Zelfija në kulmin e varfërisë, s'ka para ta shërojë nipin invalid

  • 24 September 2017 - 17:19
Zelfija në kulmin e varfërisë, s'ka para ta shërojë nipin invalid

Familja Ngucati nga Prizreni, që jeton në rrugën "Ulqini", ka tre fëmijë. E tërë familja varet nga pensioni i kryefamiljares Zelfije Ngucati, e cila merr 75 euro në muaj, kurse e reja e saj ka tre fëmijë dhe merr një social prej 95 euro. Por, këto të dyja bashkë kanë aq para sa iu duhen të harxhohen për ilaçe për nipin, gjegjësisht të birin, i cili është në karrocë invalidi. Shëndeti i tij kërkon një mbikëqyrje, që së paku në muaj i duhet 200 euro, e ato vetëm për ilaçet bazë. Mjete të cilat kjo familje s'ka se si t'i sigurojë, prandaj e kanë të vështirë t'ia dalin në muaj.

Image

 

Shpresë tek Zoti e bamirësit

Zelfije Ngucati për "Kosova Sot" shprehet se nuk ka më vështirë se sa ta shohësh nipin në këtë gjendje, e familja të jetojë në varfëri. "Djali më ka vdekur, m'i ka lënë fëmijët dhe nusen. Kurse, unë me pensionin tim dhe ndihmën sociale, që e marrim, s'po mundemi as gjysmën e ilaçeve në muaj që t'i blejmë për nipin, që gjendet në karrocë. Para pak ditëve nipin e kemi pasur në Shkup për disa analiza, e ende s'i kemi marrë", është shprehur ajo. Zelfija thotë se familja ka nevojë për ushqime. "Kështu si jemi nuk ka më vështirë. Inshalla na ndihmon Zoti e rriten këta fëmijë, e ia dalim disi. Nevoja të mëdha kemi për shumëçka, por të shohim se si Zoti e ka bërë emër", është shprehur Zelfija. Ajo shpreson se nipi i saj 13- vjeçar do të gjejë shërim, se tash është në karrocë invalidi. Familja kërkon që të gjendet mundësia të ndihmohen së paku djali i kësaj familjeje, që të mos i vështirësohet jeta edhe më. Kjo familje kërkon ndihmën e atyre bamirëseve që të ndihmohen dhe të jenë sa më afër saj. Papunësia, shëndeti i dobët, çmimet e larta ushqimore, konfliktet dhe katastrofat natyrore - këto janë disa nga faktorët që mund t'i çojnë njerëzit të jetojnë nën nivelin e varfërisë, që llogaritet me të ardhura nën 1.25 dollarë në ditë.

Image

 

Pa ndihmën e bamirësve, nipi i Zelfijes nuk mund të shërohet

Ismajl Krasniqi- sekretar i KKK të Prizrenit, shprehet se politikat në përgjithësi nuk e trajtojnë problemin e varfërisë si duhet. Ai thotë se për familjen Ngucati e të tjera duhet të gjendet mundësia që pos institucioneve të ndihmojnë edhe humanistët. Kurse, Zelfije Ngucati i ka varur shpresat te bamirësit dhe kërkon që dikush t'i ndihmojë materialisht ata. Ajo thotë se pa ndihmën e të tjerëve, nipi i saj nuk do të shërohet. Të gjithë ata që mund ta ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 044 882 282, kur dihet se kjo familje ka nevojë të ndihmohet, e veçanërisht të ndihmohet djaloshi i kësaj familje që t'i rikthehet jetës normale dhe të jetë i barabartë me moshatarët e tij.

(Kosova Sot)