Monopoli i homologimit mbush xhepat e mafio-oligarkëve

  • 18 August 2017 - 08:23
Monopoli i homologimit mbush xhepat e mafio-oligarkëve

Politikanët po heshtin përballë një skandali që vazhdon prej një dekade

Ndonëse është bërë shumë zhurmë në mediet kosovare në komisionet parlamentare dhe në vetë Kuvendin e Kosovës nga deputetë të pavarur për këtë çështje tashmë janë bërë tetë vjet që nuk po ndalet monopoli i homologimit që e mban kompania në pronësi të oligarkëve Devolli. Njohësit e kësaj fushe thonë se Autoriteti i Konkurrencës po i frikësohet që të dalë publikisht kundër monopolit të disa kompanive mafio-oligarkike. Analistët, ndërkaq, pyesin se përse Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i duhen shumë muaj dhe vite për të parë se nëse një kompani ka monopol ose nuk ka, kur një gjë e tillë dihet. Ata pyesin se përse përbërja e re e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që nga viti i kaluar kur e mori detyrën dhe deri më tash, nuk kanë dalë publikisht kur ajo mund të bëhet fare shpejt. Veç saj, analistët pyesin se përse deri më sot nuk kemi asnjë komunikatë, e as deklaratë publike se një kompani e caktuar, siç është Devolli, të ketë monopol në homologim apo edhe në fusha të tjera? A e ka fuqinë ky Autoritet, së paku moral e ligjor, për të thënë publikisht gjërat ashtu siç janë, apo ky është edhe një institucion i kapur dhe i inkriminuar si shumë institucione të tjera të shtetit. Por, me gjithë këto çështje të ngritura, kompania " Eurolab" që tetë vjet po vazhdon që ta mbajë monopolin në homologim dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që është bërë funksional në verën e kaluar, por as Qeveria në dorëheqje nuk kanë ndërmarrë deri më tash diçka për të zhbllokuar monopolin e vëllezërve Devolli. Gazeta ka pritur gjatë ditës së enjte një përgjigje nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për të mësuar se çfarë ka bërë ky Autoritet për të zhbllokuar monopolin e kompanisë monopoliste"Eurolab", që është në zotërim të "Devolli Corporation", pronë e Shkëlqim Devollit, por askush nuk është përgjigjur. Kjo kompani vazhdon që nga viti 2009 ta mbajë tregun si kompania e vetme në homologimin e automjeteve në Kosovë, një biznes ky shumëmilionësh që sjell përfitime në vit. 

Kuvendi dhe Qeveria dështuan

Enver Hoti (Nisma për Kosovën) u shpreh për "Kosova Sot" se e dinë të gjithë se kontrata mbi homologimin e makinave bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit dhe si e tillë asokohe ka pasur një ndeshje të interesave të mëdha. "Andaj, do të ishte mirë që të thyhet ky monopol dhe përse mos të ketë në tërë Kosovën edhe disa qendra të tjera homologimi në të gjitha regjionet e Kosovës ". Ai sqaroi se heqjen e këtyre monopoleve në Komisionin për Tregti dhe Industri e provoi edhe ministri në largim i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku, pas kërkesës së deputetit Fatmir Rexhepi, që rastin duhet dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por nuk pati sukses. Andaj, sipas Hotit, të jetë vetëm një qendër homologimi dhe të përfitojnë vetëm një kompani që deri më tash kanë përfituar më shumë se 2 milionë e gjysmë vetëm për një vit, nga 2009, që kur ka nisur me punë kjo qendër homologimi, është një rast non sens dhe vërtet i pakuptimtë.

Politikanët përfituan nga monopoli antiligjor

Analisti Faton Mehmeti tha për gazetën "Kosova Sot" se akuzat e ekspertëve të kësaj fushe për monopolin e Devollëve në fushën e homologimit të makinave janë të drejta, ndërsa heshtja e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është e pakuptimtë . "Si dihet, fajtor për këtë privilegj ishte pikërisht-ish-ministri Fatmir Limaj, që në bashkëpunim me Devollët e nënshkroi dhe e krijoi monopolin për homologimin e automjeteve, duke sanksionuar me ligj, që deri në vitin 2019 nuk do të kenë asnjë konkurrencë", u shpreh ai. Ndaj, sipas Mehmetit, kjo është vepër skandaloze, në të cilën janë të përfshirë edhe vetë zyrtarët e tjerë të PDK-së (në kohën kur Limaj ishte në këtë parti), prandaj edhe nuk u akuzua asnjëherë nga ish-partia e tij, PDK-ja, për këtë skandal. "Kjo, ngase Limaj me Devollët i kanë zhvatur mbi 20 milionë euro nga qytetarët e varfër të Kosovës dhe tashmë po dihet se Devollët kanë lëshuar rrënjë të thella tek PDK-ja dhe VV-ja, tek të cilat po gjen hapësirë manovrimi dhe zhvatje të pasurisë së vendit", u shpreh ai. I pyetur se përse po hesht Autoriteti i Konkurrencës dhe Prokuroria e Kosovës, Mehmeti u shpreh se ky shtet është i kapur nga partitë në pushtet dhe, sipas tij, të gjitha këto institucione, edhe Prokuroria, edhe Autoriteti i Konkurrencës, janë të emëruara nga ish-koalicioni në pushtet,PDK-LDK, dhe së këndejmi edhe ato agjenci e institucione, që do të duhej të ishin të pavarura, nuk janë të pavarura

Autoriteti i Konkurrencës nuk po e zbaton ligjin

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për gazetën"Kosova Sot" se vetëm në ekonomitë e sistemit socialist mund të ketë monopole e jo në një vend ku pretendon që të jetë si shtet, një pjesë e BE-së, dhe ku edhe me Kushtetutën e vendit është thënë qartë se Kosova është e përcaktuar të jetë një Zonë e hapur dhe e lirë e tregut dhe nuk ka vende për monopole. "Edhe në lëmin e homologimit të automjeteve në vendin tonë, Autoriteti i Konkurrencës duhet të bëjë më shumë që në Republikën e Kosovës të ketë më shumë se dy operatorë në këtë drejtim", potencoi ai. Mirëpo, Neziraj thotë se Autoriteti i Konkurrencës si institucion ende nuk është duke e kryer veprimtarinë e vet për çka është themeluar,jo vetëm në këtë lëmi, por edhe në disa lëmenj të tjerë ky institucion ose ka vepruar me vonesë, ose nuk ka vepruar fare, kemi rastin e homologimit, shitjen e arkave fiskale, deri vonë edhe fusha e telekomunikimit ka qenë monopoliste dhe me këtë janë duke u goditur edhe bizneset edhe qytetarët e varfër të Republikës së Kosovës. "Ne kemi homologimin më të shtrenjtë në rajon, arkat fiskale më të shtrenjta, shërbime telefonike ekstreme më të shtrenjta dhe shumë shërbime të tjera dhe kjo është vetëm në saje të mosfunksionimit të mirëfilltë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës në vendin tonë", është shprehur ai.

Image

 

Kompanitë oligarkike, të lidhura me bandat shtetërore

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani ,tha për "Kosova Sot' se monopoli në Kosovë është i pandershëm, sepse oligarkët e kanë përhapur si vaji në lakra dhe ia kanë zënë frymën ekonomive të vogla. "Në Kosovë, zhvillohet dhe bëhet konkurrencë më e pandershme në Ballkan. Është e drejtë e secilit për të prodhuar diçka, mirëpo edhe atë prodhim në Kosovë janë të detyruar ta gjuajnë, ose ta japin falas, sepse kompanitë që janë të lidhura me bandat e majave të shtetit ua kanë lidhur duart", tha ai. "Sundimin në fushën e ekonomisë në vendin tonë e kanë oligarkët dhe kontrollojnë çdo gjë brenda shtetit dhe jashtë tij. Kompania serbiane "Devolli" ka monopolin më të rreptë dhe agjentët e saj kontrollojnë çdo gjë. Nuk e kanë dert fare që ata i kanë mbyllur kompanitë e vogla dhe se i kanë lënë fëmijët e tyre të vdesin urie dhe se kanë rritur dukshëm papunësinë në Kosovë. Këta me këtë monopol makinash janë shkatërruesit më të mëdhenj të ekonomisë kosovare. Por, krerët mafiozë të kësaj kompanie janë të lidhur shumë ngushtë me banditët e majave të shtetit", potencoi analisti BadallajZhuriani. Ai tha se në Kosovë mund të thuhet se bëhet konkurrencë, ndonëse edhe kjo e pandershme, sepse kompanitë, si ETC-ja dhe Devolli, që të dyja e pasurojnë Serbinë, sepse të gjitha mallrat i marrin nga ky shtet dhe kështu këta banditë oligarkë me tradita të moçme serbianë pasurojnë dukshëm buxhetin e Serbisë, duke shkatërruar deri në themel ekonominë edhe ashtu të varfër të Kosovës. Sipas tij, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është nën thundrën e këtyre bandave oligarkësh. "Ky autoritet nuk e ka fuqinë që t'u vihet kundër këtyre bandave gjigantësh serbianë, për të ndalur monopolin në homologim makinash", potencoi ai.

(Kosova Sot)