< Trinomi i krimit trafikon drejtësinë - Lajme - Kosova Sot
Trinomi i krimit trafikon drejtėsinė

Trinomi i krimit trafikon drejtėsinė

Avokatia, pjesë e inkriminimit të sistemit

Avokati, prokurori, gjykatësi, devijojnë shpesh zbatimin  e ligjit

“Fatkeqësisht, kjo shitblerje e lëndëve dyshohet se po ndodh në mes gjyqtarëve dhe palëve, apo me ndërmjetësimin e avokatëve sekserë, kështu që ky është treguesi më i keq se deri ku ka degraduar kjo drejtësi në sistemin e gjyqësisë në Kosovë, i cili sistem drejtësie po vuan për gjyqtarë e prokurorë, si dhe avokatë të mirëfilltë, me etikë dhe integritet profesional”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se avokatët sot, duke i përjashtuar avokatët e ndershëm e që, fatkeqësisht, janë pak të tillë, janë shndërruar në fabrikë parash, dhe luajnë rolin e sekserëve nëpërmes kriminelëve dhe organeve të drejtësisë, ku shpeshherë avokati për një klient të pasur dyshohet se e korrupton prokurorin, e sidomos gjykatën. Sipas tyre, edhe avokatia, si pjesë e sistemit të drejtësisë, i ka të metat e veta, e që nuk mund të përjashtohet rasti se edhe avokatët janë pjesë e këtij komuniteti dhe pjesë e kësaj shoqërie, që në përgjithësi është ndërtuar një sistem i tillë korruptim, që edhe avokatë të ketë të tillë, pra që punën e tyre nuk e kryejnë me ndërgjegje të pastër dhe në pajtim me kodin e etikës dhe ligjet e aplikueshme në fuqi. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a është shndërruar avokatia në Kosovë në një instrument “sekser”  endermjetësues të krimit mafioz e të organizuar të proceseve të montuara dhe   trafikuara gjyqësore, ku avokatët, hetuesit, gjyqtarët dhe prokurorët dyshohet se ndajnë tallin, ndërsa në anën tjetër viktima janë gjithnjë vetëm qytetarët apo sipërmarrësit e ndershëm dhe të pafajshëm,  por tepër të shpërdoruar nga avokatët.

Skema korruptive

Profesori i së drejtës Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nisur nga të dhënat e medieve që shkruajnë varg e vijë se avokatë të caktuar në vend që i përfaqësojnë rastet juridikisht dhe drejt e legalisht, duke i kontribuar kështu drejtësisë dhe gjykatave, por, siç tha, ata veprojnë ndryshe. “Bie fjala, që në marrëveshje fillimisht me prokurorë e gjykatës të caktuar hyjnë në atë trinomin dhe ku në atë trinom në vend që të aplikohet ligji, aplikohet një drejtësi artificiale në favorin e padrejtësisë dhe disfavorin e drejtësisë, derisa rrjedhimisht në masë të konsideruar në këtë mënyrë influencohet në joefikasitetin dhe joefiçiencën e prokurorive e të gjykatave, por edhe në përgjithësi të sistemit të drejtësisë dhe po ashtu kështu devalvohet e diskreditohet besimi në institucionet e drejtësisë”, u shpreh Riza Smaka.

Ndërsa, analisti Naim Miftari ka nënvizuar se avokatët sot, duke i përjashtuar avokatët e ndershëm e që, fatkeqësisht, janë pak të tillë sot, pra të tjerët janë shndërruar në fabrikë parash, dhe luajnë rolin e sekserëve nëpërmes kriminelëve dhe organeve të drejtësisë, ku shpeshherë avokati për një klient të pasur dyshohet se e korrupton prokurorin, e sidomos gjykatën. “Avokatët e ndryshëm, sidomos avokatët e ndershëm, kanë shumë pak punë, pasi klientët e tyre dënohen shumë lehtë nga një sistem i korruptuar, nëse nuk japin mitë, pra pasojnë klientët e tyre, ndoshta të pafajshëm dhe dënohen për t’i mbuluar veprat e kriminelëve të mëdhenj dhe politikë, që janë lidhur ngushtë me nëntokën kriminale”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.
 

Sistem pa integritet

Analisti Naim Kelmendi thotë se edhe avokatia, si pjesë e sistemit të drejtësisë, i ka të metat e veta, e që nuk mund të përjashtohet rasti se edhe avokatët janë pjesë e këtij komuniteti dhe pjesë e kësaj shoqërie, që në përgjithësi është ndërtuar një sistem i tillë korruptiv që edhe avokatë të ketë të tillë, pra që punën e tyre nuk e kryejnë me ndërgjegje të pastër dhe në pajtim me kodin e etikës dhe ligjet e aplikueshme në fuqi. Pra,sipas tij, fatkeqësisht, trafikimi i drejtësisë dyshohet se po ndodh edhe përmes avokatëve sekserë, duke bërë kështu që shumica e lëndëve të zgjidhen me procedura të përshpejtuara e në favor të atij që paguan, ku për rrjedhojë kjo ka sjellë edhe gjendjen që disa nga lëndët të bëhen objekt i shitblerjes, duke shkelur kështu çdo etikë profesionale, dhe  antiligjore që kësisoj në fakt shkelen të drejtat e njeriut për mbrojtje nga e drejta. “Fatkeqësisht, kjo shitblerje e lëndëve dyshohet se po ndodh në mes gjyqtarëve dhe palëve apo me ndërmjetësimin e avokatëve sekserë, kështu që ky është treguesi më i keq se deri ku ka degraduar kjo drejtësi në sistemin e gjyqësisë në Kosovë, i cili sistem drejtësie po vuan për gjyqtarë e prokurorë, si dhe avokatë të mirëfilltë, me etikë dhe integritet profesional”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.

Reforma, e domosdoshme

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka veçuar se në radhë të parë vlen të theksohet se avokatia është një segment, një komponentë jashtëzakonisht e rëndësishme e drejtësisë, paçka se është një profesion dhe veprimtari gjegjësisht dhe parësisht private, por është e rregulluar me ligj të veçantë mbi avokatinë. Sipas tij, ajo si e tillë në Kosovë  ndan fatin me sistemin e drejtësisë dhe vlerësimi e perceptimi mund të jetë nga opinioni publik përafërsisht i njëjtë me segmentet e tjera të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësisë, pra në këtë rast institucionet gjyqësore, prokuroriale, të hetimeve.“Edhe në avokati do duhej shikuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për avokati, që njerëzit, të cilët eventualisht, siç ekziston perceptimi i opinionit publik se ka korrupsion dhe luajnë rol herë- herë në segmente të caktuara eksponentë të avokatisë, rol të dyfishtë ku në njërën anë e mbrojnë njërën palë ligjërisht, ndërkaq në anën tjetër edhe nga pala tjetër bëjnë aranzhmane, pra edhe bien nën ndikime të ndryshme, ose në aranzhmane të ndryshme me segmente të caktuara të institucioneve të drejtësisë”, ka potencuar ai. “Prandaj, do të duhej domosdoshmërisht që të ketë një reformë, të ketë një kontroll të shtetit, pavarësisht se është më tepër profesion i pavarur dhe me ligjin për avokatinë të rregullohen edhe mekanizma të tjerë që eliminojnë ose përforcojnë kontrollin e shtetit dhe lëvizjet pozitive në kuptim të reformimit për t’iu shmangur fenomeneve dhe sjelljeve të padenja, anti- ligjore ose korruptive të eksponentëve të caktuar të këtij profesioni”,  spikati për gazetën “Kosova Sot” Profesori universitar, Mazllum Baraliu.

“Mbase me një ‘Vetting’ të ardhshëm do të pastrohej sistemi i drejtësisë nga të tillët, në të kundërtën gjendja veç do të degradojë edhe më shumë dhe vështirë se mund të flitet më për një drejtësi funksionale, me etikë e integritet profesional”, u shpreh Mazllum Baraliu

“Shumica e avokatëve janë element i krimit të organizuar, në vend që të ishte ndryshe”,tha Naim Miftari

(Kosova Sot)

 

1 orë e 15 minuta më parë