Mafio-oligarkët e gjunjëzuan dhe i "rrjepën" mbetjet e PTK-së

  • 19 August 2017 - 08:02
Mafio-oligarkët e gjunjëzuan dhe i

Ndërmarrja që dikur sillte për çdo vit mbi 50 milionë, sot e shtrirë përtokë mezi mbijeton

Grupet mafioze, të ndihmuara nga politikanët e nivelit më të lartë shtetëror, e gjunjëzuan dhe shkatërruan kompaninë publike, PTK-në, që dikur vlente rreth një miliard euro, duke e arritur qëllimin që këtë ta bëjnë përmes mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës nëpër institucionet e shtetit të ndihmuar nga mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara të Kosovës. Analistët e shtrojnë çështjen se kur t'i vijë fundi PTK-së , a do të bëjë përgjegjës Prokuroria Speciale e shtetit zyrtarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët zhvatës, korruptivë, që veprojnë edhe hapur si krim i organizuar, duke i emërtuar të dyshuarit me emër e mbiemër se kush ishin ata që dëmtuan hapur e me qëllim asetin e shtetit. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë së Shtetit lidhur me çështjen, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për gazetën. Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, thotë për "Kosova Sot" se nuk duhet që të çuditemi fare nga heshtja e deritashme e Prokurorisë Speciale të Shtetit që po heziton që të hulumtojë rastin në fjalë. "Kjo ngase siç dihet i tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë që nga paslufta e deri më sot është i ndikuar nga politika, andaj edhe për këtë arsye e kemi heshtjen e Prokurorisë Speciale të Shtetit", theksoi ai. Sipas afaristit Maloku, kjo është edhe arsyeja se përse Prokuroria nuk po ka guxim që të hetojë zyrtarët e inkriminuar dhe duke i emërtuar të dyshuarit me emër e mbiemër se kush ishin ata që e kanë dëmtuan hapur e me qëllim asetin e shtetit, PTK-në, që vlente mbi një miliard euro në Kosovë.

Ndërmarrja, viktimë e grupeve zhvatëse e kriminale

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se mafio-oligarkët tanë gjithmonë e kanë pasur për qëllim shkatërrimin e biznesit më të suksesshëm vendor, atë të PTK-së, e cila si një Ndërmarrje Publike shtetërore ka rënë viktimë e disa personave të papërgjegjshëm nga politika më e lartë e shtetit, duke e dëmtuar shumë rëndë këtë kompani, si në aspektin financiar dhe aspektin tregtar."Kjo ngase sot PTK-ja është degraduar aq shumë dhe për fatin e keq sot PTK-ja në tregun vendor gati çdo ditë e më tepër po ka shumë më pak klientelë, në veçanti ato në fushën e IPTV dhe 4 G"-së, së këndejmi drejtuesit e rinj të PTK-së duhet që sa më parë të distancohen nga këto grupe mafio-oligarkësh dhe të pavarësohet në punën e saj, duke e larguar ndikimin e politikës në menaxhimin e saj", theksoi ai. "Ndërsa për heshtjen e deritashme të Prokurorisë Speciale për momentin nuk duhet të çuditemi, sepse është e ndikuar nga politika dhe si e tillë Prokuroria po hesht dhe nuk po e sheh të arsyeshme ndjekjen e personave politikë që e kanë sjellë deri në këtë gjendje, buzë greminës. Andaj, edhe heshtja e Prokurorisë së Shtetit është e habitshme, ndonëse si dihet botërisht puna primare e Prokurorisë Speciale është ndalimi i krimit të organizuar, luftimi i korrupsionit dhe shkatërrimi i tregut mafioz që po ndodh brenda territorit të Kosovës", u shpreh Grapci. 

Skandalet i mbuloi heshtja

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se SHBA-ja dhe faktori ndërkombëtar në përgjithësi ishin për shitjen e PTK-së, mirëpo oligarkët dhe majat e larta të bandave të shtetit këtë dikaster shumë të rëndësishëm përfitues dëshironin ta mbanin për vete, për të vjedhur dhe për t'u pasuruar jashtëligjshëm. Sipas tij, PTK-ja ra në dorën e oligarkëve mafiozë, duke zhvilluar krimin makabër dhe të organizuar. "Shumë skandale dhe vjedhje ndodhën dhe kaluan në heshtje. Heshtën edhe skandalin të nëntokës kriminale të bandave shkatërruese të ekonomisë, sidomos skandali 30 milionësh, kinse se vetëm një Zot e di në mes këtyre bandave dhe bandës "Devolli" që shkoi deri në Gjykatën e Arbitrazhit dhe kinse u morën vesh, kinse falën dhe llojlloj dallavere të tjera", është shprehur ai."Oligarkët dhe banditët e majave të larta të shtetit e vodhën me të madhe këtë dikaster. Këtu nuk ka fare dyshim se janë të inkriminuar zyrtarët më të lartë të shtetit që sot e kësaj dite janë aktivë në këtë krim të organizuar, duke i vendosur në krye të saj njerëzit e përshtatshëm të tyre për të ndarë hesapet dhe pazaret. Pra, kjo bandë e gjunjëzoi PTK-në, tani po e rrjepin , ndonëse me zor mbahet në këmbët e veta, vetëm se akoma nuk i ka dalë flaka se tym ka sa të duash", ka theksuar ai."Një gjë është për të ardhur keq, se çka po pret Prokuroria Speciale e Kosovës, kur dihen botërisht emrat e tyre dhe skandalet të shumta që sa kaloi edhe kufijtë ballkanikë dhe doli si skandali më i përfolur evropian. Sepse Prokuroria Speciale e shtetit duhet reaguar sa më parë në këtë grup të krimit të organizuar të mafio-oligarkëve, duke e zbuluar se kush qëndron prapa këtyre bandave që qëllimisht po e shkatërrojnë këtë dikaster të madh që mban shpirtin e Kosovës", u shpreh ai. Analisti Badallaj tha se ky grup mafio-oligarkësh nuk është i përzier vetëm këtu, por kudo dhe nuk kanë të ndalur. "Duhet të kapen sa më parë "peshqit e mëdhenj", përndryshe pasojat do të jenë shumë të rënda në ekonominë e vendit, që zor se më do të qëndrojë në këmbët e veta. Njerëzit e korruptuar deri në fyt vendin e kanë në burg dhe jo në liri dhe të pasurohen për shumë breza. Hovin e tyre e ndalë vetëm burgu dhe jo vetëm kaq, por duhet konfiskuar edhe pasuria e tyre pa djersë dhe me vjedhje të djersës së popullit më të varfër, që nuk kanë bukë në sofër e ilaçe për të shëruar plagët shumë sosh", ka thënë ai.

Image

 

Mbikëqyrësit e PTK-së dështuan

Njohësi i kësaj fushe, Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, tha për "Kosova Sot" se është për çudi se në Ndërmarrjen Publike që ishte më profitabile në Republikën e Kosovës, në PTK,edhe pas të gjitha atyre aferave që kanë qenë të njoftuar opinioni i gjerë i vendit për keqpërdorimet që janë bërë ende nuk ka asnjë veprim nga institucionet që është dashur të merren me këtë çështje e sidomos Prokuroria e Shtetit. "PTK - ja për një kohë të gjatë ka qenë aseti më i vlerësuar në vend, pasi vlera e saj ka qenë shumë e madhe, bile edhe ka kontribuar në të hyrat buxhetore të vendit që ia ka dhuruar qeverisë së vendit në formë të disidentes, e mos të flasim se sa punëtorët e saj në këtë ndërmarrje kanë pasur paga të majme, kurse as mos të flasim për menaxherët e kësaj, NPsë dhe Bordit të saj", u shpreh ai. Neziraj tha se PTK-ja ka pasur që nga paslufta institucionet e saj drejtuese, që kanë qenë të zgjedhur për ta menaxhuar këtë Ndërmarrje Publike duke filluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila është përgjegjësja kryesore për funksionimin e Ndërmarrjeve Publike, sidomos për përformancën e tyre, pastaj ka qenë edhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik pranë Kuvendit të Kosovës, ka qenë ARKEP-i, që edhe ky është një organ i zgjedhur nga Kuvendi, veç saj PTK-ja e ka pasur Bordin e saj si edhe shumë mekanizma të tjerë. "Andaj, lirshëm mund të themi se këta janë përgjegjësit kryesorë për afarizmin, qoftë pozitivë ose negativë, të kësaj ndërmarrje publike", tha ai.

Kompania u zhvlerësua, përgjegjësia nuk u adresua

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori), tha për "Kosova Sot", se me fillimin e zhvlerësimit të PTK-së nuk qe kërkuar përgjegjësia e askujt në PTK, në MZHE, në MTI, në ARKEP, në Drejtorinë e krimeve të rënda të PK-së, në Qeverinë e në Kuvendin e Kosovës. "Zhvlerësimi është inkurajuar e subvencionuar" - PTK pësoi rënie drastike nga vlera mbi 1 miliard euro në 360 milionë euro - edhe ato të manipuluara (që në tenderin e parë, me mjete e metoda të ditura e të njohura edhe për organet të cilat (pa)qëllimisht nuk vepruan). Sot PTK-ja nuk çmohet as 160 milionë. I vetmi blerës potencial, i cili mundet dhe është i disponuar ta blejë PTK-në për 360 milionë euro e më shumë është qytetari konsumator i shërbimeve të PTK-së, ne që jemi rreth 1.2 milion", theksoi ai. Kaçaniku tha se u këmbyen favore politike, të karrierës, aso financiare, morën donacione, janë punë- suar mbi bazat meritokrate, karrieriste, klienteliste, duke ia ulur vlerën kompanisë. 

(Kosova Sot)