Veteranomania ta zgjojë Prokurorinë

  • 11 October 2017 - 08:15
Veteranomania ta zgjojë Prokurorinë

Abuzimi skandaloz me vlerat e luftës dhe listat e përfituesve

Ndëshkim ligjor për trafikantët e certifikatave

“Është një çështje e ndjeshme, pasi skandali me rastin e veteranëve ia ka dhënë një imazh të keq vlerave të larta të UÇK-së dhe luftës së drejtë dhe të pastër të saj. Nxjerrja e keqpërdoruesve para institucioneve të drejtësisë dhe dhënia e dënimit të merituar është një mesazh i mirë për luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së”, potencoi Hidajet Ahmeti

Prokuroria e Shtetit ende nuk po jep ndonjë të dhënë se çfarë ka bërë deri më tani për të hetuar akuzat dhe dyshimet për shitjen e certifikatave të veteranëve të luftës, siç po dalin tani publikisht, e që u dëgjuan edhe një ditë më parë në tubimin e protestës së veteraneve të luftës, ku u tha se ka dyshime dhe plot fakte se ato certifikata, numër i madh i tyre janë shitur edhe për nga 3000 euro për person. Pavarësisht faktit që afera me listat e veteranëve, që janë fryrë përtej numrit real, po merr përmasa alarmante, Prokuroria është në gjumë, sepse nga mosveprimi, mosdhënia e ndonjë përgjigje ndaj këtij problemi të ngritur, se çfarë është bërë për të gjetur të dhënat faktike, që përgjegjësit zyrtarë të këtyre listave të fryra me korrupsion dhe të pavërteta të dalin para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar, vetëm sa i forcon akoma dyshimet për abuzim maksimal kriminal. Sipas Hasan Pretenit, ish- anëtar i Komisionit dhe njëherësh edhe ish- epror i UÇK-së, kjo çështje edhe është politizuar skajshmërisht dhe negativisht, sepse vetë shoqatat e dala nga lufta janë pozicionuar keq, janë pozicionuar politikisht. “Konsideroj se fillimisht të gjitha shoqatat e dala nga lufta duhet të depolitizohen”, potencoi ai.

Ligji duhet rishikuar

Preteni theksoi se nuk është luftuar për parti politike, por për shtet dhe këto pjesëmarrjet nëpër fushata janë shumë të dëmshme. “Sa u takon listave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve, unë konsideroj se ato duhet të anulohen në tërësi, Shoqatat i kanë listat të pranuara nga TMK-ja dhe këto lista janë punuar menjëherë pas luftës. Janë edhe listat nga IOM-i, ndryshe listat e tanishme janë rezultat i problemeve të cekura në fillim politizimit të shoqatave të dala nga lufta”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”. Ai u shpreh se nuk prêt fare që Prokuroria e Shtetit ta pastrojë këtë problem, që ta bëjë pastrimin e listave, sepse nuk mund të arrijë ta bëjë atë. “Prokuroria e Shtetit nuk e ka mandatin t’i pastrojë listat, ajo eventualisht, që nuk besoj kurrë, mund të ndjekë ndonjë abuzim individual, por t’i evitojë mangësitë e komisionit nuk mundet në asnjë mënyrë”, tha Preteni. Po ashtu, ai konsideron se Ligji për kategoritë e dala nga lufta duhet të amendamentohet me urgjencë, që kompensimet materiale të fuqizohen për familjet e dëshmorëve, edhe atë vetëm për bashkëshortet-bashkëshortët dhe fëmijët e dëshmorëve, në asnjë rast të anëtarëve të tjerë të familjes. Sipas Pretenit, për invalidët e vërtetë të luftës duhet të sigurohen medikamente, proteza dhe ndihmesa të tjera mjekësore në pakufi, kurse përfaqësues të pjesëtarëve të dalë nga lufta duhet të jenë vetëm shoqatat dhe në asnjë mënyrë zyrat e tjera të politizuara pranë kryeministrisë, presidentit, komunave etj. Preteni po ashtu thotë se duhet me ligj të kufizohen edhe privilegjet e tepërta për këtë kategori. “Duhet të largohen të gjitha privilegjet e tjera rreth blerjes së automjeteve, tatimeve, rrymës etj., të gjitha këto nuk janë përfitime-lehtësime për kategoritë e dala nga lufta, por burim i pashtershëm i korrupsionit dhe krimit”, ka vlerësuar ai.

Pazare me certifikatën

Analisti politik Florim Zeqa tha se abuzimi me listat e veteranëve të UÇK-së nuk është ndonjë risi. “Ofrimi i librezave partiake gjatë fushatave zgjedhore në këmbim të statusit të veteranit, përveçse dukuri shqetësuese, është një sfidë e rëndë dhe e mundimshme për shumicën e veteranëve, ish- luftëtarë të vërtetë të lirisë sonë, të cilët luftën e bënë për çlirimin e vendit, e jo për partitë politike dhe as për liderët që sot luajnë më fatin e tyre. Atyre që nuk u përgjigjën ftesave për marrjen e librezave partiake, jo vetëm që u rrezikohen vendet aktuale të punës, u rrezikohet edhe statusi i veteranit të luftës çlirimtare!”, u shpreh ai. “Vendet e tyre, me lehtësi mund t'i zënë "veteranët" e veshur me rroba të grave gjatë periudhës së luftës apo pseudopatriotët, të cilët asnjëherë s'kanë qenë pjesë e luftës dhe as e rezistencës paqësore,... përfitojnë spiunët dhe bashkëpunëtorët e regjimit pushtues serb,...veglat e shërbimeve sekrete të luftës dhe pas luftës në Kosovë!”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. “Mos t’i i lëmë veteranët të bëhen "mish për top" i uzurpatorëve të lirisë sonë, të atyre që u pasuruan duke u thirrur në emër të vlerave sublime të kombit, të luftës e të paqes”, vijoi më tutje Zeqa. “Përkundër provave të shumta për abuzimin me listat e veteranëve, gjegjësisht shit-blerjes së certifikatave të veteranëve, Prokuroria dhe Gjykatat vazhdojnë të heshtin ndaj fenomenit të "veteranomanisë" apo fryrjes së listave të veteranëve! Ashtu sikurse shitësit e certifikatave të veteranëve, edhe blerësit janë abuzues të luftës çlirimtare, abuzues të gjakut të dëshmorëve,...të shndërruar në trafikantë dhe mercenarë të paqes. Sikurse të parët (shitësit), ashtu edhe të dytët (blerësit) e certifikatave të veteranëve do t'i mallkojë gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot”.

Komandantët ta thonë të vërtetën

Analisti Blerim Burjani thotë se problemi me veteranët duhet të zgjidhet vetëm në bazë ligjore, meritore. “Kjo është një temë e ndjeshme tek kjo kategori njerëzish. Aty ka pasur shumë pakënaqësi dhe dyshim se si e kanë fituar statusin e veteranit shumë njerëz që kanë pretenduar se ishin në UÇK. Me letra po, por një pjesë e tyre nuk dihet se ku ishin gjatë luftës. Disa ishin edhe në shtetet fqinjë, dhe kanë ardhur fare rrallë edhe në zona të luftës. Tash këtë e dinë më mirë vetë komandantët e tyre. Pra, secila  zonë duhet ta dijë saktë se cilët njerëz ishin në UÇK dhe kanë dhënë kontribut...Mendoj se kjo temë duhet të zbardhet nga vetë komandantët e zonave që e dinë shumë mirë gjendjen”, theksoi Burjani. Ndërsa, analisti Jeton Kelmendi thotë se zhgënjimi më i madh për gjykimin e tij vjen nga shpërfillja që po i bëhet kësaj kategorie nga ana e Qeverisë së re. “Akuzat e djeshme në protesta ishin ato, por mendoj se fajtorë për këtë çështje janë shumë persona që ishin të lidhur me këtë punë”, potencoi ai. Kurse, analisti Hidajet Ahmeti thotë se akuzat publike në drejtim të kreut të OVL-së janë deklarata që duhet marrë epilog dhe duhet hetuar sa më shpejt që është e mundur, për ta zbardhur të vërtetën. “Është një çështje e ndjeshme, pasi skandali me rastin e veteranëve ia ka dhënë një imazh të keq vlerave të larta të UÇK-së dhe luftës së drejtë dhe të pastër të saj. Nxjerrja e keqpërdoruesve para institucioneve të drejtësisë dhe dhënia e dënimit të merituar është një mesazh i mirë për luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së”, potencoi Ahmeti.

Turpi i shoqatave

Sipas analistit Faton Mehmeti, manipulimi me lista të veteranëve të luftës është turpi i botës për të gjithë ata që kanë luftuar me zemër dhe shpirt, për të gjithë ata që jetën ia kanë falur kësaj toke. “Në këtë aferë të turpshme janë të përfshirë edhe përfaqësues nga Kryesia e Shoqatës së OVL-së. Qysh kur u shfaq ky problem me lista, të cilat u frynë shumë, është dashur që Prokuroria të ndërmarrë masa të mëdha për të korrigjuar të gjitha gabimet e mundshme. Kjo do të duhej të fillonte që nga hetimi në detaje për çdo person, për të vërtetuar se a ka qenë apo jo pjesë e UÇK-së, pastaj këto hetime të përfshinin materiale dhe çdo gjë që ka të bëjë me hetimin”, tha Mehmeti . Në favor të hetimit të thellë të kësaj çështjeje është edhe analisti Ali Hertica. “Tani, Prokuroria duhet të nisë hetimet së bashku me Policinë e Kosovës për të gjithë ata që apostrofohen publikisht se kanë shitur këso certifikata dhe janë pasuruar në emrin e luftëtarëve. Do të duhej që të gjitha njësitë regjionale për hetimin e krimeve ekonomike ta fillojnë hetimet dhe t’i marrin ata persona, për të cilët dyshohet dhe ka fakte për falsifikim të dokumenteve për statusin e veteranëve dhe invalidëve të luftës dhe atyre t’u jepet vërtet “certifikata” e një matrapazi shitës të gjakut të shkove të luftës”, tha Hertica për “Kosova Sot”.

“Shoqatat e dala nga lufta duhet të merren në mënyre ekskluzive vetëm me problemet e kategorive për se janë krijuar, e assesi të jenë pjesë e agjendave politike të individëve apo grupeve politike. Duhet të merren të gjitha masat që t’u kthehet krenaria e vërtetë e të gjithë atyre që kontribuuan për vendin dhe kombin”, tha Hasan Preteni

“Nuk duhet paragjykuar, por ata që akuzojnë publikisht, Prokuroria duhet t’i hetojë dhe jo të lejojë që diskursi publik të eskalojë deri në atë nivel sa të krijohet një percepcion qytetari i “vërtetë””, tha Hidajet Ahmeti

“Disa përfitues të pandershëm kanë bërë manipulime edhe duke i shitur certifikatat për gjoja pjesëmarrje në luftë, çmimet kanë nisur nga 3 e deri në 5 mije euro”, tha Faton Mehmeti

(Kosova Sot)