Mattis: Bomba me hidrogjen në Paqësor do të ishte papërgjegjshmëri

  • 25 September 2017 - 22:32
Mattis: Bomba me hidrogjen në Paqësor do të ishte papërgjegjshmëri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis deklaroi sot se një provë e bombës me hidrogjen nga Koreja e Veriut në oqeanin Paqësor, do të ishte një demonstrim tronditës i papërgjegjshëm.

Ky paralajmërim nga ana e SHBA-ve vie në sfondin e një tensioni verbal mes Donald Trump dhe Kim Jong-un për programin bërthamor të regjimit komunist.

Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kreu i diplomacisë koreano-veriore deklaroi për gazetarët se vendi i tij pritet të provojë shpërthimin e një bombe me hidrogjen jashtë territorit të tij.

“Ky do të ishte një demonstrim tronditës i papërgjegjshëm në planin shëndetësor, të stabilitetit dhe të mospërhapjes së armëve bërthamore”, deklaroi Mattis për media pas nisjes në Indi ku do të zhvillojë një vizitë treditore.

Pyetjes nëse një provë e kësaj natyre përbënte një akt lufte, kreu i Pentagonit refuzoi t’i përgjigjej. Të shtunën, SHBA-të dërguan avionë luftarakë pranë brigjeve koreano-veriore për të rritur presionin ndaj Phenianit, me qëllimin që ai të heqë dorë nga ambiciet bërthamore dhe balistike.

(Kosova Sot)