Ahmeti: Mbijetesa e AKR-së

  • 22 August 2017 - 19:16
Ahmeti: Mbijetesa e AKR-së

Analisti Hidajet Ahmeti ka gjykuar se nuk mund të kemi gjykime profetike për çështje të caktuara politike, e mbi të gjitha duke u mbështetur në retrospektivën politike të mbasluftës. Sipas tij, AKR- ja si parti politike nuk e ka luksin të qëndrojë në opozitë, pasi mbijetesa në skenën politike ia imponon të futën në kazanin e njëjtë qeverisës me partitë të cilat dhunuan shtetin e Kosovës nga pas lufta. " Prandaj, deklaratat e zyrtarëve të AKR- së të bëjnë të kuptosh se pushteti për ta është qëllim e jo shërbim ndaj qytetarëve të Kosovës, por qëllim për akomodimin e disa njerëzve në institucione publike dhe interesat e tyre biznesore. Gjykoj se zoti Pacolli nuk do ta bënte me dëshirë një hap të tillë, duke kaluar në grupacionin e krahut tjetër, por pushteti për AKR-në është mbijetesë në skenën politike kosovare, duke arritur disa objektiva politike, të cilat më shumë lidhen me interesa të ngushta politike e biznesore të këtij subjekti politik", ka thënë ai. "Përvoja në të kaluarën na jep material të bollshëm për të ndërtuar një teori edhe më bindëse, se marrëveshjet politike nuk janë shumë të qëndrueshme e aq më pak parimore. Çdo herë e më shumë po dëshmohet se marrëveshjet politike, qoftë parazgjedhore e qoftë pas zgjedhore, bëhen për interesa të ngushta politike, klanore e klienteliste e jo marrëveshje parimore, ideologjike e programore", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Hidajet Ahmeti.

(Kosova Sot)