​Kosovarët ende në pritje të përgjigjes përfundimtare për azil në BE

  • 20 September 2017 - 18:25
​Kosovarët ende në pritje të përgjigjes përfundimtare për azil në BE

77 për qind e kosovarëve të cilët kishin kërkuar azil në vendet e Evropës dy vjetëve të fundit akoma janë në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga vendet ku ata kanë kërkuar azil.

Kështu thotë studimi i ri nga “Pew Research Center”, që njofton se më shumë se 1.1 milion njerëz që kërkonin azil në Evropë në krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore janë në pritje të përgjigjes se a mund të qëndrojnë në vendet e Evropës, dy vjet pas ikjes nga vendet e tyre.

Sipas këtij studimi, më shumë se gjysma e azilkërkuesve në Norvegji, Zvicër dhe 28-vendet tjera të BE-së gjatë krizës së viteve 2015 dhe 2016, akoma nuk kanë marrë përgjigje.

Sa i përket Shqipërisë, 89 për qind e azilkërkuesve shqiptarë akoma s’kanë marrë përgjigje përfundimtare, shkruan The Guardian.

Sipas hulumtimit, Hungaria dhe Greqia janë duke ecur me hapat më të ngadalshëm sa i përket kërkesave për azil. Kërkesat për azil në vitet 2015 dhe 2016 përfaqësojnë 20 për qind të të gjitha kërkesave në Evropë që nga vitet e 80-a.

Gjermania mbetet shteti në të cilën pati më së shumti azilkërkues. 45 për qind e të gjithë azilkërkuesve në dy vjetët e fundit ishin në kërkim të Gjermanisë.

(Kosova Sot)