Reshiti: Mafia politike me pushtet të fortë

  • 18 August 2017 - 22:41
Reshiti: Mafia politike me pushtet të fortë

Analisti Ymret Reshiti tha për "Kosova Sot" se fati i ekonomisë së Kosovës, fatkeqësisht, është në duart e disa politikanëve të fuqishëm të Kosovës, të cilët vendosin se cili biznes në Kosovë do të operojë dhe cili jo. "Kjo mafi politike ka të koncentruar në duart e veta shumë pushtet dhe ka vendimmarrjen kryesore në Kosovë ", u shpreh ai. Sipas Reshitit, mafia politike ka marrë vendime që kanë qenë edhe kundër ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës . Si pasojë e ekonomisë së shkatërruar, mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës është përkeqësuar dukshëm. "Deri më tash vendimet e kësaj mafie politike, duke favorizuar vetëm emra të përveçëm biznesesh në Kosovë, të cilët duhet të operojnë, kanë ndikuar në shuarjen dhe shkatërrimin e shumë bizneseve të tjera serioze". Analisti Reshiti është i mendimit se mafia politike nuk mund të ekzistojë pa oligarkët e saj-oligarkinë kriminale. "Njerëz të politikës financohen nga biznesmenë të ndryshëm-oligarkë, me kusht që kur politikanët marrin pozita të larta shtetërore, të kryejnë shërbime profitabile për bizneset-oligarkinë", theksoi ai. "Politikanët që kanë në dorë vendimmarrjet kryesore i shpërblejnë oligarkët me tenderë dhe punë të tjera në emër të bashkëpunimit të tyre. Mafia politike dhe oligarkia kriminale duke i shërbyer njëra- tjetrës i realizojnë interesat. Nga bashkëpunimi i tyre, në fund të dyja ndahen të kënaqura dhe me pasuri milionëshe", tha analisti Reshiti.

(Kosova Sot)