Baraliu: Duhet reformë e mirëfilltë

  • 13 September 2017 - 21:30
Baraliu: Duhet reformë e mirëfilltë

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka nënvizuar se njëri nga problemet, sa i përket efikasitetit dhe aktakuzave të pushtetit dhe në përgjithësi atyre institucionale, siç tha, është problemi që nuk ka sa duhet gjyqtarë dhe prokurorë, pastaj që ka jo sa duhet iniciativë të lirë dhe hapësirë profesionale të mjaftueshme që në mënyrë të pavarur dhe efikase të punojnë njerëzit e gjyqësorit dhe të drejtësisë dhe t'i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Pastaj, ai thotë se në këtë drejtim kushtet e punës nuk janë të mira, mungon efikasiteti, po ashtu gjithsesi kujdesi nuk është i mjaftueshëm, buxheti po ashtu nuk është i mjaftueshëm, pastaj edhe siguria nuk është në nivelin e duhur. " Prandaj, janë shumë faktorë që ndikojnë që, përkundër dëshirës dhe përparimit që është bërë, sipas deklarimit të kryeprokurorit, sa i përket prokurorive të shtetit që kanë marrë numër të caktuar lëndësh, por kanë kryer më shumë sesa që kanë marrë dhe se ka një efikasitet të duhur, mirëpo që ka shumë lëndë të grumbulluara", u shpreh ai. "Janë shumë faktorë që do të duhej të ndryshojnë dhe Qeveria e re dhe Parlamenti do të duhej që të krijojnë kushte, me një fjalë shoqëria kosovare të krijojë kushte më të mira dhe duke filluar nga përmirësimi i buxhetit dhe pastaj sigurisë, pavarësisë etj., në mënyrë që të kemi një avancim dhe një reformë të mirëfilltë dhe efikasitet në kryerjen e obligimeve të bartësve, por edhe mos zhagitje të aktakuzave eventualisht, të cilat ndaj eksponentëve të caktuar të pushtetit ngritën, kalojnë afatet ligjore, parashkruhen, dhe mbesin në sirtarët e institucioneve", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)