John-i i Zotit, shëruesi mrekullibërës përmes SHPIRTIT TË SHENJTË!

  • 25 September 2017 - 19:14
John-i i Zotit, shëruesi mrekullibërës përmes SHPIRTIT TË SHENJTË!

NDËR 'KIRURGËT PSIKIKË' MË TË FAMSHËM NË BOTË

Ata që shërohen nga John-i i Zotit, ndryshimin më të madh e ndiejnë në shpirt, sesa në trup
John-i i Zotit, i cili ka shëruar me miliona njerëz, pa përdorur mjekësinë perëndimore, është lavdëruar nga Oprah Winfrey dhe nga miliona të tjerë, si një shërues ndërkombëtar

Përkundër të gjitha mistereve pa përgjigje, të cilat i prezanton universi, janë të pakta ato që mund ta meritojnë etiketën e mrekullisë. Në këtë drejtim shpesh ka teprime. Por, në këtë drejtim duket se përjashtim bëjnë shërimet, e frymëzuara nga Shpirti i shenjtë, të bëra nga John-i i Zotit (John of God). "Është vështirë të besohet, por kur e përjetoni një gjë të tillë, atëherë ajo është e thellë", thotë Gail Thackray, bashkautore e filmit "John of God: Just a Man" dhe autore e memoareve me këtë temë. Ajo në fillim kishte shkuar në Brazil, ku kishte takuar njeriun enigmatik, i cili shëron të tjerët, pasi që pushtohet nga shpirtrat. Pas takimit me të, Thackray zbuloi se qëllimi dhe misioni i saj ishte shpërndarja e këtyre shërimeve të bëra nga John-i i Zotit, me pjesën tjetër të botës. I lindur si Joao Teixeira de Faria në qytetin brazilian Cachoeira de Goias, John-i i Zotit ka një fillim të jetës po aq misterioz, sa edhe shërimet e tij. Pasi që kishte bërë vetëm dy vjet shkollë, De Faria i ri filloi të bredhte nga fshati në fshat, derisa diku, përgjatë rrugës, shpirtrat për të cilët ai thotë se komunikojnë me të, e çuan në Abadiania. Atje, De Faria do t'i bënte publike aftësitë e tij mendore, me qëllim të ofrimit të shërimit të problemeve të ndryshme, gjë që do të çonte deri te formimi i shtëpisë së tij tani të famshme shëruese, "Casa de Dom Inacio de Loyola".

"Papritmas, sikur një dritë hyjnore erdhi mbi mua"

Përkundër asaj se nuk ka asnjë edukim mjekësor, John-i i Zotit është bërë njëri ndër 'kirurgët psikikë' më të famshëm në botë, ku çdo ditë me mijëra njerëz kërkojnë shërim nga ai. "John vazhdimisht ua bën me dije njerëzve se është Zoti ai i cili i shëron ata, e jo ai", thotë Thackray. "Unë besoj se ai e lehtëson lidhjen e njerëzve me Hyjnoren", thotë ajo. Nga rastet e shumta, ajo thotë se ka parë ato që i konsideron dëshmi të pamohueshme të shpirtrave që hyjnë në trupin e John-it të Zotit. "Ndryshon edhe pamja e tij trupore, sytë nga të kafenjtë i bëhen të kaltër", thotë Thackray. Pa marrë parasysh a janë vepër e Zotit, e shpirtrave të shenjtë, apo e ndonjë krijese tjetër, shërimet që i bën John flasin më të miri për të. "Shpeshherë ai merr njerëzit nga karroca invalidore dhe sëmundja e tyre papritmas largohet, para syve tanë", thotë Thackray. Ndonjëherë lëndimet zhduken, por mbesin shenjat se shërimi ka filluar. Thackray përmend një rast të veçantë, ku një njeri kishte shkuar te "Casa", me shpresë të shërimit të sëmundjes së tij të zemrës. Pa e prekur fare, John-i i Zotit thjesht kaloi dorën e tij mbi bluzën e njeriut, i cili më pas e çoi lart bluzën, për të parë një vragë të freskët, që nënkuptonte se sëmundja e tij e zemrës ishte shëruar. Por, pa marrë parasysh efektin e këtyre rasteve, ata që shërohen nga John-i i Zotit, ndryshimin më të madh e ndiejnë në shpirt, sesa në trup. 

Image

 

Oprah mori mundin që vetë të shkonte në Brazil

Edhe vetë Thackray kishte përjetuar një shërim të tillë. Derisa ishte në dhomën e lutjeve të Johnit një ditë, ajo papritmas ishte goditur nga një intervenim shpirtëror, i cili do t'ia ndryshonte jetën. "Aspak nuk isha duke medituar. Përkundrazi, në mendje më silleshin çështje të biznesit dhe jetës", kujton Thackray. "Papritmas, sikur një dritë hyjnore erdhi mbi mua. U preka nga një ndjenjë aq e bukur e dashurisë, saqë më dolën lotët. Erdhi një zë, i cili më tha që t'i harroja shqetësimet e mia dhe ta zbuloja qëllimin tim më të lartë. Kjo ishte aq e mirë dhe e këndshme, saqë mund ta përshkruaj vetëm si bisedë me Zotin". Pas kësaj, Thackray-t i lindi dëshira që këtë përvojë ta bartte nga Brazili në SHBA. "I thashë zërit se dua që këtë ta ndaja me të tjerët, në shtëpi dhe kam qenë e bekuar që ta bëj këtë", thotë ajo. Thackray ka qenë dëshmitare e fuqisë së John-it të Zotit dhe aftësisë së saj që t'i tejkalojë distancat gjeografike. "Edhe në tubimet në SHBA, ku kam folur rreth John-it të Zotit, të pranishmit kanë ndier energji dhe bile kanë përjetuar edhe shërim spontan", thotë ajo. Përkundër të gjitha këtyre sukseseve, Johni i Zotit vazhdon që të insistojë se ai nuk është shërues, por thjesht, një njeri i rëndomtë. Ai tenton që ta bëjë një jetë normale, duke u përkujdesur për familjen e tij të madhe, për biznesin në fermë dhe rançin e gjedheve. Ai thotë se, kur nuk është në sesione të shërimit, sikur "shkyçet" dhe bëhet njeri normal. Thackray thotë se, edhe kur ai nuk e kërkon një gjë të tillë, shpirtrat vijnë dhe futen në trupin e tij, gjë që ai nuk e kundërshton. John nuk është i interesuar që të bëhet i famshëm. "Kur Oprah dëshiroi ta intervistonte atë, ai nuk ishte i interesuar që të shkonte në Amerikë", thotë Thackray. E përcaktuar që ta përhapte lajmin rreth këtij individi mrekullibërës, Oprah mori mundin që vetë të shkonte në Brazil, të vendosej në një hotel modest dhe të bisedonte me të. Vizita e Oprah e bëri John-in edhe më të njohur, duke ndikuar edhe në rritjen e numrit të njerëzve që shkojnë tek ai, për të kërkuar ndihmë.

(Kosova Sot)