Faza e dytë: Vuçiq e zhvendos nga mediet në institucione dialogun për Kosovën

  • 13 September 2017 - 16:20
Faza e dytë: Vuçiq e zhvendos nga mediet në institucione dialogun për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e mbrëmshëm drejtuar kombit serb, ka paralajmëruar se dialogu për Kosovën që po zhvillohet në shtetin serb, do të zhvendoset në institucione.

Ai ka thënë se faza e re e dialogut do të nisë nga tetori, kur kjo temë do të bartet në institucione të ndryshme të shtetit serb, përfshirë Kishën, Akademinë, ku ka thënë se është i gatshëm të shkojë personalisht të diskutojë.

“Ky dialog do duhej të zhvillohej në disa nivele”, ka theksuar ai.

Ai ka rikujtuar se disa muaj më herët u kishte bërë thirrje publikut serb, qytetarëve, akterëve politikë dhe OJQ-ve, Kishës Akademisë të Shkencave që të fillojnë të flasin për Kosovën.

Po ashtu, Vuçiq ka thënë se është i kënaqur me faktin që shumë prej akterëve i kanë shfaqur mendimet e tyre duke thënë se kritikat në këtë drejtim kanë treguar kapacitetin demokratik të shoqërisë serbe.

Ai ka paralajmëruar edhe tubime, ku do të diskutohet për Kosovën, të cilat do t’i organizojë Qeveria Serbe. Ndërkohë që ka hedhur poshtë zërat, se tashmë ai e ka të përgatitur rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve.

(Kosova Sot)