Sheikët kosovarë të naftës dyshohet se janë politikanë

  • 17 August 2017 - 08:10
Sheikët kosovarë të naftës dyshohet se janë politikanë

Kontrabanda dhe evazioni, "me lejen" e shtetit

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 18 vjet nga liria e plotë e vendit nga Serbia, Prokuroria Speciale e Kosovës deri më sot nuk e ka hapur madje as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura më të larta politike dhe shtetërore qofshin ata, të pozitës apo të opozitës, qëndrojnë fshehtas prapa kompanive të mëdha që merren me importin dhe shitjen e derivateve të naftës. Si dihet, ka dyshime të mëdha se këto kompani merren me qarkullime qindra-milionëshe dhe përfitime disa dhjetëra-milionëshe brenda çdo viti në Kosovë, të cilët për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë secila më shumë se 5000 autocisterna - autobote, ose me nga 170 - 200 milionë litra naftë e benzinë, duke bërë një qarkullim prej mbi 200 milionë euro. Analistët thonë se ka dyshime të mëdha se në Kosovë të gjitha kompanitë e derivateve të naftës i kanë bashkë- aksionarë të fshehtë, gjegjësisht shefat e tyre, politikanët e nivelit ose të majave më të larta të shtetit. Me gjithë pyetjet e dërguara për këtë çështje në adresën e tyre elektronike, se çka mendojnë Prokuroria Speciale e Shtetit dhe përse nuk flet AKI-ja, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës. 

Nëntoka kriminale shkakton evazion fiskal

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot' se Kosova nuk ka Prokurori tamam si duhet të jetë një Prokurori, por ajo më tepër është bërë një organ politik, që vetëm sa e legjitimon krimin ekonomik, përmes të cilit politikanët i mbushin xhepat e tyre me miliona. "Nëse i referohemi shifrave prej 200 milionë dollarësh naftë që hyjnë në Kosovë brenda vitit, të gjitha ato kompani pa pronarë të vërtetë të tyre në listat legale, janë fitime që i mbushin xhepat e politikanëve dhe bandave dhe mafive". Ai tha se politikanët e Kosovës janë banditë, haraçlinj dhe mafiozë, të cilët nuk kanë as integritet dhe as moral dhe as njerëzi. "Kjo është Kosova e katandisur, e cila po prodhon mjerim për qytetarët e saj dhe luks për politikanët, kjo është Kosova e vogël që pasuron bandat dhe varfëron të ndershmit. Nëntoka kriminale e Kosovës, duke shkaktuar evazion fiskal, po u ikin taksave dhe tatimeve të vendit, duke korruptuar doganierët, të cilët janë shërbëtorë të tyre", u shpreh ai. Analisti Mehmeti tha se Kosova po vazhdon që të pasurojë politikanët, të cilët brenda vitit fusin "arin e zi" në vlere 1 miliard euro, e pa asnjë kontroll apo doganim. "Ky është mjerim që i bie barrë drejtë- sisë, e cila është katandisur si mos më keq". Ai tha se e tëra kjo po ndodh me disa servilë, disa gjyqtarë të korruptuar dhe shërbëtorë të kriminelëve dhe bandave u mundëson paprekshmërinë nga drejtësia. Në një vend ku drejtësia është shërbëtore e politikës, aty anarkia pushton dhe rrënon çdo gjë.

Krimi ekonomik po lulëzon

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se nuk ka fije dyshimi se në Kosovë është duke lulëzuar krimi ekonomik. "Kriminelët janë në majat e larta të shtetit, në bandat politike dhe të gjithë këta hajdutë dhe kriminelë, që veprojnë në dëm të Kosovës, janë të lidhur shumë ngushtë me sistemin gjyqësor të Kosovës. Dhe, se të gjithë këta e ndajnë pazarin bashkë", u shpreh ai. "Banditët që janë figurat e larta të bandave politike janë drejtuesit e këtij krimi dhe kanë në kontroll të rreptë dhe në syrin vëzhgues çdo gjë.Tashmë të pyesësh edhe një qytetar të rëndomtë po thonë :" Naftën e kanë këta,lojërat e fatit i kanë këta,shitjen e tokave të shtetit i kanë këta,ekonominë e drejtojnë këta hajna", u shpreh ai. "Këta kanë nën kontroll hajninë se si pasurohen ilegalisht,pa djersë dhe të gjitha paratë e pista i plasojnë në bankat e huaja. Sepse, sa e sa miliarda kanë vjedhur dhe e kanë dëmtuar shtetin këta hajna dhe banditë që nga pas lufta. Ngase, ata për 18 vjet e kanë vjedhur pa pushuar shtetin dhe këta hajna kanë treguar pa i pyetur kush. Nëntoka kriminale e udhëhequr nga këta kryebanditë janë duke bërë kërdi, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit", theksoi analisti Badallaj-Zhuriani. 

Nafta nuk kontrollohet

Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se institucionet shtetërore duhet që të punësojnë dukshëm më shumë gjyqtarë dhe prokurorë nëpër gjykatat e Kosovës, për shkak se shumë lëndë dhe shumë raste kanë mbetur nëpër sirtarët e gjykatës ende pa u hetuar dhe pa u zbardhur. Sipas tij, ata që sot e drejtojnë Qeverinë e Kosovës, disa nga ata i kanë edhe pompat e tyre të derivateve nëpër gjithë territorin e Kosovës. Ai thotë se, nëse e shikojmë me syrin njerëzor, mund të themi, në rregull është se punësojnë të rinjtë dhe shumë persona. "Por, nga ana tjetër nafta dhe dizelli në vendet e panjohura me cisterna ndalen dhe përzihen me ujë, prandaj Policia e Kosovës së bashku me Doganën duhet të mos lejojnë që cisternat me naftë që vijnë nga jashtë vendit pa u kontrolluar cisterna dhe cilësia e naftës, se vetëm në këtë mënyrë mund ta mbrojnë konsumatorin nga mashtrimi", potencoi ai. 

Image

 

Të zbardhen pasuritë e dyshimta

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se në të vërtetë është mirë që në vendin tonë të dihet pasuria e secilit individ, qoftë të biznesit apo të politikës. "Gjykatat dhe Prokuroria dhe mekanizmat e tjerë duhen të dalin me të dhëna të sakta se kush qëndron mbas bizneseve të dyshimta dhe që e dëmtojnë buxhetin e vendit. Ka ardhur koha që të dihet se në të vërtetë kush është duke i kontribuar këtij vendi dhe të dihet kush është duke e dëmtuar këtë vend për një perspektivë evropiane", u shpreh ai. Neziraj thotë se tani patriotizmi dhe dashuria ndaj vendit është të veprosh për një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit. "Në të vërtetë, shumë flitet se pas kësaj ndërmarrje apo tjetrës qëndron ky ose ai politikan edhe në lëmin e derivateve të naftës edhe në privatizim e lëmenj të tjerë". Neziraj beson se është koha e fundit që të sqarohet në të vërtetë se kush qëndron pas tyre dhe nëse ka shkelje ligjore, atëherë përse mos të veprohet nga të gjithë ne dhe të gjitha subjektet politike që janë duke deklaruar se askush nuk bën për të qenë mbi ligjin

Gjysma e pompave të pafiskalizuara

Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se partitë e politikanët i fshehin burimet e financave. "Përkundër faktit se financohen nga Buxheti i Shtetit, marrin paga si deputetë e qeveritarë, si staf...ata marrin fshehurazi edhe donacione e subvencione nga bizneset për t'u kryer favore të ndryshme-kryesisht kundërligjore. Partitë politike, shumica, janë në raporte lobiste me bizneset e ndryshme, edhe të bizneseve të mëdha naftëtare, për shijen e të cilave hartojnë, miratojnë e " zbatojnë " ligje ", u shpreh ai. Kaçaniku tha se institucionet, asociacionet e mekanizmat e shtetit ( zyrtarët, stafi...), që po ashtu financohen po nga ky buxhet, me (pa)marrëveshje e pa të drejtë pranojnë mjete financiare - jo rrallë të cilë- suara si korrupsion, zhvatje, detyrim. "Dhe, të mos harrojmë, sepse po flasim për një treg, i cili qarkullon rreth 700 milionë euro në vit. Prej nga për arkën e shtetit merren, ndahen mbi 300 milionë euro mbi 15 për qind të buxhetit. Kjo, ngase gjysma pikave të karburanteve nuk janë fiskalizuar ,pra punojnë në të zezën", theksoi Kaçaniku. 

(Kosova Sot)