Pa i larguar shërbëtorët e politikës, nuk ka drejtësi

  • 18 August 2017 - 08:08
Pa i larguar shërbëtorët e politikës, nuk ka drejtësi

Bosët e krimit të organizuar mbesin të paprekshëm

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se tani për tani në këto kohë të zymta nuk pritet që ndonjë prokuror apo gjyqtar të marrë hapa ligjorë kundër bosëve të krimit të organizuar e që është i lidhur ngushtë me politikën dhe se instalimi i mafisë në politikë sjell një sistem totalisht të korruptuar dhe të kontrollueshëm dhe nga një sistem i tillë nuk ka drejtësi. Sipas tyre, për ta ndryshuar një gjendje të tillë negative në " Drejtësinë" tonë duhet ta ndryshojmë politikën, duhet të ndalojmë ndikimet e politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se çfarë pengesash e barrierash po i dalin sistemit të drejtësisë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe a mund të pritet ndonjëherë që kjo drejtësi të guxojë të dërgojë në burg pushtetarë të lartë të korruptuar, që të kenë frikë të tjerët më pastaj që të merren me punë të paligjshme!? Analisti Naim Miftari, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se tani për tani në këto kohë të zymta nuk pritet që ndonjë prokurorë apo gjyqtarë të marrë hapa ligjorë kundër bosëve të krimit të organizuar e që është i lidhur ngushtë me politikën.

Dekriminalizimi i politikës e çliron edhe drejtësinë

Sipas Miftarit, instalimi i mafisë në politikë sjell një sistem totalisht të korruptuar dhe të kontrollueshëm dhe nga një sistem i tillë nuk ka drejtësi."Për ta ndryshuar një gjendje të tillë negative në " Drejtësinë" tonë duhet ta ndryshojmë politikën, duhet të ndalojmë ndikimet e politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar", është shprehur ai, duke shpjeguar se si mund të bëhet një gjë e tillë. "Kjo i bie se së pari duhet ndryshuar politikën, duke i larguar elementet kriminale, pasi gjyqësia do të jetë e drejtë dhe e pavarur vetëm kur të pamundësohet ndikimi politik në drejtësi, ndryshe do të jetë e kotë çdo tentativë për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë, pasi edhe po t'i kemi ligjet moderne dhe të drejtat, drejtësinë nuk do të ketë individë gjyqtarë apo prokurorë që e zbaton vetëm ligjin dhe drejtësinë, pasi ende pa u pranuar në punë si prokurorë apo gjyqtarë, ata i duhen të korruptuar dhe të kushtëzuar", u shpreh analisti Naim Miftari. 

Image

 

KGJK-ja e KPK-ja duhet të jenë më efikase

Analisti Naim Kelmendi thotë se ky mosefikasitet ndërlidhet me vetë kuadrin e institucionit në sistemin e drejtësisë, sikur janë gjyqtarët dhe prokurorët joprofesionistë, të paaftë dhe njëherësh edhe të korruptuar e të ndikuar nga politika dhe ndërlidhjet e tjera që ndikojnë tërthorazi dhe drejtpërdrejt në punën dhe efikasitetin e vetë sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tutje, sipas tij, në anën tjetër, mbase vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por edhe ai Prokurorial do të duhej ta zhvillonin luftën e spastrimit nga gjyqtarët e prokurorët joprofesionistë, të paetikë, të paperfomancë, të papërgjegjshëm, e të korruptuar në detyrën dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit. " Kjo, ngase pa spastrimin e kësaj kategorie gjyqtarësh e prokurorësh, asnjëherë nuk mund të mendohet se me këtë kategori mund të shkojë përpara zhvillimi i sistemit të drejtësisë, pra drejt reformimit, pasi pikërisht të tillë gjyqtarë e prokurorë janë pengesë për vetë sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin përgjithësisht, por edhe për vetë zhvillimet e tij dhe të demokratizimit e të shëndoshjes së këtij sistemi", potencoi ai. "Së këndejmi, mendoj se ligji për 'Vetting'-un do të krijonte mundësi shumë të mira, që gjatë procesit të përzgjedhjes së bartësve të institucioneve të drejtësisë dhe Gjyqësisë të nxirrej kështu figura e pastër dhe e ndershme, por edhe e përgatitur profesionalisht për t'i emëruar më pastaj në pozitat e caktuara, qoftë në gjykata apo prokurori, apo edhe në poste të tjera të fushës së drejtësisë", theksoi për gazetën "Kosova Sot"analisti Naim Kelmendi.

Pa e luftuar korrupsionin nuk funksionalizohet sistemi

Profesori i së Drejtës, Riza Smaka ka nënvizuar se sistemi i drejtësisë gjithsesi që ka pengesa dhe barriera të konsideruara që nëse dilet kah ana e qytetarit del se sistemi i drejtësisë nuk funksion fare dhe mund të flitet për dobësi të ndryshme dhe të shumta. "Por, nga aspekti objektiv i sistemit të drejtësisë del që ka pengesa ndër të tjera pushtetarët, qeveritarët, edhe pasanikët e dyshimtë të korruptuar, që janë bërë të pasur me procedura korruptive. Këta janë faktorët, të cilët e pengojnë sistemin e drejtësisë, Prokurorinë, gjykatat për ta bërë punën e duhur dhe për ta bërë punën se si kërkohet konform me ligjin", është shprehur ai. "Prandaj, pa u luftuar korrupsioni vështirë se mund të funksionalizohet sa dhe si do të duhej të funksionalizohej sistemi i drejtësisë", potencoi Smaka. "Ndërsa korrupsioni ndër të tjera mund të luftohet nëpërmjet rishikimit dhe modifikimit të akteve ligjore, që kanë edhe vakume juridike, por edhe kundërthënie brendapërbrenda akteve ligjore dhe mos të flasim për ato të ligjeve të caktuara, dhe ka vakume juridike tek çështjet, të cilat nuk janë normativisht, e këtë mund ta bëjë Qeveria, e cila do ta fuste në agjendën primare sistemin e drejtë- sisë për t'i përgatitur aktet ligjore, për ndryshime, plotësime dhe përmirësime të akteve ligjore të reja, të cilat nuk janë si duhet të jenë", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori i së Drejtës Riza Smaka.

(Kosova Sot)