< Veseli harroi akuzat, e kapërdiu "RUSIN" DHE "DËSHTAKUN" PACOLLI - Lajme - Kosova Sot
Veseli harroi akuzat, e kapėrdiu "RUSIN" DHE "DĖSHTAKUN" PACOLLI

Veseli harroi akuzat, e kapėrdiu "RUSIN" DHE "DĖSHTAKUN" PACOLLI

PAZARET E PUSHTETIT SHKELIN ÇDO PARIM DHE MORAL

Dikur e injoronte, sot ia dha gjysmën e Qeverisë

"Sikurse që çdo marrëveshje e bërë publike mes subjekteve politike, respektivisht mes liderëve partiakë nuk është e tëra, gjithmonë ekziston marrëveshje tjetër, e panjohur për publikun, të cilën e përdorin si "kartë" rezervë në rast të situatave të paparashikuara. E tillë ka të ngjarë të jetë edhe marrëveshja e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit me Behgjet Pacollin, 'rusin' e tij të dikurshëm dhe politikanin e dështuar", tha Florim Zeqa

Në fund të muajit maj, në një emision televiziv, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për të kaluarën politike të kreut të AKRsë, Behgjet Pacolli, pati thënë se ai është një politikan i dështuar. Për më tepër, gjatë tërë fushatës oponentët politikë nga PDK-ja e quajtën edhe rus dhe të gjitha të këqijat që i gjetën dhe mundën t'i mendojnë i adresuan kundër tij. Tani, mbetet një enigmë e madhe e pasqaruar se si mund të shpjegohet zhvillimi aq i papritur, si të shpjegohet fakti që u pajtua aq lehtë edhe vetë Kadri Veseli që pikërisht "rusin" dhe politikanin e dështuar ta futë në Qeveri, me vetëm 2 deputetë në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë hiç më pak se zv. kryeministrin e parë, si dhe pesë ministri, për t`iu zvogëluar ato në 4 pastaj me ndonjë marrëveshje tjetër të panjohur për publikun. Askush nuk di ta shpjegojë, as ta kuptojë se si dhe pse ia garantoi serish Kadri Veseli me të tjerët "rusit" dhe politikanit të dështuar se do ta përkrahin edhe për president. Analistët politikë, krejt këtë ndryshim qëndrimesh të kreut të PDK-së e shpjegojnë me mungesën e parimeve të qëndrueshme të lidershipit politik të Kosovës dhe shikimin në momentet kritike të betejës për pushtet vetëm përreth interesave personale dhe të klientelave të grupeve të interesit. Vlerësim kritik rreth kësaj çështjeje ka dhënë edhe analisti Ali Hertica. "Duhet thënë qartë dhe shumë sinqerisht që liderët politikë të Kosovës nuk kanë vija të kuqe, as nuk mbajnë inate personale kur është fjala e zhvillimit të luftës për pushtet, kur interesat e tyre personale dhe klienteliste përafrohen duke arritur një traktat paqësor të ndarjes së kulaçit për kapjen e përbashkët të shtetit. Tani, edhe kjo marrëveshje është një tjetër gënjeshtër e radhës për zotimet e këtyre liderëve politikë me akuza e kundërakuza ndaj njëri- tjetrit që shkonin deri në cilësimin e ulërimave të ujqve", u shpreh Hertica për "Kosova Sot".

“Kjo gjendje dhe kjo marrëveshje e finalizuar, tani për të ndarë pushtetin, flet më së miri se në fakt të gjitha ato çka i flasin këta politikanë janë tërësisht gënjeshtra e mashtrime", tha Ali Hertica 

Rivaliteti i fshehur i oligarkëve të PDK-së

Edhe analisti politik, Faton Mehmeti thekson se një ndryshim kaq radikal i qëndrimeve vjen si pasojë e faktit që politikanët te ne janë pa fije morali dhe njerëzie. "Dikë e shajnë sot, e nesër bëjnë koalicion, dikë e lavdërojnë, nesër e shpallin armik etj. Ky është niveli i politik bërjes në Kosovë, në këtë derexhe ka rënë politika e Kosovës. Akuzat që Kadri Veseli ia bënte Pacollit janë mjaft të rënda, ofenduese dhe përtej fjalorit politike të rivalitetit", ka theksuar ai. " Derisa dje e shante, sot e ka bashkëpunëtor, janë interesat ato që e mbizotërojnë arsyen dhe parimin. Kadri Veseli gjithnjë fliste për një model të ri politik, derisa vazhdonte të përdorte gjuhën e njëjtë të bashkëpartiakëve të tij, të cilët nuk kanë lënë njeri pa sharë, pa ofenduar e pa kërcënuar. Pacolli po përdoret si nga Thaçi, ashtu edhe nga Veseli për luftën e tyre të brendshme, për të përdorur si armë kundër njeri- tjetrit", tha Faton Mehmeti. Sipas tij, derisa dihet se rivaliteti Thaçi &Veseli është i hapur, ata po luftojnë edhe në heshtje, se cili është shefi në PDK dhe jashtë saj, prandaj postin e presidentit e kanë shndërruar në biznes.

Marrëveshje pazaresh

Edhe pse këtë "martesë" politike e cilë- son të dëmshme politikisht dhe me rrezik serioz për vendin, megjithatë një pritje më optimiste për mundësi të zhbllokimit të të gjitha proceseve të bllokuara nga Qeveria e kaluar, pavarësisht sfidave që janë përpara, ka për Qeverinë "Haradinaj" analisti Muhamet Kelmendi. "Koalicioni i ndërtuar është rezultat i një marrëveshjeje të arritur midis subjekteve politike, që janë futur në koalicion. Ky koalicion ka dobësi të mëdha dhe kjo fillon kryesisht në mënyrën e ndërtimit dhe të ndarjes së pushtetit të koalicionistëve", u shpreh ai. "Në këtë anë, kryeministri, z. Haradinaj, ka bërë kompromise të dhimbshme, me qëllim të arritjes së ndërtimit të pushtetit shtetëror. Z. kryeministër lejoi për interes të vendit një ndarje të pushtetit jo mbi bazën e fuqisë së përfaqësimit në Kuvend, por mbi një bazë të raporteve të krijuara koalicioniste. Këtë gjendje e shfrytëzoi më së miri AKR-ja dhe Lista Serbe. Këto dy subjekte morën 8 pozita në Qeveri. Po më i suksesshmi u tregua Pacolli. AKRja arriti që me 2 a 3 deputetë të marrë katër ministri dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit. Unë nuk e di se ka marrëveshje që pas këtij mandati të bëhet Pacolli president. Po, nëse ka, jam kundër dhe kjo e dëmton tejet shtetin e Kosovës. Koalicioni PDK dhe AKR është një koalicion tipik antilogjik dhe tejet i rrezikshëm, si për raportet ndërkombëtare, kuptohet të Kosovës me jashtë, ashtu edhe të brendshme, sepse ka ministra të panjohur dhe që vijnë nga puna e tij në "MABETEX". Kjo është e dëmshme. Por, megjithatë, unë kam mendim se me z. Ramush Haradinaj, si kryeministër, raportet e tilla do të deklasohen dhe futen nën kontroll, si dhe dëmi nuk do të jetë, sikundër ishte në Qeverinë 'Thaçi' etj.", theksoi Muhamet Kelmendi. 

"Ky koalicion, pra, është jo i zakonshëm dhe tepër i panatyrshëm, por të logjikshëm dhe juridikisht ligjore e bën vetëm figura e Ramush Haradinajt. Këtu e kam besimin e vetëm se shteti i Kosovës nuk do të dështojë, por do të ecë përpara, sado që do të jetë një proces i vështirë", tha Muhamet Kelmendi

E KANË MENDJEN VEÇ TE KULAÇI

Analisti politik Reshat Badallaj, i pyetur rreth kësaj çështjeje, tha se Kadri Veseli, që ai gjithmonë e ka quajtur Kadri Topuzi, është një politikan dallkauk që nuk njeh mjete për të ardhur në pushtet, prandaj edhe i ka harruar dhe lënë anash të gjitha vlerësimet e tij për oponentin politik, vetëm e vetëm që të gjendet formula e mbetjes në pushtet. "Ky është një tinëzar që të vret natën dhe të vajton ditën. Ky ka pështirë dhe ka vjellë disa herë dhe me paturpësinë e tij, ky sërish ka lëpirë dhe ka gëlltitur. Çdo gjë të gjallë e të vdekur e jep për interesa personale. Tashmë është vërtetuar se atë që e ka bërë në luftë e ka bërë për pushtet dhe para, dhe nuk ka rëndësi tani se kush vjen e kush shkon dhe kush punon për interesa anti-shtetërore dhe antikombëtare. Etiketojnë për interesa të tyre personale dhe, kur të vijë hesapi i pazarit, të gjitha i harrojnë se janë farë e keqe hajdutësh e kusarësh", theksoi ai Reshat Badallaj. Badallaj thotë se jo vetëm Kadriu me Pacollin harrojnë të kaluarën e acaruar dhe kundërshtimet që kanë pasur për pushtet, por këtë e bëjnë gati të gjithë politikat e Kosovës që nuk kanë moral e dinjitet.

POLITIKANËT GËNJESHTARË DHE MASHTRUES

Analisti Florim Zeqa, duke folur për këtë pajtim të papritur për shumë kë mes Veselit e Pacollit, potencon se liderët partiakë janë mësuar t'i hanë pa asnjë problem qershitë e "lagura" nga goja e njëri-tjetrit. "Nga njëra palë zgjedhje, në tjetrën, çdo premtim përfundon në mashtrim, çdo sharje me përqafim paszgjedhor. Thënë me një fjalë, hipokrizisë së politikanëve kosovarë më nuk po u beson askush! Ata (politikanët) lërë që u bënë përrallë para qytetarëve të vendit, u bënë edhe gazi i botës", theksoi ai. " Futja e një politikani të dështuar në qeverisjen e vendit dhe futja e Qeverisë në varësi të Listës serbe, përveçse nuk tingëllon mirë, është tregues se kjo Qeveri, edhe përkundër dëshirës, e ka të vështirë t'i sjellë diçka të mirë qytetarëve dhe vendit në përgjithësi", u shpreh Zeqa. "Marrëveshja mes koalicionit PAN dhe AKR-së, e cila bëri të mundur krijimin e kësaj Qeverie të numrave viciozë, flet qartë se të gjitha ato çka i flasin politikanët kosovarë janë tërësisht gënjeshtra e mashtrime, dhe se nuk duhet besuar asnjërit, as edhe një fjali të vetme, pasi çdo gjë që e thonë është maskaradë mashtruese me prapavijë të errët politike. Sikurse që çdo marrëveshje e bërë publike mes subjekteve politike, respektivisht mes liderëve partiakë nuk është e tëra, gjithmonë ekziston marrëveshje tjetër, e panjohur për publikun, të cilën e përdorin si "kartë" rezervë, në rast të situatave të paparashikuara. E tillë ka të ngjarë të jetë edhe marrëveshja e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit me Behgjet Pacollin, "rusin" e tij të dikurshëm dhe politikanin e dështuar", theksoi Florim Zeqa.

DEGRADIM I THELLË POLITIK

Analisti Gani Qarri thotë se përkundër faktit që Kadri Veseli vetëm para rreth katër muajve, me plot gojën e quante z.Pacolli biznesmen të dështuar dhe i sugjeronte atij që ta linte fare politikën dhe të merrej vetëm me biznes, sepse Kosova ka nevojë për biznesmenë të suksesshëm, tanimë jemi dëshmitarë se qëndrimi i kryeparlamentarit, sa çel e mbyll sytë ndryshoi për 360 shkallë. "Madje, edhe më i vështirë për t'u kuptuar nga votuesit, është fakti se, përveç lidhjes së marrëveshjes së Kadri Veselit me "rusin", e cilësuar nga PAN-i, ofrimi po atij, hiç më pak se posti i zv. kryeministrit të parë, si dhe pesë ministri (për t'u zvogëluar pastaj në 4 sosh, përfshirë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga një politikan i quajtur nga vetë ai-i "dështuar" dhe me vetëm 2 deputetë në Kuvendin e Kosovës, koalicioni me lëvizjen "Srpska", e ndoshta edhe ndonjë marrëveshje tjetër të panjohur për publikun, po i lënë shqiptarët pa mend!? Ky nuk mund të quhet as të cilësohet ndryshe vetëm se një degjenerim i tërësishëm i udhëheqësve në vend, (pa)ndërgjegjshmëri totale politike, degradim i skajshëm i sjelljeve të deputetëve dhe stërkeqja më banale e fjalorit të përfaqësuesve të "zgjedhur" të "popullit"", potencoi Qarri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot) 

16 orë e 24 minuta më parë