Putin frikësohet se do të na 'hanë' robotët

  • 24 September 2017 - 18:11
Putin frikësohet se do të na 'hanë' robotët

Mund të duket sikur askujt nuk ia ka frikën, por duket që presidenti rus, Vladimir Putin, megjithatë frikësohet nga dikush, edhe atë frikësohet shumë. Ai ka shprehur frikën e tij nga inteligjenca artificiale, duke kërkuar nga kompania më e madhe teknologjike e Rusisë që të përcaktojnë kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Një ekskavator mund të gërmojë më shpejt

Presidenti rus ka biseduar me Arkady Volozh, shefin e firmës së internetit "Yandex", gjatë një vizite në selinë e kësaj kompanie në Moskë. Volozh diskutoi potencialin e inteligjencës artificiale me presidentin Putin, por u befasua kur ky i fundit e pyeti atë se "kur mund të ndodhë që të na hanë robotët". Ai u përgjigj: 'Shpresoj, kurrë'. Pas një pauze, ai më pas shpjegoi se edhe makinat aktuale janë më të zonjat në disa punë sesa njeriu, p.sh. një ekskavator mund të gërmojë më shpejt dhe më shumë sesa një njeri, por kjo nuk d.m.th. se ekskavatorët do të na hanë një ditë.

Përpos përparësive vijnë edhe rreziqet

Por, sikur që duket, Putinit nuk i pëlqeu ky krahasim, meqë tha: Ekskavatorët nuk mendojnë. Në fillim të muajit, Putin deklaroi se inteligjenca artificiale është e ardhmja jo vetëm për Rusinë, por për tërë njerëzimin. Por, ai tha se, përpos përparësive, ka edhe rreziqe nga të cilat duhet të ruhemi. Ai shtoi se, kushdo që do të bëhet lider në këtë sferë, do të bëhet sundimtar i botës.

(Kosova Sot)