Ashpërsohet gara për Prizrenin, liderët zbarkojnë pa nisur fushata

  • 20 September 2017 - 18:14
Ashpërsohet gara për Prizrenin, liderët zbarkojnë pa nisur fushata

P as Prishtinës, në Prizren do të jetë një garë e fortë mes partive politike se kush do ta fitojë këtë qytet historik. Tashmë liderët e partive ende pa filluar fushata zyrtarisht kanë zbarkuar në Prizren për t'u mobilizuar për mbledhjen e votave. Lidhur me këtë luftë të ashpër që pritet të bëhet në Prizren, Ramadan Baraliu, politolog, shprehet për gazetën "Kosova Sot" se gara zgjedhore më interesante pritet të jetë për Prizrenin. "Në këto zgjedhje pritet të zhvillohet një betejë zgjedhore e ashpër mes PDK-së, VV-së dhe LDKsë me AAK-në e cila do të ketë tendencë rritje. Edhe pse është vështirë të parashikohet rezultati për zgjedhjet lokale pa ndonjë sondazh profesional të besueshëm, Prizreni mund të sjellë befasi nëse merren për bazë rezultatet nga zgjedhjet nacionale dhe nëse e njëjta frymë bartet edhe në zgjedhjet lokale", është shprehur ai.

AAK-ja mund të sfidojë subjektet e mëdha

Sipas Baraliut, Partia Demokratike e Kosovës pritet të koncentrojë energjinë dhe kapitalin për të mbajtur komunën e Prizrenit, e cila ka rëndësi të veçantë për këtë parti."Dëshmi për këtë janë edhe vizitat e shpeshta të kryetarit të kësaj partie dhe përcaktimi për kandidatin, emërimi i ministrit të Kulturës dhe bartja e ministrive në Prizren. Gjithashtu edhe Lëvizja 'Vetëvendosje' do të koncentrojë energjinë krahas Prishtinës edhe në Prizren, duke u munduar të ruajë rezultatin e zgjedhjeve nacionale dhe të bartë atë frymë edhe në zgjedhjet lokale. Po ashtu, LDK-ja bën pjesë në tri subjektet kryesore në garë në Prizren, e cila do të përpiqet që krahas angazhimit për Prishtinën të kthejë në qeverisje edhe Prizrenin. Pasi që AAK-ja ka kryeministrin në pushtetin qendror, nëse Haradinaj koncentrohet në fushatë, mund të pësojë rritje dhe që shumë lehtë mund të sfidojë ndonjërën nga tri subjektet kryesore", thekson ai. Përcaktimi i Zafirit në mbështetje të ndonjërit nga subjektet kryesore mund të bëjë diferencën, sipas Baraliut, pasi që pritet të jenë në pyetje qindra vota për mbetje në garë ose eliminim nga balotazhi. "Rezultati i këtyre zgjedhjeve lokale në nivel vendi do të jetë determinuese për jetëgjatësinë e qeverisë qendrore që është konsistuar ditë më parë. Nëse nuk merren vesh parterët e koalicionit qeverisës për mbështetje të njëri-tjetrit në komunat ku janë favorite, e cila gjë pritet të ndodhë, atëherë mund të lëkundet shumica në Kuvendin e Kosovës, e cila po ashtu është e brishtë", theksoi politologu Ramadan Baraliu.

Berisha kërkon largimin e bandave nga pushteti

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, i cili momentalisht është eliminuar nga gara nga ana e KQZ-së dhe pret verdiktin e Supremes, është shprehur se të gjithë duhet të mobilizohen në mënyrë që më 22 tetor, siç ka thënë, bandat kriminale t'i dërgojnë në shtëpi."Valdete Daka e KQZ-së është vënë në test nga bandat e politikës, për të marrë vendim ndaj meje, prandaj unë kam shkruar për rrëzimin e Qeverisë", thotë Berisha, ndërsa e ka përsëritur se nëse do të bëheshin 60 vota, ai do ta jepte votën e 61-të për rrëzimin e Qeverisë. Gara tashmë duket se është e vështirë, sado që secili nga kandidatët kanë një përshtypje se ata kësaj radhe po mundohen të fitojnë në bazë të personaliteteve të tyre dhe begrandit që e kanë. Kështu mendon profesor Vullnet Berisha, i cili tregon se ka bërë disa sondazhe të brendshme për të parë se kush do të jetë fituesi. Ato, tregon ai, kanë pasur lëvizshmëri herë duke nxjerrë të parën PDK-në, pastaj 'Vetëvendosjen' e LDK-në. Kurse befasisht pas rastit të decertifikimit të Zafir Berishës ka pasur raste që edhe Nisma ka dalë e para. Berisha thekson se lufta po ashpërsohet gjithnjë e më shumë e Prizreni është bërë pikëtakimi i të gjitha subjekteve politike. Pensionisti Ahmet Gashi thekson se Prizreni është përmbushur me lloj-lloj militantësh që bëjnë reklamime dhe bëjnë politikë edhe në kafene.

(Kosova Sot)