LDK-ja, trampolina e "tradhtarit" Pacolli

  • 22 August 2017 - 07:51
LDK-ja, trampolina e

Analistë të politikës dhe specialistë të kësaj fushe kanë frikën se edhe kësaj radhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ndonëse kanë qenë në koalicion parazgjedhor,do ta tradhtojë LDK-në. Ndërsa ata thonë se e tëra kjo nga ana e Pacollit mund të ndodhë për shkak të synimeve të tij që ta privatizojë kombinatin "Trepça" dhe të bëhet padron i të gjitha xeheve të saj, sikur edhe për interesa të bizneseve të tij të tjera, derisa, sipas tyre, po ashtu s'ka dyshim, se ambiciet e Pacollit më shumë janë biznesore sesa politike. Ai, përveçse synon pushtimin e gjigantit "Trepça", synon rikthimin e hotelit "Grand" dhe shtrirjen e bizneseve gjithandej Kosovës, deri në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit, për t'i bërë konkurrencë rivalit tjetër biznesor, Ramiz Kelmendit. Ndaj, është shtruar edhe çështja se a e ka humbur përfundimisht kjo politikë busullën e etikës dhe të moralit në politikë, saqë më nuk ka elektorat që mund t'i besojë më këtyre partive. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se të mashtrohet elektorati thuajse është bërë model i keq nga partitë që ishin në pushtet më herët, derisa, siç tha, njësoj ka proklamuar Isa Mustafa i LDK-së, se kurrë nuk do të hynte në koalicion me "kriminelët" e PDK- së, sikur shprehej ai, e më vonë mjerisht me këta "kriminelë" e ndau pushtetin dhe qeverisi Kosovën për tre vjet, por që në fund vetë PDK- ja e rrëzoi në Parlament dhe e akuzoi rëndë më pastaj.

Image

 

Politika e pamoralshme

Sipas Kelmendit, edhe AKR-ja e koalicioni parazgjedhor në LAA tashmë e ka modelin paraprak që të bëjë pikërisht koalicion me ata të cilët vetë ky Pacolli i ka quajtur kriminelë apo thënë më ndryshe me ata të cilët e rrëzuan nga posti i presidentit. " Këta që kundërshtarët politikë i akuzojnë për kriminelë dhe më pas kinse për interes të Kosovës bëjnë koalicionin, thjesht këtyre populli nuk u beson fare, ngase aspak këtu nuk është çështja për Kosovën, por bëhet fjalë më shumë për interesat e tyre pushtetare e assesi ato të përgjithshme", u shpreh ai. "Në të shumtën jo se nuk janë legjitime koalicionet paszgjedhore, ngase secila parti apo grup apo deputet ka të drejtë të jetë kudo dhe ngado, por përfundimisht kjo politikë e paprincipë dhe e pamoral thuajse e ka humbur busullën e etikës dhe kështu as populli nuk i beson, andaj me një fjalë e ka humbur besimin e elektoratit", vijoi më tej Kelmendi. "Veprimet e këtyre liderëve me insinuata të tilla krijojnë pakënaqësi dhe huti edhe te opinioni demokratik ndërkombëtar dhe te miqtë tanë me hipokrizitë dhe lojërat e tyre të ulëta politike që shkojnë në të shumtën në dëm të shtetit sesa në të mirë të zhvillimeve dhe mirëqenies së tij. Këtë e vërteton vetë realiteti politik, ku ka dy muaj që s'po mund të bëjnë Qeverinë dhe institucionet e shtetit, ku më shumë u japin rëndësi inateve dhe lojërave meskine sesa mendojnë për shtetin dhe interesin e vendit", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Image

 

Pazaret e pista për pushtet

Analisti Florim Zeqa thotë se me t'u arritur koalicioni parazgjedhor LDKAKR, e kishte potencuar disa herë se bashkëngjitja e Pacollit LDK- së është vetëm sa për t'i marrë votat për Kuvend nga elektorati i LDK- së, ngase i vetëm nuk do të arrinte dot të kalonte pragun zgjedhor dhe, siç tha, tani edhe po del se ka pasur plotësisht të drejtë në konstatimet e tij, për braktisjen e koalicionit nga ana Pacollit për interesa të inkriminuara për qëllime e përfitime të bizneseve të tij të pista. " Po ashtu, për ata që i përcjellin me vëmendje zhvillimet politike, deklaratat e zyrtarëve të AKR- së nuk janë befasi, është kjo një dëshirë personale e Pacollit për bashkëngjitje me koalicionin PAN, respektivisht bashkëngjitja e tij me pushtetarët e deridjeshëm (edhe pse ai deklaronte; " se kurrë nuk do të bëj koalicion me kriminelët, siç e quante ai koalicionin e PAN-it), bëhet për realizimin e interesave të tij biznesore dhe politike". "Me bashkëngjitjen e pritur të AKR- së koalicionit PAN, Behgjet Pacollit do t'i hapen rrugët për investime të papenguara edhe në ato pjesë të Kosovës, që deri dje konsideroheshin "mollë e ndaluar", theksoi Zeqa. "PAT pozicioni i krijuar pas seancës së parë, vetëm sa ia ka ngritur pazarin politik AKR-së së Pacollit për lidhje të koalicionit me PAN-in. Në asnjë rrethanë nuk i falet gabimi fatal i LDK-së, për faktorizimin në skenën politike të një partie në shuarje e sipër (AKR) dhe një lideri me pak sens politik e më shumë biznesor (Pacollit). Behgjet Pacolli nuk iu bashkua LDK-së për ta ndihmuar në zgjedhje, as për ta "bekuar" për mëkatin e saj në koalicionin paraprak në qeverisjen e vendit, por për të depërtuar përmes LDK-së në Kuvend, dhe më pastaj për t'ia rritur pazarin vetes në arritjen e qëllimit përfundimtar, në qeverisjen e vendit përmes koalicionit paszgjedhor me PAN-in e dorëzuar në mungesë të numrave në Kuvend", u shpreh ai. "Njëherësh, kjo është dëshmia më e mirë, se asnjëherë nuk duhet besuar fjalorit dhe premtimeve elektorale të liderëve partiakë", potencoi Zeqa. "S'ka dyshim, se ambiciet e Pacollit më shumë janë biznesore sesa politike, ai përveçse synon pushtimin e gjigantit "Trepça", synon rikthimin e hotelit "Grand" dhe shtrirjen e bizneseve gjithandej Kosovës, deri në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit, për t'i bërë konkurrencë rivalit tjetër biznesor, Ramiz Kelmendit", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Florim Zeqa

LDK-ja, fajtorja kryesore për mbetjen e PDK-së në Qeveri

Politologu Gurakuq Kuçi ka nënvizuar se si LDK-ja dhe AKR-ja po dëshmohen se në të gjitha zgjedhjet pas lufte e këndej janë vetëm paterica të PDK-së, e për më keq kjo grackë nuk i falet LDK-së si një parti serioze dhe jo-sezonale. Sipas tij, Behgjet Pacolli po vërteton fuqishëm se rikthimi i tij në skenën politike me AKR-në ka ndodhur vetëm për interesa të ngushta personale biznesore, madje, siç tha " kundërshtimi i tij ndaj Isa Mustafës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, premtimi se ka plane për zhvillimin e Kosovës dhe synimi për të arritur 20% të votave, e gjitha po tregohet farsë dhe vetëm një manipulim i njerëzve për synimet e tij prej "shtetari" dhe "alternative". "Madje, LDK-ja ka humbur mandate me koalicionin me AKR-në dhe Alternativën, të cilët janë votuar pothuajse vetëm nga elektorati i LDK-së, pasi nuk kanë elektorat të vetin. Ka qenë e qartë menjëherë pas zgjedhjeve se Behgjet Pacolli do t'i bashkohet koalicionit, i cili do ta bëjë Qeverinë, dhe pritja nga ai deri tani ka qenë së pari për të pritur qartësinë politike se cili krah mund ta bëjë Qeverinë, që të jetë me të dhe së dyti, të arsyetojë veprimin e tij makiavelist me moralizime. Kur kompania e tij shprehi padinë ndaj Qeverisë për çështjen e hotel "Grandit" ka qenë e ditur e ardhmja e Behgjet Pacollit dhe deputetëve të tij. LDK-ja edhe njëherë u tregua qyqare dhe e paaftë politikisht që të parashohë rrethana të tilla dhe ka rënë komplet pre e emocioneve për hakmarrje ndaj PDK-së, ku fajtor pse PDK-ja vazhdon pushtetin edhe në këto zgjedhje është LDK-ja me politikat e saj të dobëta", spikati për gazetën "Kosova Sot" politologu Gurakuq Kuçi.

Image

 

Mbijetesa e AKR-së

Analisti Hidajet Ahmeti ka gjykuar se nuk mund të kemi gjykime profetike për çështje të caktuara politike, e mbi të gjitha duke u mbështetur në retrospektivën politike të mbasluftës. Sipas tij, AKR- ja si parti politike nuk e ka luksin të qëndrojë në opozitë, pasi mbijetesa në skenën politike ia imponon të futën në kazanin e njëjtë qeverisës me partitë të cilat dhunuan shtetin e Kosovës nga pas lufta. " Prandaj, deklaratat e zyrtarëve të AKR- së të bëjnë të kuptosh se pushteti për ta është qëllim e jo shërbim ndaj qytetarëve të Kosovës, por qëllim për akomodimin e disa njerëzve në institucione publike dhe interesat e tyre biznesore. Gjykoj se zoti Pacolli nuk do ta bënte me dëshirë një hap të tillë, duke kaluar në grupacionin e krahut tjetër, por pushteti për AKR-në është mbijetesë në skenën politike kosovare, duke arritur disa objektiva politike, të cilat më shumë lidhen me interesa të ngushta politike e biznesore të këtij subjekti politik", ka thënë ai. "Përvoja në të kaluarën na jep material të bollshëm për të ndërtuar një teori edhe më bindëse, se marrëveshjet politike nuk janë shumë të qëndrueshme e aq më pak parimore. Çdo herë e më shumë po dëshmohet se marrëveshjet politike, qoftë parazgjedhore e qoftë pas zgjedhore, bëhen për interesa të ngushta politike, klanore e klienteliste e jo marrëveshje parimore, ideologjike e programore", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Hidajet Ahmeti.

Image

 

(Kosova Sot)