Kosova rrëshqet në modelin oligarko-korruptiv rus

  • 18 August 2017 - 07:59
 Kosova rrëshqet në modelin oligarko-korruptiv rus

Biznesmenët sponsorojnë politikanët, këta të fundit i favorizojnë

Në Kosovën e pasluftës ka zënë rrënjë fenomeni që po e dëmton dhe po e shkatërron shumë rënë ekonominë edhe ashtu të brishtë, ku shumë politikanë vendimmarrës kanë ndikime të mëdha, interesa të fuqishme në disa biznese të inkriminuara në vend. Analistët janë të mendimit se ka dyshime të mëdha se këta politikanë mafiozë po i favorizojnë fuqishëm vetëm këto biznese edhe kundërligjshëm. Ata thonë se politikanët e inkriminuar nga ato biznese marrin haraçi, duke shkelur me të dyja këmbët mbi sipërmarrjen e ndershme e të pambështetur e të nëpërkëmbur private. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, kjo edhe ka bërë që shumë nga politikanët të bëhen milionerë me një pasuri të dyshimtë dhe të pajustifikueshme. Eksperti i fushës së drejtësisë dhe ligjëruesi, Blerim Burjani ka thënë për gazetën "Kosova Sot", se kjo klasë politike po shkatërron ngadalë dhe sigurt perspektivën e zhvillimit të ekonomisë së tregut. "Mbajtja e sektorit privat në shantazh, mosfunksionimi i ekonomisë së lirë të tregut dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në sektorin privat kanë sjellë telashe të mëdha në ekonominë vendore dhe sektorë të shantazhuar nga klasa politike", është shprehur ai. 

Stabiliteti në rrezik

Burjani është i mendimit se perspektiva për çdo ditë po vjen duke u zbehur edhe investitorët e huaj nuk po kanë asnjë garanci për një stabilitet dhe korrektësi të funksionimit të ekonomisë së tregut. "Rënia e interesimit dhe proceset në arbitrazhe po e rëndojnë shumë klimën investive në Kosovë. Askush nuk vjen për të investuar në një shtet ku duhet pasur një kohë në rast kontesti të pritet me vjet vendimi i arbitrazhit. Pra, këtu është problemi kryesor dhe fitohet përshtypja se i tërë shteti dhe qytetarët jetojnë vetëm prej aseteve shtetërore publike, por jo edhe private", u shpreh më tutje ai . Sipas Burjanit, ka përplot dyshime në këtë temë dhe përflitet për më keq se askush nuk është akuzuar dhe dënuar për haraç. "Asnjë gjykatë nuk ka dënuar asnjë politikan për haraç, ndoshta nuk ka siguri as Gjyqësori, por kjo mund të kuptohet vetëm kështu joguxim, shantazh që mund të ketë eventualisht kërcënime për njerëzit e drejtësisë, edhe as deri më tash nuk ka pasur denoncime nga prokurorët ", potencoi Burjani. "Pasurimi pa bazë një ditë do të zbardhet plotësisht, por vetëm atëherë kur të ndodhin ndryshime demokratike në shtet dhe kur funksionon rendi dhe ligji. Do të ketë konfiskim të plotë të pasurisë së të gjithë këtyre njerëzve, të cilët janë pasuruar në kurriz të popullit, sepse drejtësia herët a vonë do të ndëshkojë këtë klasë politike për të vënë në binarë drejtësinë e merituar", theksoi ai.

Image

 

Klanet vendosin për gjithçka

Politologu, Gurakuq Kuqi tha për gazetën"Kosova Sot" se ekonomia e Kosovës që nga pas lufta, kur është pritur të ngarendë drejt kapitalizmit liberal, ka marrë kahen e kundërt, ku bashkë me politikën është kthyer në oligarki. "Kjo, pasi çdo sferë politike dhe ekonomie është kapur nga një grup njerëzish të caktuar, të cilët u kujdesën për vendosjen e njerëzve të tyre edhe në zhvillimin e biznesit privat". Ai tha se mënyra oligarkike e funksionimit vetëm formalisht bazohet mbi rregullat ligjore, pasi funksionimi bëhet brenda klanit. "Ky funksionim ndalon çdo zhvillim normal dhe të lirë të bizneseve, sepse brenda klanit pa konkurrencë i ofrojnë favore njëri- tjetrit", u shpreh ai. Politologu Kuqi është i mendimit se Kosova është rasti i njëjtë si i vendeve të ish-BRSS-së. "Ky funksionim dëmton rëndë zhvillimin ekonomik, sepse asgjë nuk funksionon në zhvillim ekonomik, por në interesa private dhe klanore", theksoi ai. "Kush është pjesë e grupit edhe me paga të vogla është milioner, sepse këta janë në pikat apo punët shtetërore ku kujdesen për funksionimin oligarkik dhe ndarjen e peshqeshit klanor", potencoi Kuqi. 

Mafia politike me pushtet të fortë

Analisti Ymret Reshiti tha për "Kosova Sot" se fati i ekonomisë së Kosovës, fatkeqësisht, është në duart e disa politikanëve të fuqishëm të Kosovës, të cilët vendosin se cili biznes në Kosovë do të operojë dhe cili jo. "Kjo mafi politike ka të koncentruar në duart e veta shumë pushtet dhe ka vendimmarrjen kryesore në Kosovë ", u shpreh ai. Sipas Reshitit, mafia politike ka marrë vendime që kanë qenë edhe kundër ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës . Si pasojë e ekonomisë së shkatërruar, mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës është përkeqësuar dukshëm. "Deri më tash vendimet e kësaj mafie politike, duke favorizuar vetëm emra të përveçëm biznesesh në Kosovë, të cilët duhet të operojnë, kanë ndikuar në shuarjen dhe shkatërrimin e shumë bizneseve të tjera serioze". Analisti Reshiti është i mendimit se mafia politike nuk mund të ekzistojë pa oligarkët e saj-oligarkinë kriminale. "Njerëz të politikës financohen nga biznesmenë të ndryshëm-oligarkë, me kusht që kur politikanët marrin pozita të larta shtetërore, të kryejnë shërbime profitabile për bizneset-oligarkinë", theksoi ai. "Politikanët që kanë në dorë vendimmarrjet kryesore i shpërblejnë oligarkët me tenderë dhe punë të tjera në emër të bashkëpunimit të tyre. Mafia politike dhe oligarkia kriminale duke i shërbyer njëra- tjetrës i realizojnë interesat. Nga bashkëpunimi i tyre, në fund të dyja ndahen të kënaqura dhe me pasuri milionëshe", tha analisti Reshiti.

(Kosova Sot)