Lumezi: Korrupsioni i ‘Profilit të Lartë‘ të jetë prioritet i prokurorëve

  • 25 September 2017 - 19:31
Lumezi: Korrupsioni i ‘Profilit të Lartë‘ të jetë prioritet i prokurorëve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga prokurorët që të kenë prioritet rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar ku të përfshirë janë persona me pozita të larta.

Këtë thirrje kryeprokurori Lumezi e bëri gjatë takimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ai insistoi që këto raste të mos mbeten në sirtarët e prokurorëve.

Në këtë mbledhje, Lumezi nuk i kurseu kritikat ndaj Komisionit mbikëqyrës për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, prej të cilit kërkoi që të kërkojnë nga prokurorët dhe kryeprokurorët që t’i gjejnë se cilat lëndë kanë prioritet dhe të shkohet drejt zgjidhjes së tyre.

Duke folur për Prokurorinë Themelore të Prishtinës Lumezi tha se 7 aktakuza janë ngritur për korrupsion në një periudhë 3-mujore.

Sipas tij, të gjitha këto janë aktakuza që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare e asnjëra nuk lidhet me krimin e organizuar.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme, anëtarët e KPK-së kanë diskutuar dhe aprovuar Raportin janar-qershor 2017 të Komisionit Mbikëqyrës në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së kanë themeluar grupin punues për hartimin e strategjisë për zvogëlimin e ngarkesës me të gjitha lëndët e veprave penale karakteristike të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për periudhën kohore 2018 – 2020, si dhe grupin punues për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit administrativ për normën orientuese vjetore.

Në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, u diskutuan dhe u aprovuan edhe pika të tjera të rendit të ditës.

(Kosova Sot)