Kur hajduti bërtet "kapeni hajdutin"!

  • 23 September 2017 - 09:15
Kur hajduti bërtet

AKUZAT E PARTIVE, DËSHMI E HIPOKRIZISË SË POLITIKËS KOSOVARE
Të gjithë janë të zhytur deri në fyt
"Akuzat e partive ndaj njëra-tjetrës për korrupsion e krim të organizuar, jo vetëm se tingëllojnë shumë qesharake, por po krijojnë edhe para opinionit skena tejet tragjikomike, për të mos thënë tërësisht të turpshme, sikur ta denoncojë hajni-hajnin! Për çudi, e vetmja fushë, ku ata rregullisht takohen dhe i bën miq të pandashëm e bashkë idealistë të përjetshëm, është ajo e hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar", vlerësoi Gani Qarri
Duke parë fillimin e egër të fushatës së re zgjedhore edhe për këto zgjedhje lokale të 22 tetorit dhe gjuhën të cilën kanë filluar ta përdorin partitë në raportet e luftës rivale për pushtet, analistët politikë konstatojnë se kjo është edhe një dëshmi akoma më e madhe që flet për humbjen totale të moralit në politikën kosovare, ngase akuzat e partive ndaj njëra-tjetrës për korrupsion dhe krim të organizuar po bëhen sikur ta denoncojë hajnihajnin, derisa në praktikë është dëshmuar deri më tani se asnjëra nga partitë politike nuk iu shmang përfshirjes në skema të paligjshmërisë gjatë qeverisjes, në nivelin qendror apo atë lokal. Tani edhe ngritja e zërit në fushatë lokale zgjedhore e ndonjërës nga partitë, nga analistët, po vlerësohet se është vetëm një hipokrizi e llojit të vet. Sipas opinionistëve, njohës të zhvillimeve politike në vend, në fushatën zgjedhore komunale prijëse e krimit të organizuar dhe shitjes së lejeve ndërtimore është pikërisht VV-ja me Shpend Ahmetin, të cilët në vazhdimësi kanë propaganduar se janë kundër krimit të organizuar, por që e dëshmuan katërçipërisht të kundërtën e asaj që thoshin, shanin e premtonin gjatë udhëheqjes e qeverisjes 4-vjeçare në Prishtinë, duke shëtitur me jahte, duke u dhënë tenderë mafio-oligarkëve, duke shitur leje ndërtimore me çmime marramendëse me miliona euro, e deri te tentativat për të dhuruar tokën e fundit komunale, po këtyre mafio- oligarkëve, që përfaqësojnë majat e krimit të organizuar në vend, me jahtet e të cilëve janë shëtitur larg e thellë nga brigjet e bregdetit, për të shpëtuar nga përgjimet e regjistrimet e shërbimeve të inteligjencave ndërkombëtare.

Zhvillimi ekonomik po injorohet

Sipas analistit Blerim Burjani, është fakt i pamohueshëm që të gjitha këto parti janë të involvuara në krime të shumta dhe denoncimet njëra ndaj tjetrës po bëhen vetëm në mungesë të funksionimit të rendit dhe ligjit. "Pa ndërhyrje të organeve të drejtësisë, nuk do të ketë pastrim të tyre nga strukturat e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vetëm riciklim të keqpërdorimit të pushtetit do të ketë dhe pasurim pa bazë ligjore. Tani partitë politike po ngatërrohen njëra me tjetrën dhe po akuzohen, e prokuroria po rri në gjumë. Kjo nuk dihet të mbetet kështu. Së paku duhet të vërtetohen akuzat me veprim 'ex officio', por po shihet që nuk ka seriozitet në asnjë segment të funksionimit të shtetit, pra as në atë të funksionimit të ligjit", theksoi Burjani. Ai thotë se tani më kjo fushatë e filluar për pushtetin lokal është e orientuar vetëm në zënka ndërmjet partive, qoftë edhe për paligjshmëri me ndërtimet në Prishtinë, ku pushtetin e ka VV-ja, për lejet e ndërtimit dhe shumë gjëra të tjera, duke përfshirë edhe tenderë për ndërtim të shkollave, por nuk flitet për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, hapësira për të abuzuar me gjithçka të mundshme në Prishtinë ekziston kaherë nga kushto që ka udhëhequr, pa përjashtuar edhe 'VETËVENDOSJEN', e cila aspak nuk ka qeverisur sipas ligjit. "Shih nenin 17 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, pika ku e para kompetencë vetjake e komunës është zhvillimi ekonomik lokal, e këta merren me pushtetin lokal veç kush çka ka bërë. Pra, pushteti lokal më atraktiv është me ndërtim të shkollave, leje të ndërtimit dhe kadastra ku të gjitha dallaveret bëhen aty, derisa Prishtina si kryeqytet s'ka akoma kadastër të konsoliduar si duhet, por skica kadastrale të paligjshme të vitit 1952. Ka pasur edhe aso rastesh, kur njerëzit shpesh kanë blerë edhe rrugën kryesore të daljes me këto skica dhe vizatime. E këtë përgjegjësi e mbajnë të gjithë, por edhe vetë kryetarët aktualë komunalë", potencoi Burjani për "Kosova Sot".

Politikanët duan t'i grabitin votat

Analisti politik, Florim Zeqa, konstaton se partive politike kosovare përveçse u ka humbur morali, u ka humbur totalisht edhe busulla orientuese. "Akuzat që i ngritin njëratjetrës gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale për krim të organizuar dhe korrupsion, më tepër se hipokrizi, është tendencë për mashtrimin e sërishëm të qytetarëve për grabitjen e votës. Akuzat e liderëve partiakë drejtuar njëri-tjetrit, më tepër ngjasojnë në denoncime hajdutësh, kur njëri hajn i thotë tjetrit "ti ke vjedh më shumë se të tjerët". Para syve të qytetarëve, të gjitha partitë dhe liderët e tyre duken të njëjtë, mashtrues dhe hipokritë, të pabesë dhe gënjeshtarë të ligj", potencoi Zeqa për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas njohësit të zhvillimeve politike të këtyre viteve të fundit në Kosovë Mustafë Kadrijaj, partitë politike duke e shfrytëzuar këtë nivel të ulët të vetëdijesimit të qytetarit akuzojnë njëra-tjetrën, saqë qytetari aq shumë është në huti dhe nuk di kush është i korruptuari e kush ai që e lufton të korruptuarin. "Përderisa qytetari është në këtë gjendje, partitë politike nuk do të ndalin këtë metodë të tyre të suksesshme të vjeljes së votave nga qytetari i varfër, i hutuar e i mashtruar", ka pohuar Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot". 

MASHTRUESIT NË PUSHTET

Sipas analistit Reshat Badallaj, këto parti që tash po këmbejnë akuza të ndërsjella, jo vetëm që kanë humbur moralin, por, sipas tij, nuk u kanë mbetur as dy gishta fytyre nga lidhjet e tyre me krimin e korrupsionin. "Janë bërë aq të pamoralshëm, që u ka dalë boja dhe nuk po u beson më askush. Nga anët tona në Zhur të krahinës së Lumës thuhet: "Lëshoje hajnin, po e lëshoj po ai nuk më lëshon...". Këta janë pra të një brumi pa më të voglin dyshim. Janë rrenacakë, hajna, mashtrues, demagogë që japin premtime boshe vetëm e vetëm për të mashtruar popullin për interesa të tyre personale", u shpreh ai. "Këta vagabondë, hajna, mashtrues që nga paslufta e deri sot, kanë mashtruar popullin, elektoratin dhe më në fund e kanë tradhtuar. Kurrë nuk vendosi vota e lirë e qytetarit. Pasi morën votën këta banditë, mashtrues dhe kriminelë të krimit të organizuar, ia kthyen shpinën dhe përbuzën elektoratin", tha Reshat Badallaj. Ai thekson se është për t'u çmendur një njeri me inteligjencë të shëndoshë, kur dëgjon deklarimet dhe akuzat e gënjeshtarit e mashtruesit Shpend Ahmeti se si provon ta bëjë edhe një mashtrim të radhës për të fituar votën e qytetarit. "Dëgjuat hipokritin dhe rrenacakun Shpendin e Ali Ahmetit se çka paska thënë në kanalin pro serb që quhet 'Klan', para një grupi banditesh i thënçin "analistë", sot e lexova në portal dhe më thoni kush i beson këtij pjelle të një ish-Titisti. Paska lehur për 50 e ca autobusë. Ne po e pyesim: përse nuk janë dhe nuk lëvizin në rrugë, ku janë edhe 21 autobus të tjerë, përse mrizojnë në garazhet e Çekisë? ...A ka skandal më të madh në Evropë, kur ky mjeshtër i dredhive dhe matrapazllëkut sa mirë e kishte organizuar takimin me bandën serbiane 'DEVOLLI', në detin e hapur, natën e errët, pa hënë, jo në tokë po në ujërat e thella të CRNA GORES!", u shpreh Badallaj.

BANDAT E LIDHURA ME NJËRA-TJETRËN

Edhe analisti politik, Faton Mehmeti, vlerëson se fatkeqësisht të gjitha partitë në Kosovë, në të vërtetë janë klane mafioze, të cilat inkorporojnë politikanët si karrem për të arritur qëllimet e tyre. "Kryesisht kanë si qëllim pasurimin në kurriz të qytetarëve të ndershëm. Nëse shohim më hollësisht, strukturat e partive politike janë të kamufluara nën qëllimet e tyre të errëta, që nuk i shkojnë aspak interesit të Kosovës për t'u zhvilluar dhe ecur drejt civilizimit dhe zhvillimit ekonomik. Partitë politike, respektivisht klanet e tyre, janë në konkurrencë për të zhvatur shtetin, ndërkohë që bizneset i ndajnë së bashku. Në ndërmarrjet kryesore të vendit janë përfaqësues të LDK dhe PDK, diku-diku edhe të VV-së, por që në mungesë të pushteti, deri tani nuk kanë arritur ende të zhytin duart aq thellë, përveç në disa ndërmarrje në Prishtinë", shpjegoi ai. "Fatkeqësia më e madhe për Kosovën është mungesa e alternativave dhe kjo e sforcon edhe më shumë bindjen dhe ulërimën e qytetarëve se këtu nuk ka jetë. Disa nga bandat më të mëdha në vend janë Devollët, kapot e 3% të LDK-së, 'Pronto' i PDK-së, pastaj haraçistët e AAK, si dhe Devollët e VV-së. Këta janë të lidhur mes tyre, kryejnë biznes bashkë, ndërsa para popullit manipulojnë kinse e akuzojnë njëra-tjetrën. Prandaj, Kosovës i duhet një filtrim i skenës politike nga banditët, edhe pse është vështirë të ndodhë kjo për një kohë të gjatë", u shpreh Faton Mehmeti.

PROKURORIA MBYLL SYTË PARA KRIMIT

Analisti politik, Gani Qarri, nga këndvështrimi i tij vlerëson se derisa morali në politikën kosovare ka kohë që nuk ekziston fare, apo e gjen vetëm si fjalë të lirë dhe iluzion të "padenjë" për përdorim, jo vetëm se ka humbur totalisht, por edhe vetë politika e këtij vendi ka devijuar keq dhe dalë përfundimisht jashtë çdo kontrolli ligjor dhe kontestit të normales. "Kurse akuzat ndaj njëra-tjetrës për korrupsion e krim të organizuar, jo vetëm se tingëllojnë shumë qesharake, por po krijojnë edhe para opinionit skena tejet tragjikomike, për të mos thënë tërësisht të turpshme, sikur ta denoncojë hajni-hajnin. Për çudi, e vetmja fushë, ku ata rregullisht takohen dhe i bën miq të pandashëm e bashkë idealistë të përjetshëm, është ajo e hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar", vlerësoi ai. "Në asnjë fushë tjetër, partitë tona politike, nuk pajtohen aq mirë dhe fort e pa asnjë zënkë, si në fushën e paligjshmërisë. Është fatkeqësi për një popull të tërë se si politikanët shqiptarë vetëm në arenën e krimit të organizuar, gjithmonë gjejnë aq shumë gjuhë të përbashkët, saqë pothuajse nuk ka udhëheqës politik as partiak, që nuk dyshohet dhe mund të amnistohet nga përfshirja në skema të kundërligjshme. Ngritja e pakuptimtë e zërit në fushatë lokale zgjedhore, kinse kundër krimit të organizuar në vend, e cilësdo nga partitë, është dhe mbetet vetëm hipokrizi e llojit të vet", tha Gani Qarri. Ai fajëson po ashtu edhe Prokurorin e shtetit që heshtë këto marifetllëqe të parive politike dhe nuk i ndjek ato. "Megjithëse, pjesëmarrjen e tyre permanente në krim të organizuar e thotë dhe dëshmon e gjithë shoqëria kosovare, si dhe e besojnë plotësisht edhe shqiptarët kudo, fatkeqësisht përderisa prokuroria e kapur vendore, për vite me radhë vetëm hesht e fle dhe bën gjumë aq të qetë edhe para akteve më makabre, është e vështirë të këmbëngulet, kur të gjitha merren me paligjësi, se cila parti, është njëmend prijëse e krimit të organizuar, dhe të renditet ajo e para në radhë me saktësi", tha Qarri për "Kosova Sot" 

 (Kosova Sot)