Si u radikalizua njeriu më i kërkuar në Evropë?

  • 22 August 2017 - 19:08
Si u radikalizua njeriu më i kërkuar në Evropë?

Punonte pa u lodhur duke shitur këpucë dhe kishte blerë një veturë të re "BMW" me fitimet e tij

Terroristi i Barcelonës, Younes Abouyaaqoub, kishte filluar që të mos ua jepte dorën kushërirave të tij, derisa ishte duke u bërë më i devotshëm pak muaj para se të merrte pjesë në kryerjen e sulmit në Barcelonë. Djaloshi 22- vjeçar, i cili më parë vizitonte klubet e natës dhe konsumonte alkool, kishte blerë një libër biografik rreth Profetit Muhamed dhe kishte stolisur muret e shtëpisë së tij në Spanjë me ajete të Kuranit. Të afërmit dhe miqtë e tij tregojnë sesi ai ishte transformuar nga një adoleshent i relaksuar, që punonte pa u lodhur duke shitur këpucë dhe që kishte blerë një veturë të re "BMW" me fitimet e tij, në një fanatik fetar brenda vetëm një viti. Tani, pasi policia ka vrarë një njeri në një qytet në perëndim të Barcelonës, pasi ishte konfirmuar se Abouyaaqoub ishte shoferi i furgonit që kreu sulmin në Las Ramblas, të afërmit e tij në Marok japin detaje rreth vizitës së tij të fundit. 

Abouyaaqoub dhe kushëriri i tij, Hychami, më parë nuk i respektonin rregullat islamike

Ata tregojnë sesi Abouyaaqoub kishte shkuar në shtëpinë e tij familjare në Mrirt, një fshat të thellë në Marok, bashkë me kushëririn e tij, Mohamed Hychami, i cili po ashtu ishte pjesë e celulës terroriste Tarragona. 

'Deri një vit më parë, Younes ishte krejt normal, por kur na vizitoi në fillim të këtij viti, ai refuzonte të na e jepte dorën', tregon një kushërirë e tij, e cila kërkoi që të mos i përmendej emri. 'Askush nga familja nuk e dinim se ai do të vinte. Kjo ishte hera e fundit që e pamë'. Abouyaaqoub dhe kushëriri i tij, Hychami, më parë nuk i respektonin rregullat islamike, meqë pinin alkool dhe shkonin në klube të natës, tregon kjo kushërirë. Ndërsa fqinjët e tij në Spanjë tregojnë sesi Younes ishte mbyllur në vetvete dhe kishte filluar ta refuzonte stilin spanjoll të jetesës, me të cilin ai dhe vëllai i tij i vogël ishin rritur. 'Younes ishte shumë i turpshëm dhe duket se ishte mbyllur në vetvete gjatë muajve të fundit', ka deklaruar një femër e re, e cila jetonte në një ndërtesë me të. 'Ai nuk kishte dashnore dhe nuk dilte më në qytet. Më parë ai ishte një i ri normal, por që më vonë kishte ndryshuar', thotë ajo. Një ish shok i klasës, thotë: 'Younes ishte nxënës i mirë. Ai studionte inxhinierinë elektrike. Gjatë studimit ai merrej edhe me shitjen e këpucëve. Punonte një të shtunë në muaj, nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe paguhej 50 euro. Pasi filloi të punonte, bleu një veturë "BMW 1", gjë që më bëri mua xheloz", thotë ish- shoku i tij. Në ndërkohë, të afërmit e Abouyaaquobit dënojnë atë që ai ka bërë, duke insistuar se ai ishte radikalizuar në Spanjë. 

Atij ia kishin shpëlarë trutë në Spanjë

'Nuk kam më asnjë simpati ndaj Younesit', thotë halla e tij Fatima Abouyaaquob. "Nuk më dhimbset as nëse e zënë dhe e vrasin". Gjyshi i tij, Aqbouch Abouyaaquob ka kërkuar falje për krimet e bëra nga nipi i tij, duke thënë se ato veprime janë në kundërshti të plotë me kulturën dhe traditën e Marokut. Edhe ky insiston se nipi i tij nuk ishte radikalizuar në Marok, por atij ia kishin shpëlarë trutë në Spanjë. Imami i dyshuar si 'mendja' që qëndron prapa sulmit terrorist në Barcelonë kishte shkuar në Belgjikë tre muaj para sulmeve në Bruksel dhe ishte mik me sulmuesit me bomba në Madrid. Të afërmit e të dyshuarit kryesor, Younes Abouyaaqoub, thonë se ishte ky imam i cili e radikalizoi djalin e tyre. Policia tani janë duke analizuar se a është e vërtetë që Abdelbaki Es Satty, për të cilin dyshohet të ketë ndikuar në radikalizimin e anëtarëve të celulës terroriste që kryen sulmet në Barcelona dhe Kambrils, ishte po ashtu i përfshirë në sulmet vrastare të ISIS-it në aeroportin dhe metronë e Brukselit, në vitin 2016. Es Satty thuhet të ishte mik me disa nga sulmuesit me bomba në Madrid në vitin 2004, dhe kishte qëndruar katër vjet në burg për shkak të trafikimit të drogës dhe thyerjes së ligjeve spanjolle rreth imigrimit. Një shef i policisë së Katalonisë ka deklaruar se policia ka dëshmi të forta se Es Satty është në mesin e të vdekurve pas një shpërthimi në Alcanar. 

(Kosova Sot)