Njeriu që "shkriu" gjithë jetën në dobi të kombit

  • 22 August 2017 - 18:57
Njeriu që

Është gjynah që veprat e tij të mëdha rrinë të mbyllura në shtëpi

Zef Toçi në atelienë e tij në Prizren ka rreth 400 piktura. "Aty kam 'shkri' gjithë jetën time, gjithë mundin, dijen dhe përkushtimin tim. Unë e di se piktura është përkushtim dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë", është shprehur ai për "Kosova Sot". Ai shton se është gjynah që veprat e tij të mëdha të rrinë të mbyllura në shtëpi. Toçi tregon se në moshën 76-vjeçare nuk mundet më të organizojë ekspozita personale, dikur s'ka pasur vend ku nuk ka ekspozuar punimet e tij, por tani është plakur. Për katër dekada me radhë, ka arritur të punojë rreth një mijë piktura artistike. Treqind prej tyre gjenden jashtë ateliesë së tij, si në Amsterdam, Bruksel, Kanada, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Prishtinë dhe në Prizren. Disa prej pikturave janë në pronësi të galerive të tij, ndërsa disa të tjera vazhdojnë të mbeten në pronësi të individëve, e që janë jo më pak se 400 adhurues të artit pamor. 

Pas lufte punoi Adem Jasharin

Zef Toçi i takon gjeneratës së parë të Shoqatës së Piktorëve të Kosovës dhe është i vetmi piktor që nuk ka katalog. Gjatë karrierës Toçi ka prezantuar punimet e tij nëpër shumë ekspozita brenda dhe jashtë Kosovës. Pjesën më të madhe të prezantimeve i ka bërë në mënyrë kolektive. Në vitin 1972, ai e ka hapur ekspozitën e parë jashtë Kosovës, në Bruksel, në Mol në vitin 1971, në Opati në vitin 1968, në Sarajevë në vitin 1970, ndërsa në Prishtinë ekspozitën personale e ka hapur në vitin 1968. Në vitin 1973, 1974, 1975, 2005,Toçi ka prezantuar punimet e tij personale dhe kolektive në Prizren. Ai thotë se mbi 160 piktura qëndrojnë të mbyllura padrejtësisht në atelienë e shtëpisë së tij. Piktura e parë që ka punuar pas përfundimit të luftës Toçi ka qenë ajo e komandantit legjendar Adem Jashari. Ndonëse kanë kaluar shtatë vjet prej se është punuar, ajo vazhdon të qëndrojë karshi pikturës së Skënderbeut, brenda mureve të shtëpisë së Toçit. "Këto dy piktura në mënyrë artistike prezantojnë dy epoka të lavdishme të shqiptarëve, që janë vazhdimësi e të njëjtit ideal", tregon Toçi. Dy epokat historike të paraqitura në pikturën e Adem Jasharit,sipas tij, shënojnë lavdinë e popullit shqiptar. "Prandaj, do të ishte mëkat për krijuesit që këto dy epoka të mos i shkrijnë në vepra apo kryevepra artistike". Toçi thotë se motivi kryesor për të vazhduar krijimtarinë në fushën e pikturës, pas përfundimit të luftës, ka qenë pikërisht figura e komandantit legjendar, Adem Jashari. "Disa muaj me radhë kam menduar se si t'i përcaktohem vazhdimit të krijimtarisë në fushën e pikturës. Adem Jashari ka qenë motivi kryesor i vazhdimit të punës sime",tregon ai. Në kompozicionin e pikturës së Adem Jasharit,përveç figurës qendrore dhe luftës së lavdishme e UÇK-së, ai tregon se zënë vend masakrat, ndarjet e nënave shqiptare nga fëmijët e tyre, plisat e bardhë dhe simboli i lirisë - pëllumbi. Figura e Adem Jasharit dhe shqiponja, sipas tij, i kanë shikimet e mbërthyera për sulm, përkatësisht për mbrojtje të dinjitetshëm të çdo gjëje shqiptare. Toçi mendon se arti dhe kultura në përgjithësi nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për ta shprehur artisti gjithë punën dhe vullnetin e tij. "Politika jonë duhet ta kuptojë se epoka e Adem Jasharit, Kosovës ia ka hapur dyert drejt integrimeve. Prandaj, kjo epokë duhet të jetë temë për të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive artistike. 

Veprat e tij dëshiron të mbërrijnë gjithandej

Toçi thotë se njëra ndër dëshirat që ka si krijues i pikturës është edhe hapja e një ekspozite në Galerinë e Arteve në Prishtinë. "I takoj gjeneratës që e kemi formuar Shoqatën e Piktorëve të Kosovës. Sipas tij, nuk i mjafton vetëm një galeri e arteve."Duhet të ketë më shumë, sepse vetëm në këtë mënyrë puna e krijuesve tanë mund të bëhet publike dhe ta shohë dritën e vet ose t'u ekspozohet atyre për të cilët edhe krijohet- artdashësve". Ai tani bën jetën e një njeriu të moshuar, ku bashkë me plot shokë të tij ish-profesorë pinë kafen pranë Lumëbardhit dhe tregon se ende ka shumë frymëzim, por po e "tradhton" dora, por kurrsesi dëshira për artin. Ai thotë se nuk ka nevojë që t'i shesë veprat e tij, por dëshiron që ato të mbërrijnë gjithandej.

(Kosova Sot)