‘Më ndihmoni, jam i frikësuar’, telefonata që solli goditjen ndaj zv/drejtorit të policisë së Elbasanit

  • 23 September 2017 - 10:54
‘Më ndihmoni, jam i frikësuar’, telefonata që solli goditjen ndaj zv/drejtorit të policisë së Elbasanit

Në kohën kur Policia e Shtetit ishte në operacion për kapjen e personave në kërkim dhe bllokimin e mjeteve të blinduara, një telefonatë ka devijuar disi forcat policore, që më pas u përfshinë në incident.

“Koli jam. Më ndihmoni se më kanë dalë dy makina dhe më kanë bllokuar rrugën në brendësi të tunelit. Është një “Range Rover” dhe një “Audi” i zi. “Jam i frikësuar”, kjo është telefonata e shtetasit Sokol Ç., që vuri në lëvizje Policinë e Elbasanit.

Kjo telefonatë është bërë në orën 16:20 dhe menjëherë i është përcjellë sallës operative dhe zv/drejtorit të Policisë. Burime nga organi i akuzës thanë dje, se nisur nga rrethanat e ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vende në ndjekje të këtyre dy automjeteve dhe më pas incidenti ka ndodhur pranë Tregut Ushqimor.

Në kohën kur Policia kishte bllokuar automjetin tip “Range Rover”, makina tjetër, “Audi” që rezultoi i blinduar, ka ardhur me shpejtësi duke goditur mjetin e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi.

Nga përplasja e fortë, makina e blinduar ka përfunduar brenda territorit e tregut. Sipas deklarimeve që kanë dhënë punonjësit e Policisë, kur “Audi” ka hyrë brenda tregut, dera e tij është mbyllur menjëherë.

“Unë, personalisht kam tentuar instinktivisht të nxjerr armën e shërbimit dhe e kam mbajtur në dorë, duke qenë se unë dhe kolegët jemi vënë para një sulmi të çastit, i cili na ka rrezikuar jetën.

Fatmirësisht, askush nga ne nuk u dëmtua. Një oficer i patrullës “Shqiponja” bërtiti, “Ndal, Policia”. Drejtuesi i mjetit, me sa vura re, ishte rreth 35-40 vjeç, me fytyrë të mbushur dhe me kapelë të rrumbullakët. Tjetër gjë s’kam mundur të fiksoj, pasi mjeti lëvizte me shpejtësi”, ka deklaruar zv/ drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

(Kosova Sot)