Shteti mbyll sytë ndaj evazionit fiskal qindra-milionësh

  • 25 September 2017 - 08:38
Shteti mbyll sytë ndaj evazionit fiskal qindra-milionësh

E nde nuk dihet se çfarë në të vërtetë po ndodh me procesin e fiskalizimit në Kosovë, që ka nisur para disa viteve. Edhe pse jemi pothuajse në muajt e fundit të vitit 2017, ende nuk kemi fiskalizim të kompanive të sigurimit, nuk ka fiskalizim të taksive, e kurrsesi të bëhet për vite të tëra as fiskalizimi i të gjitha pompave të derivateve të naftës, nga të cilat ka shmangie të takaave në vlera qindra-milionëshe. Shih për këtë, analistët thonë se po dëmtohet buxheti i shtetit nga mosfiskalizimi i kompanive të sigurimit, nga mosfiskalizimi i pompave të derivateve, si dhe shumë sektorëve të tjerë. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, theksoi për "Kosova Sot" se procesi i fiskalizimit ka përfunduar, ngase të gjitha pikat e karburanteve janë fiskalizuar qysh në vitin 2010 dhe për këtë thotë të kenë paguar një kosto të lartë, ngase për një printer janë paguar 1000 deri 1500 euro, ndonëse shton se fiskalizimi qysh në atë kohë ka qenë gabim. "Ne si shoqatë kemi ngritur zërin dhe kemi kundërshtuar ri-fiskalizimin e avancuar, sepse arkat fiskale për ne si naftëtarë kanë pasur një çmim tepër të lartë me një kosto prej 18500 eurove. Por, ne kërkuam që në tregun vendor të futet edhe një operatori i ri në treg dhe kjo kërkesë e jona është realizuar pas dy vite e gjysmë të pritjes. Ndaj me hyrjen e operatorit të ri në tregun vendor, çmimi i arkave fiskale për naftëtarët është zbritur në kuotën 200 për qind, gjë që tregon se kërkesat e shoqatës sonë kanë qenë me vend". Ai thotë se sipas ATK-së rreth 90 për qind e pikave shitëse të karburantit janë të fiskalizuara me sistem të avancuar. "Kjo do të thotë se ky projekt i ri i fiskalizimit për shoqatën tonë është i përfunduar, sepse kanë mbetur pa u fiskalizuar vetëm edhe 10 për qind e pikave shitëse të derivateve, të cilat gjenden kryesisht në vendet rurale, në të cilat edhe qarkullim ditor është shumë i ulët. Ndërsa lidhur me propozimet e mbylljes së këtyre pikave të shitjes së karburantit, një ide e tillë është gabim, ngase çdo mbyllje e pikave të karburantit është humbje e vendeve të punës", është shprehur Burjani. Ai thekson se shoqata e ka përkrahur softuerin, të cilin e ka propozuar MF, ku të dhë- nat do të regjistrohen në kohën reale. "Sa i përket fiskalizimit Qeveria e re nuk duhet të hezitojë, ngase kur bëhet fjalë për taksistët, që nuk janë të pajisur me arka fiskale, mendoj se shumica e tyre po punojnë sa për bukë të gojës dhe atyre duhet t'u ofrohen arka më të lira", është shprehur ai. Berjani ka thënë se Kosova duhet të marrë si shembull të fiskalizmit trendet evropiane dhe në veçanti Kroacinë, e cila e ka të instaluar softuerin, ku përmes një kompjuteri mbulohen pikat shitëse të karburantit, e jo siç është tani tek ne, ku obligohen t'i mbajnë nga dy apo tri arka fiskale, që e kanë koston e lartë të mirëmbajtjes dhe të abonimit etj. "Ndaj si shoqatë jemi të mendimit se naftëtarët tanë e kanë të përfunduar ri-fiskalizimin e avancuar dhe së këndejmi në kuvendin e fundit të shoqatës, në mënyrë unanime e kemi përkrahur instalimin e softuerit, ku me këtë rast koston e instalimit të këtij do ta bartë Qeveria e Kosovës, sikurse që edhe pronar i këtij softueri do të jetë Qeveria e Kosovës", është shprehur ai.

Image

 

Shahini: Nga Haradinaj duam që sa më parë të gjitha bizneset të fiskalizohen

Drejtuesit e AKB-së (Aleanca Kosovare e Biznesit) kanë vërejtje të mëdha rreth procesit të deritashëm të fiskalizimit, që ka nisur 7 vite më parë, ngase mosfiskalizimi i të gjitha bizneseve nga përfaqësues të shoqatave ekonomike, që mbrojnë interesat e bizneseve thuhet se ka shkaktuar konkurrencë të pabarabartë në tregun e Kosovës. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e re 'Haradinaj', që sa më parë të zgjedhë këtë çështje, në mënyrë që të gjitha bizneset të fiskalizohen. Kreu i AKBsë, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se deri më tash me arka fiskale janë fiskalizuar më shumë se 20 mijë biznese, por mosfiskalizimi edhe i rreth 20 mijë biznese të tjera sa janë aktive po i bën të pabarabarta bizneset e tjera në treg, të cilat janë fiskalizuar. Sipas tij, kjo gjendje është shumë e padrejtë, ngase tek bizneset po krijon një pabarazi të madhe në treg përballë bizneseve që janë fiskalizuar. Shahini thotë për "Kosova Sot" se nga kryeministri Ramush Haradinaj kërkon që sa më parë të gjitha bizneset të fiskalizohen, ngase procesi i fiskalizimit te ne është një nga problemet, që prodhon pabarazi në treg në mes të bizneseve të fiskalizuara dhe atyre të pafiskalizuara. "Për një kohë të gjatë disa sektorë kanë refuzuar të fiskalizohen, e që kjo do të thotë se ka një marrëveshje të fshehtë mes institucioneve me disa biznese apo sektorë të bizneseve të caktuara për të mos u pajisur me arka fiskale", është shprehur ai. Shahini vlerëson se procesi i fiskalizimit të bizneseve me arka fiskale ka nisur së mbari dhe në rregull, por e keqja është se ky proces më pas është politizuar nga politikat ditore dhe i njëjti proces si pasojë e këtij politizimi ka dështuar në këtë masë, duke shkaktuar me miliona euro humbje në buxhetin e shtetit. "Besojmë se Qeveria 'Haradinaj' do t'i evitojë këto dobësi, dhe se më në fund ky proces do të përfundojë dhe të gjitha bizneset do të fiskalizohen", është shprehur ai.

Image

 

Grapci: ATK-ja nuk e bëri punën si duhet

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, theksoi për "Kosova Sot" se në Kosovë nuk ka fiskalizim tek kompanitë e sigurimit, tek kompanitë e derivateve të naftës, për shkak që ATK-ja nuk e ka bërë punën aq sa duhet që të përfundojë ky proces në kohë. "ATK-ja ka qenë dashur që t'i ndëshkojë këto kompani, e jo që t'i tolerojë ato, duke pasur shpresë se një ditë do të fillojnë të gjitha me fiskalizimin, sepse me këtë pritje Kosova po humbet qindra miliona euro", është shprehur ai. Grapci është i mendimit se ATK-ja duhet që të bashkëpunojë sa me shumë me Ministrinë e Financave, se vetëm në këtë mënyrë, duke bashkëpunuar të dyja palët, kompanitë të cilat janë të kapura nga mafio-oligarkët do të fillojnë me zbatimin dhe fiskalizimin e biznesit të tyre. "Ka raste kur edhe bizneset vogla nuk kanë pasur fiskalizim, por ata kur po e vërejnë se janë të detyruar për t'u futur në fiskalizim ose po fiskalizohen ose po e mbyllin biznesin e tyre", është shprehur ai.

Image

 

Rudhani: Procesi i fiskalizimit nuk ka nisur si duhet

Analisti Florim Rudhani për gazetën "Kosova Sot" thekson se që nga nisma e tij nga drejtuesit e ATK-së dhe Ministrisë së Financave ka qenë dashur që të mendojnë për forma më të favorshme, që do të ndikonin në një fiskalizim më të shpejtë dhe në pranueshmëri më të madhe të këtij procesi nga ana e bizneseve. Ai thotë se është dashur që në afat të paraparë ligjor ky proces të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. "Kjo, sepse nuk kemi ende fiskalizim të kompanive të sigurimit, nuk ka fiskalizim të taksive, e kurrsesi të bëhet për vite të tëra as fiskalizimi i të gjitha pompave të benzinës dhe derivateve të naftës" është shprehur ai. "Me të drejtë bizneset aktuale, që kanë paguar këto arka fiskale ankohen se shteti duhet që t'i trajtojë të gjitha bizneset të barabarta dhe përgjigjja është se në këtë rast shteti po toleron disa biznese, të cilat në mënyrë tjetër të pandërgjegjshme i refuzojnë fiskalizimin tash e një kohë të gjatë. Mosfiskalizimi po e rrit edhe më tej informalitetin në Kosovë, i cili edhe është i lartë, ngase që nga nisma e tij, procesi i fiskalizimit nuk ka shkuar ashtu si duhet dhe shumë biznese nuk i janë futur këtij procesi dhe ka bërë që ekonomia joformale në Kosovë të jetë në nivel të lartë", është shprehur ai. Rrudhani beson se me Qeverinë 'Haradinaj' do të rifillojë ky proces i rëndësishëm për luftimin e ekonomisë joformale për sjelljen e të gjithë atyre bizneseve, të cilat përpiqen t'u shmangen detyrimeve tatimore. Ndryshe, Rudhani e tërhoqi vërejtjen se procesi i fiskalizimit nuk është vendimtarë që të luftohet informalitetit, pasi që shumë lehtë shihet që nuk lëshohen kuponët fiskalë. "Kërkohet që ATK-ja të jetë më e rreptë edhe në mbikëqyrjen e implementimit të projektit të arkave fiskale në teren", është shprehur ai. Gjatë ditës së djeshme me gjithë përpjekjet për të marrë një përgjigje nga ATK-MF-ja dhe përfaqësuesve të GEKOS-it me shkrim e përmes telefonit, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

(Kosova Sot)