk duhet të bëjë më obstruksione dhe veprime destruktive, sepse po anashkalon obligimet kushtetuese për t'iu nënshtruar procedurave të formimit të institucioneve të Kosovës. " Dy çështje janë të qarta; një, koalicionit më të madh parazgjedhor i takon vendi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dy, propozimi i parë për mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës, prandaj koalicioni PAN duhet të reflektojë. Shpresoj se ambasadorët e Quintit i kanë të qarta këto gjëra, prandaj për ta janë të papranueshme tentimet që të shkaktohet krizë politike e panevojshme në dëm të interesit të shtetit të Kosovës. Gishti i fajit i është drejtuar koalicionit PAN, i cili koalicion nuk duhet të bllokojë punën e formimit të institucioneve kushtetuese përmes bojkotit të seancave të Kuvendit", theksoi ai. "Praktika e bojkotit të seancave të Kuvendit është shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe vetë vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka sqaruar disa procedura. Habitë fakti se si partitë institucionaliste- shtetndërtuese të Kosovës si PDK, AAK dhe Nisma po bojkotojnë seancat e formimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, duke shkelur mbi çdo normë kushtetuese, demokratike dhe vlera të luftës për të cilat ato thirren orë e çast vetëm për të realizuar interesat personale!", ka shtuar Reshiti. Ai ka nënvizuar se komunikata e ambasadorëve të Quintit ka mesazhin e qartë për përgjegjësin e bllokadës, teksa, sipas tij, pohimi i tyre se institucionet i formon ai subjekt që ka shumicën në Kuvend, është një vërejtje ndaj gjithë subjekteve politike që të heqin dorë nga obstruksionet dhe bllokadat e procesit, por duhet të respektojnë parimet, demokracinë dhe Kushtetutën. Më tej, ai thotë se është e papranueshme që koalicioni politik PAN, i cili sipas Kushtetutës ka të drejtën që të propozojë Kryetarin e Kuvendit nuk merr pjesë në seancën konstitutive. " Koalicioni PAN në mënyrë antikushtetuese po kushtë- zon pjesëmarrjen e tyre në seancë konstituive, vetëm nëse njëri nga subjektet politike, LAA ose LVV, do t'i bashkëngjiten koalicionit PAN për formimin edhe të Qeverisë. Nuk është as demokratike dhe as kushtetuese që të kërkosh në mënyrë demonstrative numra të deputetëve për të formuar Qeverinë e Kosovës nga subjektet që nuk dëshirojnë të bashkëqeverisin me ty. Rregullat e Kushtetutës janë të qarta, se kush e ka shumicën e vendeve në Kuvendin e Kosovës mund ta formojë Qeverinë e Kosovës", tha Reshiti. 

Tronditja e PDK-së

Ndërsa, sa i përket asaj se a po synojnë të zgjedhurit në Parlament sa më shumë ta shtyjnë çështjen e Kuvendit për të shkuar pastaj sërish në zgjedhje të reja, Reshiti në këtë drejtim mendon se shikuar realisht nga disponimi i popullit për ndryshime të reja, vetëm LVV-së i konvenojnë zgjedhjet e reja të përgjithshme, e cila mund t'i fitojë 50 deputetë, gjë që do t'ia mundësonte ta formojë e vetme Qeverinë e Kosovës. "Këtë gjë sigurisht e dinë mirë dhe duhet ta dinë drejtuesit e koalicionit PAN, të cilët nga zgjedhjet e reja vetëm sa mund të zhgënjehen edhe më shumë me rezultatet. Këto sjellje të koalicionit PAN, unë i shoh më tepër si një tronditje te PDK-ja, e cila po e konsideron jetike mbetjen në pushtet. Rrezikun e tyre më të madh e shohin te LVV-ja, e cila nëse vjen në pushtet i ka premtuar publikisht qytetarëve se do ta shkapë shtetin nga PDK-ja, dhe se do ta ketë prioritet luftimin e krimit dhe korrupsionit, pra fenomenet që e kanë prekur me të madhe PDK-në. Ndoshta koalicioni PAN si zgjidhje të fundit të "tragjedisë së tij " edhe mund ta mendojë dhe "të provojë" shkuarjen në zgjedhje të reja, por kjo mund të jetë dëshirë e tyre, por jo mundësi e shpëtimit të humbjes së pushtetit. Sipas Kushtetutës, Qeverinë e formon ai që ka shumicën në Kuvend, pra 61 deputetë. Kjo tashmë është e qartë, dhe nëse PAN-i nuk i ka 61 numra në votimin e parë, duhet të lëshojë rrugë konform Kushtetutës dhe që ta lejojë subjektin tjetër politik që i ka 61 deputetë të tentojë ta formojë Qeverinë. Vetëm në rast se asnjë subjekt politik nuk mund të dëshmojë me shkrim te presidenti i Kosovës se i ka 61 deputetë, atëherë mund të mendohet për zgjedhje të reja. Por, pres nga ambasadorët e Quintit, që me deklaratën e radhës t'i drejtohen presidentit të Kosovës dhe PAN-it për të vepruar si në rastin e Maqedonisë, që mandatari për formimin e Qeverisë në herën e dytë t'i kalojë subjektit të dytë politik që i dëshmon 61 deputetë. Ambasadorët e Quintit presionin duhet ta bartin vetëm tek të vetmit fajtorë të bllokimit të procedurave të formimit të institucioneve, pra te koalicioni PAN, për t'iu shpjeguar atyre që të mos llogarisin në përkrahjen e ambasadorëve të Quintit, nëse vazhdojnë që të bllokojnë procedurat e formimit të institucioneve dhe nëse cenojnë të drejtën e subjekteve të tjera për formimin e Qeverisë së Kosovës", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ymret Reshiti. 

Alibia e PAN-it për numrat

Gurakuq Kuçi- politolog, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, mendon se synimi i PAN-it, apo PDK-së ishte pikërisht si edhe herëve të kaluara të imponojë pushtetin e saj në versionin e saj ku nëpërmjet krizës politike të detyrojë ndërhyrjen e vendeve të Quintit, gjë që, sipas tij, edhe ndodhi, dhe sigurisht vendet e Quintit nuk mund të jenë të njëanshme në deklaratën e tyre publike, por për PAN- in (PDK) kjo deklaratë ishte paksa zhgënjyes për dallim që herëve të kaluara ndërhyrja ishte më e qartë dhe më e drejtpërdrejtë. " Por, kjo gjë, edhe pse i konvenon PAN- it të fitojë alibi të reja për bërjen e numrave për kryeparlamentarin dhe Qeverinë, e dëmton rëndë Kosovën, të cilën e vënë para indikatorëve që tregojnë për një shtet jofunksional dhe paaftësi politike. Megjithatë, vendet e Quintit janë tejet të afta që të bien pre e mashtrimeve klasike dhe qartazi kanë treguar që nuk kanë simpati për askënd, por duan institucione legjitime, legale dhe morale. Sigurisht, tani partitë që dolën humbëse nga zgjedhjet, si PDK dhe LDK, synojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje të përgjithshme së bashku me ato lokale për të njëjtësuar dhe për të rikthyer votën e humbur, duke shtyrë qytetarët që të votojnë partinë e njëjtë si për nivelin lokal, ashtu edhe atë qendror, gjë që nuk i bën mirë demokracisë në Kosovë", u shpreh ai. "Por, as vendet e Quintit nuk lejojnë më tutje forcimin e oligarkisë, por as lojën euforike për pushtet të opozitës si VV- ja. Andaj, këtë e kanë të qartë vendet e Quintit se, përveç tendencës për dy palë zgjedhje më 22 tetor, është edhe ndalja e rritjes së VV-së, e cila në nivelin lokal ka më pak kandidatë popullorë se partitë e tjera, dhe kështu tentohet që me çdo kusht t'u zgjatet jeta politike kastës së vjetër politike", spikati për gazetën "Kosova Sot" Gurakuq Kuçi. 

Image

 

Nuk përjashtohen zgjedhjet e reja

Analisti Skënder Mulliqi shprehet se duket ashiqare se këtë klase politike e ka bërë bashkë keqqeverisja e vendit, keqpërdorimet e mëdha e të vogla dhe shumë marifete të cilat nuk kanë të bëjnë më shtetndërtim dhe mirëqenie, derisa, sipas tij, këtë e dokumentoi e gjithë periudha e pasluftës, ku secila qeveri punoi më keq se tjera, dhe në vend që situata politike dhe situata ekonomike e sociale të përmirësohet, krimi dhe korrupsioni janë bërë fatkeqësisht pjesë e jetës sonë. "Pas luftës na ndodhën edhe shumë vrasje për motive të ndryshme, e disa edhe për motive politike. Të gjitha këto kanë bërë që të kemi edhe ndërhyrje të shpeshta të faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Vendet e Quintit kanë reaguar disa herë deri më sot, duke bërë vërejtje serioze lidhur më keqqeverisje, dhe vërejtje të tjera të natyrës politike. Kanë kërkuar që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, etj. Edhe kësaj radhe vendet e Quintit kërkuan më shumë përgjegjësi nga partitë politike shtetformuese dhe kërkuan që të mos prolongohet krijimi i institucioneve të shtetit të Kosovës. Por, duket se partitë politike janë të interesuara që prapë të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme dhe po dëshirojnë që këto zgjedhje të mbahen bashkë me zgjedhjet lokale të 22 tetorit", ka potencuar ai. "Dihet se PDK-ja pësoi fiasko në këto zgjedhje, duke rënë në 18 për qind, dhe kjo është që ata po kërkojnë prapë zgjedhje të reja, sipas logjikës mos të mbytemi tash, por më vonë, ose me motivacionin se mos ndryshon gjendja në favor të tyre. PAN-i nuk mori pjesë në pesë seancat e Parlamentit, të cilat i thirri kryesuesi Adem Mikullovci. Vendi ka mundësi të rrëshqet prapë në krizë të thellë institucionale dhe kjo po i cenon seriozisht edhe interesat e vendit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme tashmë janë bërë të zakonshme. Kjo praktikë flet se këto parti politike dhe kjo klasë politike nuk është në gjendje për arsye profitereske që gjërat, të cilat po shkojnë mbrapsht në Kosovë, të kthehen për së mbari", u shpreh më tutje Mulliqi. Sipas tij, kapja dhe klintelizmi janë duke e shkatërruar Republikën. "Kosova ka nevojë për ndryshme pozitive, ka nevojë për mirëqenie dhe zhvillim. Të gjithë ata të cilët janë të implikuar në krim dhe korrupsion nuk e kanë vendin në institucionet e shtetit. Banditizmat e ndryshëm e kanë futur vendin në varfëri të skajshme, në krizë politike të pafund. Po dëshmojmë gjithnjë e më shumë para vendeve të Quintit se nuk kemi ndijesi politike për të ndërtuar shtetfunksional, ligjor dhe demokratik. Miqtë tanë jemi duke i dëshpëruar se nuk jemi të zotët të bëjmë shtet si duhet. Bllokadat e pafundme politike institucionale janë logjikë e vendeve të pazhvilluara të Afrikës", ka thënë Mulliqi. 

Bllokada e panevojshme

Analisti Blerim Burjani ka konsideruar se të gjithë janë përgjegjës për lojëra të tilla politike, pasi në këtë shtet, sikur në cilindo shtet tjetër, partitë obligohen të veprojnë në harmoni me interesat e qytetarëve dhe shtetit, por në Kosovë partitë politike refuzojnë të zbatojnë Kushtetutën e vendit, i bllokojnë institucionet për inate të tyre, edhe pse është botërisht e njohur se kryekuvendari i takon PAN-it, partitë opozitare nga inati nuk e votojnë atë. " Kjo temë është kushtetuese, s'ka këtu për inati dhe për gjera të tjera të kota të mbeten institucionet të pakonstituara, askush nuk ka të drejtë të vërë kushte në themelim të institucioneve dhe të shkelë Kushtetutën e vendit. Kjo është dhe mbetet gjithmonë e qartë për të gjithë këta njerëz që jetojnë prej buxhetit të qytetarëve dhe politikën nuk e shohin si mandat, por si vende pune dhe për interesa të tjera, këto gjëra tashmë e 17 vjet qytetari i vendit është duke i përjetuar", theksoi ai. "Shtetet e Quintit e dinë se përgjegjës janë të gjithë për këtë, pra të gjitha partitë, është edhe e çuditshme të gjitha gjërat lidhen për interesa personale të këtyre njerëzve, nuk lëshojnë pe, nuk kanë tolerancë, nuk e duan dështimin, edhe pse janë të padijshëm tentojnë gjoja të merren me udhëheqje të popullit. Kosova është i vetmi shtet që politikën e ka punë dhe çdo gjë, askund në botë nuk ka gjëra të tilla, me politikë merren njerëzit e klasës së biznesit edhe klasat e tjera, por nuk merren të papunët", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Blerim Burjani.

(Kosova Sot)