Humbja e 28 dokumenteve sekrete në Polici, zbulohet dëshmia e 3 sekretareve

  • 20 August 2017 - 08:58
Humbja e 28 dokumenteve sekrete në Polici, zbulohet dëshmia e 3 sekretareve

Prokuroria e Tiranës ka vendosur pezullimin e hetimeve në lidhje me zhdukjen e 28 dokumenteve sekrete nga zyrat e Policisë së Shtetit.

Pas vendimit për pezullimin e hetimeve për shkak të mungesës së provave, Prokuroria mësohet se ia ka deleguar dosjen SHÇBA-së (Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) në Ministrinë e Brendshme.

Këtij institucioni i kërkohet që të hetojë dhe të plotësojë kallëzimin e bërë muaj më parë në lidhje me zhdukjen e dokumenteve sekrete nga zyrat e Policisë së Shtetit në Tiranë. Deri në gjetjen e provave apo dëshmive të reja në lidhje me ngjarjen, zhdukja e dokumenteve sekrete në fillim të vitit 2017 duket se do të mbetet pa autor.

Dokumentet me të dhëna konfidenciale të klasifikuara në nivelin “sekret” mësohet se u përkisnin raporteve policore të hartuara gjatë dhjetorit 2017. Koha e humbjes së tyre nuk është e qartë, por dyshimet janë se zhdukja e tyre ka ndodhur në periudhën janar-mars 2017. Denoncimi në Prokurori për zhdukjen e dokumenteve në fjalë u bë nga vetë SHÇBA në Ministrinë e Brendshme.

Pas kallëzimit, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet duke verifikuar rrethanat e humbjes së dokumenteve nga ku rezultoi se ato kishin lëvizur disa herë nga kasaforta ku mbaheshin në zyrat e disa drejtuesve e punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Sipas hetimeve, lëvizja e dokumenteve ishte bërë pa firmë dhe pa protokoll, çka e ka bërë të pamundur identifikimin e “adresës së fundit”, ku ka ndodhur edhe humbja e dokumenteve në fjalë.

HETIMI

Pas kallëzimit të bërë nga SHÇBA, Prokuroria filloi hetimet në lidhje me ngjarjen, e cila u bë publike edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha me një status në faqen e tij në Facebook. Ndërkohë, hetimet kishin nisur dhe Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal fillimisht për “shpërdorim detyre”, duke hetuar punonjësit që kanë pasur për detyrë ruajtjen e dokumenteve në fjalë.

Por, pas verifikimeve paraprake, Prokuroria konstatoi se “nuk ka pasur akte të qëllimshme” në zhdukjen e dokumenteve, duke vendosur të vazhdojë hetimet për akuzën e “humbjes së dokumenteve sekrete”. Në këtë kohë, organi i akuzës thirri në Prokurori dhe mori në pyetje së paku tri sekretare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilat rezultonte se kishin kryer lëvizjen e dokumenteve nga zyrat ku ishte bërë hartimi i tyre te zyrtarët e Policisë që ishin njohur me përmbajtjen e materialeve në fjalë.

Nga dëshmitë e dhëna në Prokurori prej sekretareve, u mësua se lëvizja e dokumenteve nga kasaforta në disa zyra të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ishte bërë pa protokoll dhe pa firmëmarrje në dorëzim.

Sipas dëshmitareve, kjo ka qenë praktikë pune brenda godinës së institucionit dhe nuk ka pasur asnjë gjë të qëllimshme në këtë veprim. Pas këtyre deklarimeve të marra prej punonjëseve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Prokuroria vendosi pezullimin e hetimeve për mungesë të provave dhe të autorit. Çështja tashmë i ka kaluar SHÇBA-së në Ministrinë e Brendshme, duke i lënë detyra konkrete për gjetjen e provave në lidhje me identifikimin e autorëve të ngjarjes.

(Kosova Sot)