Dështimi me Interpolin, goditja e parë për Qeverinë

  • 23 September 2017 - 09:24
Dështimi me Interpolin, goditja e parë për Qeverinë

EKZEKUTIVI I RI HUMBET RASTIN PËR TË KËRKUAR ANËTARËSIMIN

Analistët politikë kritikojnë ashpër pushtetin

"Dështime të tilla skandaloze për Kosovën, përveçqë do të vonojnë anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, do të krijojnë një imazh të keq në raport me politikën e jashtme. Kjo tërheqje taktike e zotit Haradinaj, për një çështje serioze, që ka impakt të madh në rendin ndërkombëtar, tregon më së miri për mosseriozitetin, mosstabilitetin, dualizmin vendimmarrës, e mbi të gjitha pafuqinë politike të kësaj Qeverie për t'i çuar proceset e rëndësishme përpara", tha Hidajet Ahmeti

Vendimi i një dite më parë i Qeverisë, që të shtyhet për një herë tjetër votimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ka hasur në kritika të ashpra të analistëve politikë dhe të sigurisë në vend, duke konstatuar se kjo është një defensivë e madhe. Sipas analistit Ymret Reshiti, një veprim i tillë është aspak i menduar mirë dhe aspak i qëlluar, sepse dihet se Interpoli më së shumti kosovarëve po u sjellë kokëçarje në lirinë e lëvizjes jashtë Kosovës, disa herë duke ndaluar dhe duke burgosur njerëz sipas fletë-arresteve të Serbisë dhe ish- Jugosllavisë. " Tërheqja "vullnetare " nga procesi i anëtarësimit në këtë organizatë është debakël i rëndë për shtetin e Kosovës . Është mesazh i qartë për çdo qytetar se ky shtet është qelbur nga njerëz të paaftë që na përfaqë- sojnë neve dhe që na shfrytëzojnë pa mëshirë", u shpreh ai. "Diplomacia që e kemi sot është meritë e presidentit Thaçi, i cili sipas aferës "Pronto" ka emëruar ambasadorë dhe konsuj të paaftë anembanë botës, të cilët në vend se të kryejnë misionin e tyre, ata me veprimet e tyre Kosovës i sjellin dëme, siç është rasti i punëtorit të konsullatës në Nju- Jork, i lidhur me mafinë 'Coza Nostra'", ka thënë Reshiti .

Nevojitet reformë e thellë në diplomaci

Sipas Reshitit, tërheqja nga anëtarësimi në Interpol duhet të jetë alarm se diplomacia e Kosovës është në gjendje të pashpresë kronike. "Duhet të fillojë një reformë e thellë në fushën e diplomacisë dhe një proces serioz i emërimit të ambasadorëve dhe konsujve sipas meritës", tha Ymret Reshiti. Ai ka pohuar se sikur të mos mjaftonte kjo ambiciet karrieriste të politikanëve kosovarë bënë që në krye të diplomacisë të vijë njeriu që s'ka lidhje me diplomacinë dhe që mendon se" në këtë botë çdo gjë blihet, bile edhe suksesi. "Nga një tyxhar si Behgjet Pacolli në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk mund të presim asnjë sukses në fushën e diplomacisë pos paçurkave -kërpudhave-, dhe gurthemeleve të fabrikave të premtuara anekënd Kosovës, që kanë mbetur si gurët e varreve. I njëjti person që në të kaluarën bleu me para njohjet e shtetit të Kosovës dhe nuk solli asnjë njohje me anë të diplomacisë", potencoi ai. "Deklarata e Pacollit për media, i cili tërheqjen për anëtarësim në Interpol e quan si "tërheqje taktike" nuk mund të kuptohet ndryshe veç si hajgare me nervat e qytetarëve Kosovës, të cilët jetojnë në ishull, mu në mes të Evropës", ka vijuar më tutje Reshiti.

Hoxhaj e Pacolli, përgjegjës

Ali Hertica thotë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të duhej të ishte objekt shqyrtimit dhe miratimit nga Asambleja e Përgjithshme me një shumicë prej dy të tretave, ngase, sipas tij, Kosova ka një rrjet të fortë të mbi 190 vendeve anëtare, secila e përfaqësuar nga një Zyre Qendrore Kombëtare. Ai tha se çdo vonesë në këtë drejtim është një humbje e madhe e kohës dhe kostoja gjithsesi është në dëm të shtetit të Kosovës. "Kosova edhe sot po vazhdon të jetë vrimë e zezë e korrupsionit dhe kontrabandës dhe krimit të organizuar. Dhe, mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk ka lidhje me Palestinën, siç kanë cituar disa politikëbërës, pavarësisht se këto deklarata dëgjohen shpesh nga Kosova. Tani, hapi i parë i largimit nga kjo organizatë, e cila u shty nga vetë dëshira e Qeverisë së Kosovës del diçka e pakuptimtë, dhe duket sikur po dëshiron vetë shteti të bëhet një qendër e strehimit të kriminelëve ordinerë të të gjitha vendeve të botës", ka theksuar ai. Analisti Jeton Kelmendi po ashtu e sheh si tepër joserioz një vendim të tillë, përderisa kur ishte në opozitë, Haradinaj vetë e kërkonte një veprim të tillë, kërkesën për anëtarësim më të shpejtë. "Dështimi me tërheqjen nga kërkesa për anëtarësim në INTERPOL është dështim i barabartë sikur të ishte votuar kundër. Pra siç ka ndodhur me anëtarësim në UNESKO. Një Qeveri pa profesionistë, me një kryeministër militant, nuk pritet të bëjë punë të mira, pos këso dështimesh", theksoi ai. "Realisht, për këtë dështim do të duhet kërkuar përgjegjësi nga ish- ministri Enver Hoxhaj dhe ministri aktual i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, të cilët as që kanë bërë përpjekje për të lobuar", ka thënë Kelmendi. 

Qeverisë aktuale i mungojnë kapacitetet

t Edhe politologu Arsim Haziri e sheh këtë veprim si një nga dështimet e para të mëdha në hapin e parë të sprovës të koalicionit PAN. "Qeverisja 'Haradinaj' konsideroj se nuk posedon as gatishmërinë morale dhe politike as profesionalitetin si kombinim i të dyjave për të prodhuar rezultat pozitiv dhe që i shërben të ardhmes së Kosovës. Pra, kjo anomali e pashpjegueshme prej tyre ndikon direkt në stagnimin e radhës, stagnim që potencialisht reflektohet në shumë procese vitale. Kosova me qeverisjen Haradinaj, pothuaj në pjesën më të madhe të zotimeve do të çalojë, ky percepcion është krijuar për shkak të ambicieve të tij politike, ashtu edhe të kabinetit të tij jo të konsoliduar profesionalisht", u shpreh ai. Ndërsa, Hidajet Ahmeti konsideron se dështime të tilla janë skandaloze, por kur dihet formacioni qeverisës nuk janë të papritura. "Qeveria 'Haradinaj' nuk është dhe nuk do të jetë qeverisje për qytetarët dhe Republikën e Kosovës, pasi konstelacioni qeverisës, e veçanërisht Lista Serbe, do të jetë determinuese e shumë proceseve të rëndësishme për Kosovën. Ky vendim skandaloz, por i pritur, është një tërheqje taktike e kësaj Qeverie, e cila, përveçqë është e brishtë, ka edhe shumë zotë shtëpie. Vendime të tilla skandaloze dhe jashtë çdo koncepti të politikës ndërkombëtare krijojnë percepcion negativ në rendin e politikës së jashtme", potencoi ai. "Dështime të tilla skandaloze për Kosovën, përveçqë do të vonojnë anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, do të krijojnë një imazh të keq në raport me politikën e jashtme. Kjo tërheqje taktike e zotit Haradinaj, për një çështje serioze, që ka impakt të madh në rendin ndërkombëtar, tregon më së miri për mosseriozitetin, mosstabilitetin, dualizimin vendimmarrës, e mbi të gjitha pafuqinë politike të kësaj Qeverie për t'i çuar proceset e rëndësishme përpara", tha Hidajet Ahmeti.

Rasti i volitshëm u humb

Gjykim kritik jep për këtë lëshim strategjik edhe Skënder Mulliqi. Ai thotë se derisa Kosova ka aplikuar në organizatën më të madhe policore prestigjioze të botës, Interpol, në mandatin e kaluar qeverisës, pranimi do t'i jepte një dimension të ri Kosovës në bashkëpunim më këtë organizatë dhe subjektivitetit politik të Kosovës në botë. "Pranimi i Kosovës në këtë organizatë është një sfidë jo e vogël kur dihet për lobimin që është duke e bërë Serbia bashkë më aleatët e saj, Rusinë dhe Kinën, për ta penguar vendin tonë që të bëhet pjesë e Interpolit, se ato dihet se janë kundër shtetësisë së Kosovës. Pranimi i Kosovës në Interpol do të ishte hap i madh në njohjen ndërkombëtare .Kosova deri më tash është dashur të jetë shumë më aktive në lobim për inkuadrim në këtë strukturë policore", ka thënë ai. "E kishim rastin e mirë që të inkuadrohemi edhe në UNESCO, por na munguan disa hapa në lobim dhe mbetëm pa arsye të presim rastin tjetër. Vendimi i Haradinajt për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, mbetet të shihet sa ishte me kohë dhe rrethana politike vendim i drejtë .A është lënë që përgatitja për herën tjetër të bëhet më e mirë, kjo mbetet të shihet", u shpreh Skënder Mulliqi. 

(Kosova Sot)